Flamuri serb vendoset në një qendër votimi në Pejë, largohet nga policia e Kosovës
Qendrat e votimit janë mbyllur në të gjithë territorin, duke shënuar përfundimin e procesit të votimit dhe nisjen e numërimit të votave në komisionet përkatëse.
Sipas të dhënave deri në orën 17:00, pjesëmarrja në votime ka arritur rreth 29%.
Në krahasim me zgjedhjet e mëparshme parlamentare të zhvilluara gjatë vitit 2025, në të njëjtin orar pjesëmarrja ka qenë rreth 39%, duke shënuar një ulje prej rreth 10 për qind.
Gjithashtu, menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit kanë dalë edhe përgjigjet e para të exit poll-eve.
19:05 Dalin exit poll-et pas zgjedhjeve në Kosovë, kryeson Albin Kurti me 42%, më pas renditen PDK dhe LDK
Sipas exit poll-it, ai që kryeson është Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosja me 42%. Pas tij vjen PDK me 21.6% të votave, ndërsa LDK me vetëm 17%.
18:00 Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Deri në orën 17:00 ka votuar 27,87% i elektoratit
Sipas KQZ-së, deri në orën 17:00 të drejtën e votës e kanë ushtruar 546 mijë e 185 persona, që përbën 27,87 për qind të elektoratit të regjistruar.
16:51 Zgjedhjet në Kosovë, KQZ: Deri në orën 15:00 ka votuar 22.74% i elektoratit
Sipas KQZ-së, deri në orën 15:00 të drejtën e votës e kanë ushtruar 445 mijë e 622 qytetarë, që përbën 22.74 për qind të elektoratit të regjistruar.
14:45 Flamuri serb vendoset në një qendër votimi në Pejë, largohet nga policia e Kosovës
Në Gorazhdec të Pejës është raportuar për vendosjen e një flamuri serb në në një qendër votimi, kjo sipas mediave në Kosovë.
Sipas tyre kjo situatë ka nxitur reagim të menjëhershëm nga autoritetet, ku raportohet se Policia e Kosovës ka ndërhyrë dhe e ka larguar flamurin nga aty.
Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka votuar sot në shkollën “Meto Bajraktari”, në Prishtinë. Haxhiu i ka bërë thirrje qytetarëve të dalin dhe ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.
Ish-presidentja, Vjosa Osmani ka votuar në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke bërë thirrje për një proces të rregullt dhe demokratik. Pas votimit, Osmani uroi që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të qetë, teksa i bëri thirrje qytetarëve të Kosovës t’i drejtohen kutive të votimit.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka votuar në zgjedhjet parlamentare që po mbahen në Kosovë. Pasi hodhi votën e tij në kuti, Kurti u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të votojnë, pasi sot vendosin ata.
Top Channel