Ndahet nga jeta në moshën 90-vjeçare Walter Koenig, aktori i njohur për rolin e Chekov në “Star Trek”

26/10/2026 20:38

Aktori amerikan Walter Koenig, i cili u bë i famshëm në mbarë botën për interpretimin e Pavel Chekov në sagën fantastiko-shkencore “Star Trek”, është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare.

Ai ndërroi jetë në shtëpinë e tij në North Hollywood, i rrethuar nga familjarët. Lajmi u konfirmua nga përfaqësuesi i tij për revistën “The Hollywood Reporter”.

Sipas një njoftimi të publikuar në “Facebook” nga Zachery McGinnis, themeluesi i agjencisë “Galactic Productions”, e cila përfaqësonte aktorin, Koenig ndërroi jetë në banesën e tij në North Hollywood, në praninë e vajzës dhe mbesës së tij. Shkaku i vdekjes u përshkrua si pasojë e moshës së thyer, pa u dhënë detaje të tjera.

“Sot vajtojmë ndarjen nga jeta të Walter Koenig, talenti, ngrohtësia dhe interpretimet e paharrueshme të të cilit lanë gjurmë te breza të tërë fansash në mbarë botën”, shkroi McGinnis.

Ai theksoi se trashëgimia e aktorit shkonte përtej ekranit, duke kujtuar takimet e shumta me fansat dhe përkushtimin e tij ndaj komunitetit të krijuar rreth “Star Trek”.

Lajmi për vdekjen e Koenig ka prekur edhe kolegët e tij, veçanërisht aktorin George Takei, i njohur për rolin e Hikaru Sulu në të njëjtin serial.

“Zemra më është rënduar”, shkroi Takei në Facebook, duke kujtuar se ishte njohur me Koenig në vitet 1960, në urën komanduese të anijes imagjinare Enterprise. Miqësia e tyre vazhdoi për gjashtë dekada, ndërsa Koenig ishte dëshmitari kryesor i Takeit në dasmën e tij në vitin 2008.

“Walter ishte shumë më tepër se Chekov. Ai ishte shkrimtar, mësues, një njeri i menduar dhe një mik besnik”, shkroi Takei.

Ai falënderoi gjithashtu fansat që e kishin dashur aktorin për shumë vite, duke theksuar se edhe Koenig kishte pasur një dashuri të veçantë për ta.

Lajmin e konfirmoi edhe Jesse Thorn, drejtues i emisionit radiofonik Bullseye në NPR, duke iu referuar vajzës së aktorit, Danielle Koenig. Ai vuri në dukje miqësinë e sinqertë mes pjesëtarëve të kastit të “Star Trek”, e cila vazhdoi për shumë dekada.

Walter Koenig lindi në Çikago dhe u rrit në Manhattan, në një familje emigrantësh me origjinë lituaneze. Karrierën e aktrimit e nisi në vitin 1962, me një rol të pakredituar si roje në serialin televiziv Combat!.

Ai iu bashkua kastit të “Star Trek” në fillim të sezonit të dytë dhe u shfaq në 36 nga 50 episodet e transmetuara mes viteve 1967 dhe 1969.

Personazhi i tij, Pavel Chekov, oficeri rus në bordin e Enterprise, u bë një nga figurat e njohura të serialit dhe e shoqëroi aktorin gjatë një pjese të madhe të karrierës.

Koenig e riktheu këtë rol edhe në shtatë filmat e parë të sagës “Star Trek”, të publikuar mes viteve 1979 dhe 1991. Në vitin 2017, ai u shfaq gjithashtu në serinë online Renegades.

Paraqitja e tij e fundit në universin e “Star Trek” ishte në një episod të serialit Star Trek: Picard, në vitin 2023, ku interpretoi me zë Anton Chekov, djalin e personazhit të tij origjinal.

Përveç aktrimit, Koenig punoi edhe si skenarist, duke shkruar episode për seriale të njohura si The Powers of Matthew Star, Family, Land of the Lost dhe The Incredible Hulk. Në vitin 2010, ai shkroi, prodhoi dhe luajti në filmin fantastiko-shkencor InAlienable, ku interpretonte edhe Richard Hatch.

Walter Koenig ishte i martuar me aktoren Judy Levitt. Çifti ishte së bashku që nga viti 1965 dhe bashkëpunoi në disa produksione, përfshirë tre filma të “Star Trek” dhe serialin fantastiko-shkencor Babylon 5, i transmetuar nga viti 1994 deri në vitin 1998.

Judy Levitt ndërroi jetë në dhjetor të vitit 2022, në moshën 83-vjeçare. Familja kishte përjetuar edhe një tjetër humbje të rëndë në vitin 2010, kur djali i tyre, Andrew Koenig, aktor i njohur për rolin e Richard “Boner” Stabone në serialin Growing Pains, vdiq në moshën 41-vjeçare.

Walter Koenig lë pas vajzën e tij, Danielle Koenig, aktore dhe skenariste.

Me largimin e tij, bota e filmit dhe televizionit humbet një nga aktorët që ndihmuan në krijimin e trashëgimisë së “Star Trek”, një prej sagave fantastiko-shkencore më të njohura dhe më me ndikim në historinë e televizionit.

Top Channel