Flamuri serb vendoset në një qendër votimi në Pejë, largohet nga policia e Kosovës
Pas numërimit të 99% të votave në Kosovë, LVV e Albin Kurtit ka fituar zgjedhjet me më shumë se 43%.
Pas tij vjen PDK, LDK dhe AAK, ndërsa Lista Serbe ka marrë 5.92% të votave.
Gjithsesi, Vetëvendosja kësaj radhe nuk i plotëson dot numrat në Kuvend për të krijuar qeverinë.
Sipas KQZ-së, në këto zgjedhe, të drejtën e votës e kanë ushtruar 675 mijë e 950 persona, që përbën 34,49% të elektoratit të regjistruar.
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka dalë në një konferencë për mediat pas përfundimit të numërimit të kutive. Krah Lumir Abdixhikut, Osmani u ndal te pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në votime, duke u shprehur se populli i Kosovës është lodhur nga zgjedhjet e shumta.
Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka dalë në një konferencë pas numërimit të votave në Kosovë. Ai u shpreh se partia e tij tashmë ka marrë 20 mandate, teksa nuk i kurseu kritikat për LVV-në, pas rezultatit të fundit të zgjedhjeve.
21:52 Më shumë se 280 mijë vota, Lëvizja Vetëvendosje shpall fitoren në zgjedhjet e parakohshme të Kosovës
Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur fitoren në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, LVV ka publikuar një foto ku shkruan se festa e madhe e fitores do të mbahet në sheshin “Skënderbe”” në Prishtinë, në orën 23:00.

20:25 Zgjedhjet në Kosovë, mbi 1000 kuti të numëruara/ Kryeson Vetëvendosja e Kurtit, PDK e LDK në ndjekje
Nga votat e numëruara në 1005 kutitë, ajo që kryeson është Lëvizja Vetëvendosja e Albin Kurtit me 41.24%. Pas saj vjen PDK me 21.93%, ndërsa LDK e treta me 18.08%.
19:05 Dalin exit poll-et pas zgjedhjeve në Kosovë, kryeson Albin Kurti me 42%, më pas renditen PDK dhe LDK
Sipas exit poll-it, ai që kryeson është Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosja me 42%. Pas tij vjen PDK me 21.6% të votave, ndërsa LDK me vetëm 17%.
18:00 Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Deri në orën 17:00 ka votuar 27,87% i elektoratit
Sipas KQZ-së, deri në orën 17:00 të drejtën e votës e kanë ushtruar 546 mijë e 185 persona, që përbën 27,87 për qind të elektoratit të regjistruar.
16:51 Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Deri në orën 15:00 ka votuar 22.74% i elektoratit
Sipas KQZ-së, deri në orën 15:00 të drejtën e votës e kanë ushtruar 445 mijë e 622 qytetarë, që përbën 22.74 për qind të elektoratit të regjistruar.
14:45 Flamuri serb vendoset në një qendër votimi në Pejë, largohet nga policia e Kosovës
Në Gorazhdec të Pejës është raportuar për vendosjen e një flamuri serb në në një qendër votimi, kjo sipas mediave në Kosovë.
Sipas tyre kjo situatë ka nxitur reagim të menjëhershëm nga autoritetet, ku raportohet se Policia e Kosovës ka ndërhyrë dhe e ka larguar flamurin nga aty.
Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka votuar sot në shkollën “Meto Bajraktari”, në Prishtinë. Haxhiu i ka bërë thirrje qytetarëve të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Ish-presidentja, Vjosa Osmani ka votuar në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke bërë thirrje për një proces të rregullt dhe demokratik. Pas votimit, Osmani uroi që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të qetë, teksa i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës t’i drejtohen kutive të votimit.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në zgjedhjet parlamentare që po mbahen në Kosovë. Pasi hodhi votën e tij në kuti, Kurti u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të votojnë, pasi sot vendosin ata.
Top Channel