Live/ Kosova në zgjedhje për herë të tretë në 18 muaj, pjesëmarrja më e ulët se në dhjetor. Kurti: Sot vendosin qytetarët. Vjosa Osmani: Do nxjerrim vendin nga kriza
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditura të dhënat më të fundit mbi ecurinë e procesit zgjedhor në Kosovë, në konferencën e tretë të mbajtur gjatë ditës së votimit.
Sipas KQZ-së, deri në orën 15:00 të drejtën e votës e kanë ushtruar 445 mijë e 622 qytetarë, që përbën 22.74 për qind të elektoratit të regjistruar.
Shifrat tregojnë një pjesëmarrje më të ulët krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, kur në të njëjtin interval kohor kishin votuar 29.29 për qind e votuesve.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radonçi, deklaroi se procesi zgjedhor po vijon normalisht në të gjithë vendin dhe se deri më tani nuk janë raportuar incidente që mund të ndikojnë në mbarëvajtjen apo integritetin e zgjedhjeve.
Sipas të dhënave zyrtare, në këto zgjedhje kanë të drejtë vote 2 milionë e 92 mijë e 174 qytetarë. Ndërkohë, për herë të parë në procesin zgjedhor po marrin pjesë 22 mijë e 685 votues të rinj.
Votimi po zhvillohet në 949 qendra votimi me gjithsej 2 mijë e 550 vendvotime të shpërndara në të gjithë territorin e Kosovës.
Top Channel