Realizoi portretin e Klevis Metajt që pushtoi rrjetet sociale, piktori zbulon bisedën me nënën e studentit: Ishte e frikësuar të…

26/10/2026 17:21

Piktori i njohur, Sani Bajrami, ishte sot i ftuar në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, ku tregoi se çfarë e shtyu që të realizonte portretin e studentit, Klevis Meta. Ky i fundit u arrestua gjatë protestave të dhunshme te Ministria e Arsimit dhe fotografia e tij u bë shumë virale në rrjetet sociale.

Teksa po fliste për portretin në fjalë, Bajrami u shpreh se me këtë pikturë ka dashur që të tregojë mijëra studentët e tjerë që ishin në protestë.

“Qëllimi nuk ishte si një portretet i vetëm, po secili të gjejë veten e vet aty. Nuk kam pritur këtë vëmendjen e madhe. Video është bërë nga motra ime, pasi pikturat i postoj pasi ti kem përfunduar. Motra kishte ardhur për vizitë dhe më tregoi videon dhe thashë pse mos të tregoj procesin”, vijoi piktori.

I pyetur nga moderatorja se çfarë e goditi më shumë te imazhi i Klevisit, Sani u shpreh se u përfshi në atë çfarë po ndodhte.

“Unë çdo herë jam në riprodhim për të qenë sa më i vërtetë. Ka ngjallur një emocion të shohësh një student me pranga, por ka qenë për çdo kënd emocionues. Qëllimi s’ka qenë që të jetë i ndarë”, tha piktori.

Bajrami tregoi edhe për momentin që nëna e studentit ka komunikuar me të.

“Ka qenë befasuese. Kuptova që ka qenë e frikësuar të më thoshte se ishte djali i saj. Ajo u shpreh se nga gjithë kjo ngjarje që është përfshirë djali i saj, vetëm kjo pikturë e ka lumturuar dhe shprehur dëshirën për të më takuar. Shpresoj t’a takoj se do të qëndroj disa ditë këtu”, tha piktori.

Ai vijoi duke thënë se mbeti i befasuar se çfarë e shtyu nënën që të mohonte se ishte djali i saj.

“Kjo protestë, pse duhet të kenë kaq shumë frikë studentët për të treguar pakënaqësitë e tyre”, tha ai.

Top Channel