“E gjithë jeta ime është atje, në varret e qenve të mi”. Me këto fjalë mund të shihet gjithë dashuria që Alain Delon kishte për miqtë e tij me katër këmbë. Dhe në mjediset e shtëpisë së tij në Douchy, gjatë jetës së tij, rreth 50 qen gjetën prehje të përjetshme.

Secili me gurin e varrit të tij, me emrin e tij. Çiftet u varrosën së bashku. Një varrezë, për t’i pasur pranë vetes përgjithmonë. Një vend i përjetshëm ku vetë aktori francez kërkoi të varrosej.

Alain Delon, simboli me jetë të egër dhe me shumë dashuri që vdiq në moshën 88-vjeçare, ka gjetur gjithmonë tek qentë atë dashurinë e vërtetë dhe të sinqertë që mbushte vetminë e brendshme me të cilën jetoi, sidomos në vitet e fundit të jetës.

Aktori ka jetuar gjithmonë me qen dhe një nga miqtë e tij të parë me katër këmbë ishte Gaia, një femër Dobermann. “Një ditë i bërtita, i rashë në të pasme. Ajo u ul dhe më pa dhe unë e pashë duke qarë”. Që nga ajo ditë Delon e kuptoi se sa mirë qentë janë në gjendje të përcjellin emocionet e tyre: “Që atëherë kam kuptuar gjithçka. Që atëherë qentë e mi kanë buzëqeshur gjithmonë”, shtoi ai.

Një dashuri që e shtyu të ndihmonte edhe kafshët me më pak fat se të tijat. Delon ka qenë gjithmonë ndër mbështetësit kryesorë të betejave të mikeshës së tij Brigitte Bardot për të drejtat e kafshëve.

Aktori gjithashtu nuk u përmbajt të bënte gjeste të bujshme. Një herë ai dërgoi një helikopter për të shpëtuar një kotele të cilës i kishin shkëputur putrat. Pasi u shërua, ai e priti atë në vilën e tij.

Në vitin 2009, një episod tjetër tregoi dashurinë e tij të madhe për qentë. Afër Perpignan, një qen endacak përfundoi viktimë e çmendurisë mizore të një çifti, një vajze 22-vjeçare dhe i dashuri i saj 17-vjeçar, të cilët e lanë atë me benzinë ​​dhe i vunë zjarrin. Ai Pinscher i vogël, i quajtur më vonë Mambo, i mbijetoi djegieve të rënda të shkallës së tretë që përfshinë mbi 40% të trupit të tij. Rasti shkaktoi zemërim të madh dhe lindi një zinxhir solidariteti në të cilin morën pjesë figura si futbollisti Zinedine Zidane dhe vetë Alain Delon.

Pak kohë më vonë, kur qeni ishte shëruar në mënyrë perfekte, aktori e gjeti veten duke kaluar nëpër Perpignan dhe shprehu dëshirën për të takuar Mambo. Gazeta L’Indépendant ia plotësoi dëshirën dhe aktori tha në një intervistë: “Ishte një dhuratë e mrekullueshme”, duke shtuar se ai kishte ofruar shërbimet e veterinerit të tij për të trajtuar Mambo dhe në mënyrë provokuese, ai gjithashtu tha: “Unë madje sugjeroj ata dy bastardë që bënë këtë, të vijnë të punojnë në pronën time, për t’u kujdesur për ta!”.

Ai gjithashtu u shpreh se në jetën e tij pas vdekjes do të donte të ishte një qen që të jetonte me Alain Delon, duke treguar se qentë që ai ka pasur kanë jetuar në mënyrën më të mirë dhe me plot dashuri.

 

FOTO GALERI
7/7

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA