Pas arritjes së armëpushimit në qytetin ukrainas, banorët tregojnë momentet e vështira: Hëngrëm bar për të mbijetuar
Berisha ka denoncuar paketën e re fiskale, teksa deklaron se Edi Rama u shpall luftë bizneseve me rritjen e taksave.
Partia Demokratike, tha Berisha në një videomesazh në rrjetet sociale, do ta anulojë paketën dhe do të vendosë taksën e sheshtë 10% dhe TVSH-në 6%
Berisha deklaroi se paketa e paralajmëruar parashikon rritjen e taksës mbi dividentin nga 8% në 15%, tatimfitimit nga 15% në 17% dhe uljen e pragut të TVSH-së nga 10 në 5 milionë lekë. Sipas tij, këto masa do të ndikojnë edhe në rritjen e çmimeve për qytetarët.
Berisha premtoi se kur PD të vijë në pushtet, do ta anulojë paketën dhe do të vendosë taksën e sheshtë 10%, do të rrisë pragun e TVSH-së në 15 milionë lekë dhe do ta ulë TVSH-në për ushqimet dhe mallrat bazë në 6%.
Videomesazhi i plotë:
Të dashur qytetarë dhe qytetare,
Mbrëmë, në një akt tinëzar, por aq edhe zuzar, pa konsultuar me asnjë faktor apo grup interesi, padrinoja i vendit, me Petrit Ballukun në financa, kanë njoftuar se do rrisin taksat qindra milionë euro për bizneset shqiptare.
Ata njoftojnë se do të dyfishojnë taksën mbi dividentin nga 8 në 15%, do të rrisin taksën mbi tatim fitimin nga 15 në 17%, do të ulin nivelin e xhiros së TVSH-së nga 10 milionë në 5 milionë.
Me një fjalë, e vërteta është se do të çojnë drejt falimentimit me qindra e mijëra biznese dhe po kështu shkatërrimin e qindra mijëra vendeve të punës.
Miq, kjo masë pabesie vjen në një kohë kur për shkak të narkoshtetit të Edi Ramës, në Shqipëri euro dhe dollari kanë pësuar zhvlerësimin më të madh në botë, përkatësisht 35%. Për rrjedhojë po kaq janë zhvlerësuar eksportet e vendit, prodhimi industrial ka rënë me 15.3%, eksportet kanë rënë me 28%.
Kjo rritje taksash shënon një falimentim të mëtejshëm, por dhe rritje të mëtejshme të çmimeve për shqiptarët. Dhe kur mendon se të gjitha këto përfundojnë në xhepat dhe llogaritë bankare të një organizate kriminale, krimi bëhet monstruoz.
Premtoj qytetarëve shqiptarë se Partia Demokratike do të anulojë këtë paketë dhe do vendosë taksën e sheshtë 10%, dhe se nivelin e pagesës së TVSH-së do ta ngrejë në 15 milionë lekë, ndërkohë ajo do të zbresë në 6% TVSH-në për ushqimet dhe mallrat bazë.
Top Channel