‘Shkundet’ Kuba/ Goditet nga një tërmet me magnitudë 6.2 ballë, lëkundjet u ndjenë dhe në Florida
Një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu këtë të premte në një qendër riciklimi në zonën e Bermondsey, në juglindje të Londrës, duke shkaktuar re të mëdha tymi të zi që u panë nga shumë pjesë të kryeqytetit britanik.
Në vendngjarje janë angazhuar rreth 100 zjarrfikës dhe 15 automjete zjarrfikëse, ndërsa autoritetet po punojnë për të vënë flakët nën kontroll.
Sipas raportimeve të mediave britanike, shërbimet e emergjencës u njoftuan pak pas orës 17:30 me orën lokale, pas telefonatave të shumta që sinjalizonin zjarrin në objektin e riciklimit. Menjëherë pas alarmit, në zonë u dërguan forca të shumta zjarrfikëse nga stacionet e Deptford, Old Kent Road, Greenwich dhe zona të tjera përreth.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë kolona të mëdha tymi të zi që ngrihen mbi qytet, ndërsa flakët përfshijnë impiantin e riciklimit, i cili ndodhet pranë një linje kryesore hekurudhore. Për shuarjen e zjarrit janë përdorur edhe pajisje të specializuara, përfshirë dy shkallë rrotulluese 32 metra të larta që u mundësojnë zjarrfikësve të veprojnë nga lart.
Incidenti ka shkaktuar probleme serioze në transportin hekurudhor. Kompania National Rail njoftoi për anulime, devijime dhe ndryshime të itinerareve në shërbimet që lidhin stacionin London Bridge me zona të tjera të qytetit. Ndërkohë, Thameslink bëri të ditur se të gjitha linjat midis London Bridge dhe Dartford janë mbyllur për shkak të zjarrit pranë infrastrukturës hekurudhore.
Brigada e Zjarrfikësve të Londrës u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin zonën derisa operacioni të përfundojë. Po ashtu, banorëve të lagjeve përreth u është kërkuar të mbajnë dyert dhe dritaret e mbyllura për shkak të sasisë së madhe të tymit në ajër.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa autoritetet po hetojnë për të përcaktuar shkaqet e zjarrit. Shërbimet e emergjencës vijojnë të jenë në terren në përpjekje për të neutralizuar plotësisht flakët dhe për të rikthyer normalitetin në zonë.
Top Channel