UEFA konfirmon marrjen e dokumenteve nga Real Madridi për ‘çështjen Negreira’, mijëra faqe në duart e hetuesve

01/10/2026 16:32

Real Madridi ka dorëzuar në UEFA një sasi të konsiderueshme dokumentesh në lidhje me hetimin për ‘çështjen Negreira’, që përfshin ish-zëvendëspresidentin e Komitetit Teknik të Arbitrave në Spanjë, José María Enríquez Negreira.

Presidenti i Real Madridit, Florentino Pérez, kishte paralajmëruar më 12 maj se klubi do t’i dërgonte UEFA-s një raport të gjerë lidhur me këtë çështje. Tashmë, UEFA ka konfirmuar se dokumentacioni ka mbërritur në zyrat e saj.

Në një komunikatë të shkurtër, organi qeverisës i futbollit europian bëri të ditur se ka marrë nga Real Madridi “një sasi të konsiderueshme dokumentesh lidhur me hetimin në vazhdim ndaj FC Barcelonës për çështjen që përfshin José María Enríquez Negreira”.

UEFA shtoi se inspektorët e Etikës dhe Disiplinës kanë marrë gjithashtu dokumentacionin e ri dhe do ta shqyrtojnë atë në kuadër të analizës që po zhvillohet për këtë çështje. Sipas AS, raporti i dorëzuar nga Real Madridi përmban rreth 50 mijë faqe dokumente.

Klubi madrilen është bërë më herët pjesë e procesit gjyqësor lidhur me çështjen, duke kërkuar që të hetohen në thellësi pagesat e kryera nga Barcelona. Sipas të dhënave të bëra publike, bëhet fjalë për rreth 8.4 milionë euro të paguara gjatë periudhës 2001–2018 ndaj Negreirës, i cili në atë kohë ishte zëvendëspresident i Komitetit Teknik të Arbitrave.

Hetimi lidhet me natyrën dhe qëllimin e këtyre pagesave, ndërsa autoritetet spanjolle dhe UEFA po vijojnë shqyrtimin e çështjes.

Top Channel