Meghan Markle do të bashkëprezantojë “Junior MasterChef Australia” në vitin 2027
Aktori i njohur i serialit “The Pitt”, Noah Wyle, është shpallur fitues i titullit “Mashkulli më seksi në botë” nga revista amerikane “People”, duke iu bashkuar listës së yjeve të Hollywood-it që kanë marrë këtë vlerësim ndër vite.
Në moshën 55-vjeçare, aktori, i cili interpreton doktor Michael “Robby” Robinavitch në dramën mjekësore të “HBO Max|, pranoi se lajmi e kishte kapur krejtësisht të papërgatitur. Madje, fillimisht mendoi se bëhej fjalë për një shaka.
“Mendova se tingëllonte si një shaka. As në një milion vjet nuk do ta kisha menduar se ky nder do të më jepej mua”, u shpreh Wyle në një intervistë për revistën “People”.
Me humor, ai shtoi se shpresonte që ky titull t’ia ndryshonte jetën, por pranoi se miqtë dhe familjarët me siguri do ta ngacmojnë për këtë vlerësim. Pavarësisht vlerësimit të marrë, aktori rrëfeu se ende nuk ndihet plotësisht i sigurt me veten dhe se e ka të vështirë të jetë në qendër të vëmendjes si vetvetja, pa u fshehur pas një personazhi.
Wyle tregoi se bashkëshortja e tij, Sara Wells, me të cilën është martuar që prej vitit 2014, e ndihmoi t’a pranonte këtë vlerësim. Sipas aktorit, ajo ishte e kënaqur që çmimi pasqyronte shijen e saj, duke besuar se karakteri i tij, mënyra si sillet si bashkëshort dhe si baba, janë cilësi që ia vlejnë të vlerësohen.
Çifti ka një vajzë, Frances, e lindur në vitin 2015. Aktori ka gjithashtu dy fëmijë nga martesa e tij e parë me Tracy: djalin Owen, të lindur në vitin 2002, dhe vajzën Auden, të lindur në vitin 2005.
Wyle tregoi se reagimet e fëmijëve ndaj titullit ishin të ndryshme. Djali i tij e mori lajmin me pragmatizëm, duke i thënë se ky vlerësim do t’ia vështirësonte jetën, por duke e përgëzuar njëkohësisht. Vajza e madhe, nga ana tjetër, mbeti e habitur dhe, sipas aktorit, me siguri do ta ngacmojë për këtë titull për 50 vitet e ardhshme.
Ai foli gjithashtu për ish-kolegun e tij në serialin ER, George Clooney, i cili e ka fituar dy herë titullin “Mashkulli më seksi në botë”, në vitet 1997 dhe 2006. Wyle tha se shpresonte që Clooney ta priste lajmin me humor dhe të ndihej krenar për të, tashmë që ai ka hyrë në një fazë të re të jetës, me flokë të thinjura.
Edhe pse tashmë mban një nga titujt më të komentuar të revistës “People”, aktori pranoi se kjo nuk i ka zhdukur pasiguritë personale.
“Shpresoja që sot të ishte dita kur do të mund të thosha: ‘Shikoje veten, je mashkulli më seksi në botë. Më në fund mund të ndihesh rehat me veten’. Por ende jo”, u shpreh ai.
Aktori u bë i njohur gjerësisht për rolin e doktor John Carter në serialin e famshëm mjekësor ER. Ai u largua nga seriali në fund të sezonit të 11-të, në maj të vitit 2005, pas lindjes së djalit të tij.
Duke kujtuar atë periudhë, Wyle tha se atësia ishte ngjarja që i ndryshoi më shumë jetën. Në momentin kur mori djalin në krahë, kuptoi se jeta nuk kishte të bënte më vetëm me të, por edhe me fëmijën e tij. Ky ishte një nga momentet vendimtare që ndikuan në largimin e tij nga seriali.
Titulli “Mashkulli më seksi në botë” jepet nga revista “People” që prej vitit 1985, kur fituesi i parë ishte Mel Gibson. Ndër emrat e njohur që e kanë marrë këtë vlerësim ndër vite janë John Krasinski, Paul Rudd, Johnny Depp, Sean Connery dhe Denzel Washington.
Brad Pitt është një tjetër fitues i dyfishtë, pasi u shpall mashkulli më seksi në vitet 1995 dhe 2000. Ndërsa për Noah Wyle, ky vlerësim vjen pas suksesit të serialit “The Pitt”, duke i dhënë një tjetër dimension karrierës së tij të gjatë në televizion dhe Hollywood.

Top Channel