Exclusive: N​ga dhuna te ligji, siguri apo cenim i lirisë? Protestat e dhunshme dhe ndryshimet e reja ligjore, Çuli: E pamundur që pushteti…

01/11/2026 23:00

“Exclusive” në Top Channel analizoi mbrëmjen e sotme kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama përmes revoltës së dhunshme dhe mospranimit i dialogut, e cila më pas solli një reagim të ashpër ligjor nga qeveria që tashmë ka hapur një tjetër debat, atë mes sigurisë publike dhe lirive kushtetuese.

“Çdo person që merr pjesë në një tubim të dhunshëm dhe nuk largohet pas paralajmërimit të policisë do të përgjigjet financiarisht dhe gjoba do të shkojë deri në 500.000 lek të reja. Ndëshkohet kush bën thirrje publikisht edhe në rrjetet sociale për dhunë, plaçkitje ose shkatërrim gjatë një tubimi”, njoftoi Rama pak ditë më parë.

Nga fjalët e liderit socialist akti normativ dhe propozimet për ashpërsimin e kodit penal, përgjigja e qeverisë ndaj dhunës në rrugë po merr formën e sanksioneve më të rënda, ku policia fuqizohet me një rol të ri.

Gjoba deri në 500.000 lek në logjikën se kush thyen, paguan. Kufizime të tubimeve deri në 72 orë pranë institucioneve të cilësuara si zona të mbrojtura. Si dhe për fshehjen e fytyrës dhe qëndrimin në protesta të dhunshme si edhe një regjistër i posaçëm elektronik për personat nën hetim.

Avokati Alban Duraj ka ngritur pretendime për paligjshmëri në procedurën e ndjekur nga Këshilli i Ministrave për miratimin e një akti normativ, duke argumentuar se nuk plotësohen kushtet kushtetuese për nxjerrjen e një akti të tillë me fuqinë e ligjit.

“Ky nxitim nga ana e Këshillit të Ministrave, së pari nuk plotësohen kushtet formale në mënyrë që të dali një akt normativ i tillë që ka përcaktuar neni 17 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë për sa i përket mënyrës urgjente se si del në një akt normativ i cili ka fuqinë e ligjit kur vendi ndodhet në një situatë lufte apo në një situatë të gjendjes së jashtëzakonshme në të cilën Shqipëria nuk ndodhet. Nuk kemi një akt ligjor që ta justifikojë një mënyrë të tillë apo një gjendje të tillë faktike”, tha avokati Alban Duraj.

Pedagogu dhe juristi Hektor Ruci ka kundërshtuar masat ligjore që synojnë rregullimin e së drejtës së manifestimit dhe tubimit, duke i cilësuar kufizimet e miratuara me nxitim si potencialisht antikushtetuese dhe në kundërshtim me detyrimet ndërkombëtare të Shqipërisë.

“E drejta e manifestimit dhe tubimit hyn tek të drejtat themelore të njeriut. Si e tillë çfarëdolloj mase që duhet të merret për rregullimin e kësaj të drejte duhet të jetë në radhë të parë proporcionale, në radhë të dytë e mirë argumentuar dhe në radhë të tretë të vërtetojë domosdoshmërinë për të cilën masa është marrë. që do të thotë kalimi me nxitim i masave të tilla ligjore në vetvete përbëjnë një kufizim për mendimin tim antikushtetues dhe jo vetëm antikushtetues, por është një kufizim i cili shkon kundër dhe impenjimeve që Shqipëria ka në kuadër të traktateve ndërkombëtare, sidomos atyre det njeriut që ajo ka nënshkruar”, tha pedagogu dhe juristi, Hektor Ruci.

Avokati Rezart Kthupi ka kritikuar paketën e ndryshimeve ligjore që lidhen me protestat dhe tubimet, duke pretenduar se ato synojnë të kufizojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe të ashpërsojnë ndëshkimet ndaj pjesëmarrësve.

“Paketë ligjesh të cilat kanë një synim të vetëm mundë të kufizojnë për aq sa është e mundur mundësinë e qytetarëve për të protestuar dhe nëse kjo protestë ndodh pastaj të ndëshkohet në mënyrë represive kushdo që ka marrë pjesë në të. Jo gjithmonë gjërat zgjidhen duke ashpërsuar ligjet. Ajo që prodhon akti normativ është një ashpërsim i ligjit. Është një i kufizim i të drejtave të qytetarëve në raport me protestën, në raport me tubimin”, u shpreh avokati Rezart Kthupi.

Regjisori Hervin Çuli ka komentuar masat e ndërmarra nga qeveria lidhur me protestat dhe aktin normativ, duke u shprehur se ndërhyrja ishte e domosdoshme për shtetin shqiptar, megjithëse disa prej masave të përfshira mund të ishin shmangur.

“Besoj në situatën ku ndodhemi pa diskutim që ishte një lëvizje e domosdoshme për shtetin shqiptar. Po brenda për brenda mund të kishte dhe gjëra diku diku të ekzagjeruara të cilat mund të ishin kursyer nga kryeministri i vendit. Aty kishte dhe gjëra që patjetër një shteti, një shtet i të drejtës duhet që t’i ketë pjesë e mbrojtjes ndaj dhunës.

Kohët e fundit ne kemi parë shkatërrimin e një qyteti dhe në qoftë se një padrejtësi tenton të zgjidhet nëpërmjet një padrejtësie tjetër, ajo prapë do të sjelli padrejtësi. Është e pamundur që një pushtet të bjerë nëpërmjet dhunës, sepse në këtë rast bie shteti, nuk bie pushteti. Është djegur Tirana dhe Tirana nuk i përket Edi Ramës. Tirana përket të gjithë neve”, u shpreh regjisori Hervin Çuli.

Aktivistja Suela Koçibellinj ka kritikuar masat e ndërmarra për kufizimin e protestave, duke argumentuar se ato nuk zgjidhin problematikat në themel, por mund të shërbejnë vetëm si një mekanizëm i përkohshëm për të frikësuar qytetarët.

“Këto nuk janë masa që rregullojnë situatën. Janë masa që ndoshta për momentin mund të përdoren si mekanizëm për të trembur njerëzit. Po të mos të harrojmë diçka. Nëse ne përdorim mekanizmin e trembjes, ne kështu vetëm agravojmë situatën. Nuk po e zgjidhim. Në një trembje trembja është gënjeshtër. Mund të kemi një qetësi të përkohshme, por nëse ajo nuk korrigjohet në thelb dhe nëse nuk ndërhyhet për t’u sheshuar situata, kur të shpërthej në momentin e dytë, do jetë akoma më e rrezikshme”, deklaroi aktivistja Suela Koçibellinj.

Qeveria i paraqet këto masa si domosdoshmëri për të mbrojtur qytetarët, pronën dhe rendin publik. Zv.ministrja e Drejtësisë, Elona Hoxha, ka shpjeguar qëllimin e paketës së propozuar nga qeveria për ndryshimin e ligjit për tubimet dhe ashpërsimin e masave në Kodin Penal, duke theksuar se synimi është forcimi i rendit dhe sigurisë publike, mbrojtja e pronës dhe garantimi i jetës së qytetarëve.

“Paketa e propozuar për të ndryshuar lidhjen e tubimeve, por edhe ashpërsimin e masave në kodin penal ka një qëllim të caktuar. Forcimin e ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, mosdëmtimin e pronës private dhe publike gjithashtu dhe ruajtjen e jetës së qytetarëve. Protesta është një e drejtë legjitime, ajo mbrohet, por në rast se përdoret dhunë, dhuna duhet ndëshkuar. Nuk është dhuna zgjidhje e kërkesave të qytetarëve apo e studentëve, është vetëm dialogu.

Ndërkohë që akti normativ ka fuqi të menjëhershme, ndryshimet e kodit penal do t’i nënshtrohen një analize dhe do të kalojë gjithë procedurën e tyre për t’u miratuar që kalon nëpër komisionet parlamentare apo dhe pastaj për t’u miratuar në seancë parlamentare.

Kushtetuta i parashikon që Këshilli i Ministrave mund të nxjerri akte normative në situata që këto që po kalojmë që kanë nevojë për ndryshime të menjëhershme për të siguruar jetën e qytetarëve, pronën dhe sigurinë publike”, deklaroi Elona Hoxha-zv. Ministre e Drejtësisë.

Pedagogia Enkeleda Olldashi ka komentuar revoltën e të rinjve dhe zhvillimet e fundit politike, duke theksuar se pakënaqësia e tyre drejtohet ndaj klasës së vjetër politike, pavarësisht përkatësisë partiake.

“Të rinjtë sot janë kundra klasës së vjetër të politikës, majtas, djathtas dhe ndoshta kjo revoltë që patjetër ne jemi kundra shkatërrimit, kundra një dhune, po ndoshta kjo është një revoltë e akumuluar që veshët e politikanëve të gjitha ngjyrave duhen ta dëgjojnë”, deklaroi pedagogia Enkeleda Olldashi.

Top Channel