Vetëm 20 vjeç dhe kampion bote! Kimi Antonelli shkruan historinë, Italia feston pas 73 vitesh
Max Verstappen triumfoi në Çmimin e Madh të Meksikës, në një garë të ndërprerë me flamur të kuq pas një aksidenti të Valtteri Bottas.
Por protagonisti i ditës ishte Kimi Antonelli, i cili e mbylli garën në vendin e tretë dhe siguroi matematikisht titullin kampion bote, duke u bërë piloti më i ri në historinë e Formula 1 që arrin këtë sukses.
Gara u ndërpre në xhiron e 46-të, pasi Bottas pësoi një problem në pezullimin e përparmë të majtë gjatë frenimit për kthesën e parë dhe përfundoi jashtë piste. Fatmirësisht, piloti finlandez nuk pësoi dëmtime. Pas riparimit të barrierave, gara rifilloi dhe Verstappen arriti të ruante kryesimin, duke përballuar sulmet e Lewis Hamiltonit.
Holandezi siguroi fitoren e tretë të sezonit, ndërsa Hamilton u rendit i dyti. Në podiumin e Meksikës, mes dy kampionëve të mëdhenj, ishte edhe Antonelli, i cili festoi titullin e parë botëror në karrierën e tij.
Charles Leclerc e mbylli garën në vendin e katërt, pasi mori një penalizim prej pesë sekondash për daljen nga pista në xhiron e parë, në përpjekjen për të kaluar shokun e skuadrës, Hamilton. Piloti britanik pati gjithashtu pretendime ndaj drejtimit të garës për mënyrën se si u trajtua episodi mes dy pilotëve të Ferrarit.
Lando Norris përfundoi në vendin e pestë, duke mos arritur të mbrojë titullin, ndërsa George Russell u rendit i gjashti pas një gare të vështirë, të shoqëruar nga një penalizim prej dhjetë sekondash për kontakt me Isaac Hadjar. Në fund, Meksika dhuroi një fitore për Verstappenin, një podium për Hamiltonin dhe, mbi të gjitha, një moment historik për Formula 1: kurorëzimin e Kimi Antonellit si kampionin më të ri të botës.
Top Channel