Gjykata liron protestuesin në Tiranë, i cakton masën “detyrim paraqitjeje”, i ndalohet të marrë pjesë në tubime
Prokuroria e Posaçme ka dërguar në gjykatë dosjen për Belinda Ballukun, një material prej 96 faqesh ku janë administruar SMS, komunikime në WhatsApp, email-e, fotografi dhe të dhëna të tjera të mbledhura gjatë hetimit.
Në dosjen e siguruar nga Top Channel, zbardhen edhe detaje nga hetimi për vilën F6 në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi, të cilën SPAK e lidh me përdorimin nga Balluku dhe familjarët e saj.
Mes materialeve të administruara është edhe fotografia e një kutie të kuqe, brenda së cilës shihen tufa me kartëmonedha 50-euroshe të lidhura me llastik. Fotoja është gjetur në telefonin e Lavdrim Smones dhe, sipas dosjes, rezulton e realizuar në ambientet e vilës F6. Megjithatë, në dokument nuk përcaktohet shuma e parave, kujt i përkisnin apo për çfarë qëllimi ndodheshin aty, duke lënë të pazbardhur origjinën dhe pronësinë e tyre.
SMS-të dhe komunikimet e sekuestruara, email-et për ndërtimin e pishinës, fotografitë nga ambientet e vilës dhe bisedat mes personave që punonin për Ballukun dhe familjen e saj janë disa prej elementeve që SPAK ka përfshirë në dosjen tashmë të dërguar në gjykatë.
Sipas dosjes së SPAK, këto të dhëna përdoren nga prokuroria për të argumentuar se pasuria, megjithëse në dokumentacion figuron e lidhur me persona të tjerë, përdorej faktikisht nga Balluku dhe familjarët e saj.
Por si arriti SPAK deri te këto të dhëna?
Prokurorët dhe hetuesit e kanë shtrirë hetimin deri te personat që punonin për ish-zëvendëskryeministren dhe familjen e saj. Në dosje janë administruar bisedat e shoferit të familjes, të pastrueses së Ballukut dhe bashkëshortit të saj, komunikime të vartësve, si dhe dëshmi të personave që kujdeseshin për mirëmbajtjen e kompleksit. Krahas tyre, hetuesit kanë mbledhur fotografi, video, email-e dhe të dhëna të vendndodhjes së telefonave.
Një pjesë e rëndësishme e këtyre materialeve është gjetur në telefonin e Lavdrim Smones, bashkëshortit të Lavdije Smones, e cila ka deklaruar se punonte prej rreth 10 vitesh si pastruese në shtëpinë e Ballukut. Sipas dosjes së SPAK, çifti shkonte edhe në Dhërmi për pastrimin dhe mirëmbajtjen e vilës, ndërsa udhëtimet dhe punët që kryheshin atje dalin edhe në komunikimet me Albert Ushen, shoferin e familjarëve të Ballukut.
Në telefonin e Lavdrim Smones janë gjetur fotografi dhe video që nga gushti i vitit 2019, ku shfaqen ambiente të vilës, mes tyre oborri, mobiliet e jashtme, kuzhina, banja dhe dhomat.
Më 17 korrik 2021, në orën 10:06, nga telefoni i Smones rezulton se përmes WhatsApp-it është dërguar një fotografi ku shfaqet një kuti e kuqe me tufa kartëmonedhash 50-euroshe të lidhura me llastikë. Dosja e SPAK nuk identifikon personin të cilit i është dërguar fotografia dhe as shumën apo pronësinë e parave. SPAK e përshkruan fotografinë si të realizuar “në dukje si në ambientet e vilës F6, në kompleksin ‘White Rocks’”.
Në të njëjtin telefon janë administruar edhe fotografi të 4 shtatorit 2020, ku shfaqet Lavdije Smone pranë pishinës së vilës.
SPAK e mbështet pretendimin për përdorimin e vilws F6 edhe në të dhënat e vendndodhjes së telefonave, komunikimet e personave që shkonin për të punuar në vilë, si dhe dëshmitë e punonjësve të mirëmbajtjes së kompleksit.
Sipas dosjes, Belinda Balluku ka përdorur email-in e saj për të hapur llogari në Netflix në një nga televizorët e vilave, ndërsa username ka pasur edhe në emër të fëmijëve të Ballukut. Po kështu, sipas SPAK-ut pikturat e vilës mbanin inicialet e emrit të vajzës së Ballukut, ndërsa në vilë janë gjetur edhe detaje nga festimet për ditëlindjen e djalit të Ballukut.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, vila F6 përdorej rregullisht nga Belinda Balluku, pavarësisht se kontrata e porosisë ishte lidhur në emër të Igli Tares. Vila ka një sipërfaqe ndërtimi prej 103 metrash katrorë dhe ndodhet në një parcelë rreth 300 metra katrorë.
Nga fotografitë dhe vendndodhja e telefonave, hetimi kalon më pas te email-et dhe komunikimet për vetë punimet në F6.
Më 3 prill 2020, në orën 10:18, Julian Kelo, të cilin dosja e SPAK e përshkruan si njohje të Ballukut dhe familjarëve të saj, i dërgon një email adresës “[email protected]”. Subjekti është “Pishina”, ndërsa në mesazh shkruhet: “Mirëmëngjes! Po të nis planet e pishinës”.
Email-it i bashkëngjitet skedari “Planimetria e Pishinës Oborri A3.pdf”.
Komunikimet vijojnë më 26 maj 2020, kur Kelo i dërgon email Viola Haxhidemhit. Në komunikim flitet për preventivin e fazës së dytë të pishinës dhe kërkohet kontrollimi i tij për të vijuar me punimet.
Në të njëjtën periudhë, Kelo komunikon me një kompani që tregtonte materialet e përzgjedhura për pishinën. Në dosjen e SPAK shfaqet edhe skedari “POROSI JULIAN KELO.xlsx”, ndërsa në një prej ofertave për materialet vlera totale pas skontos rezulton 10,165.5 euro.
Sipas pamjeve satelitore të cituara në dosjen e SPAK, më 21 janar 2020 nuk kishte shenja të pishinës, ndërsa më 11 shtator 2020 ajo rezulton e ndërtuar.
Komunikimet për vilën F6 kishin nisur edhe më herët. Në telefonin e Ives Durmishit, arkitekt që kishte punuar për “Eurocol”, numri 069xxxxxxx ishte ruajtur në kontakte me emrin “Belinda Balluku”.
Durmishi ka deklaruar se komunikonte me Ballukun për ndryshime gjatë realizimit të projektit. Sipas deklarimit të tij të pasqyruar në dosjen e SPAK, për F6 është diskutuar edhe pozicionimi i kondicionerëve në katin e sipërm.
Një tjetër seri komunikimesh është gjetur në telefonin e Viola Haxhidemhit.
Sipas dosjes së SPAK, në një grup komunikimi ndodheshin Belinda Balluku, Viola Haxhidemhi, Matilda Kërçuku, Maksim Ehemaj dhe Alketa Pano, kjo e fundit e identifikuar si vartëse e Ballukut në Kryeministri.
Në komunikimet që SPAK lidh me F6 shfaqet edhe referenca “shtëpia e Belindës”, e cila kërkohej të ishte gati. Në fund të vitit 2024, mesazhet kalojnë nga punimet te përdorimi i përditshëm i vilës.
Më 22 dhjetor, Albert Ushe, të cilin dosja e SPAK e identifikon si shofer të familjarëve të Ballukut, komunikon me Joana Bushin, personin që figuron si qiramarrëse e vilës F6 në kontratën me Igli Taren.

Biseda lidhet me një çelës. I pyetur nga hetuesit, Ushe ka deklaruar se Joana Bushi i kishte kërkuar të merrte një çelës të F6 dhe ta çonte në Dhërmi.
Një ditë më vonë, Albert Ushe komunikon me Lavdrim Smonen, bashkëshortin e pastrueses së familjes. Sipas shpjegimit të dhënë nga Ushe, komunikimi lidhej me Lavdije Smonen, e cila do të shkonte në Dhërmi për të pastruar vilën F6.
Në komunikimet e së njëjtës periudhë shfaqen edhe drutë për oxhakun. Më 23 dhjetor 2024, Alketa Pano, e identifikuar në dosjen e SPAK si vartëse e Ballukut në Kryeministri, interesohet në një bisedë me Albert Ushen për drutë dhe shpreh shqetësimin që ato të mos lagen.
“Shiko, vetëm mos na lagen drut ka merak shefja”, i thotë Pano.
“Jo jo! Drutë i futëm direkt”, e siguron Ushe.
Pano kërkon të dijë nëse do të futeshin brenda, ndërsa Ushe i përgjigjet se do t’i vendosnin brenda, bashkë me të tjerat, “aty te ai dollapi”.
“Janë brenda domethënë, nuk lagen? Okej. Super”, vijon Pano.
Shoferi e siguron sërish: “Po jo moj. U lagëm ne për t’hyrë drutë, mos u mërzit”.
Lidhjen e kësaj bisede me vilën F6 e ka shpjeguar më pas vetë Albert Ushe para hetuesve. Sipas deklarimit të pasqyruar në dosjen e SPAK, Alketa Pano e kishte pyetur nëse kishin dru, ndërsa ai kishte menduar që Lavdrim Smone t’i fuste brenda, te oxhaku i vilës F6.
Komunikimet vijojnë edhe gjatë vitit 2025. Në bisedat mes Albert Ushes dhe Lavdrim Smones flitet për probleme dhe ndërhyrje në vilë, përfshirë pompën. Ushe komunikon gjithashtu me Eriol Xharjën, të cilin dosja e SPAK e identifikon si punonjës mirëmbajtjeje në kompleks.
Një tjetër seri mesazhesh lidhet me energjinë elektrike të F6. Edhe pse kontrata e energjisë elektrike për vilën ishte në emër të Igli Tares, sipas dosjes së SPAK, për dokumentacionin dhe pagesat e energjisë komunikonin Laureta Omeri dhe Viola Haxhidemhi.
Më 18 korrik 2022, Omeri pyet Haxhidemhin nëse libreza kishte kaluar në emër të Igli Tares dhe diskuton me të për pagesën. “E paguaj unë me timen”, i përgjigjet Haxhidemhi.
Komunikimet vijojnë më 1 gusht, kur Omeri i dërgon Haxhidemhit fotografinë e kontratës së porosisë së vilës F6, ndërsa në shtator diskutojnë sërish për faturën e energjisë.
Sipas SPAK, nga aktet e administruara rezulton se pagesa e energjisë elektrike për vilën F6 është kryer nga Laureta Omeri dhe Viola Haxhidemhi.
Igli Tare është personi në emër të të cilit figuron kontrata e porosisë për F6 dhe është person nën hetim në këtë procedim për pastrim të produkteve të veprës penale.
Edhe kontrata e internetit të vilës figuron në emër të tij. Ajo është lidhur më 18 qershor 2019 për adresën “White Rocks Dhërmi”, por si kontakte në kontratë rezultojnë emaili “[email protected]” dhe numri i telefonit i Julian Kelos.
I pyetur gjatë hetimit, Igli Tare ka deklaruar se nuk kishte dijeni se kush e kishte marrë shërbimin e internetit për F6.
Top Channel