Albion Marku do të nisë një aventurë të re në karrierë dhe do ta bëjë këtë nga Hungaria, aty ku është bashkuar me skuadrën e Gyor. Ka qenë vetë klubi hungarez që nëpërmjet rrjeteve sociale, zyrtarizoi marrëveshjen me mbrojtësin që sezonin e fundit ishte pjesë e Dinamos në Superiore.
Gyor, në sezonin e shkuar ishte në ligën e parë, por ia doli me sukses ta mbyllte kampionatin në vendin e dytë dhe këtë sezon do të luajë në superligën hungareze. Drejtuesit po marrin masat për kampionatin e ri dhe Albion Marku ka pasur besimin e hungarezëve.
Një hap mjaft i rëndësishëm në karrierë për 23-vjeçarin teksa kjo do të jetë eksperienca e dytë jashtë Shqipërisë për Markun pasi më herët, mbrojtësi ka luajtur edhe me kroatët e Lokomotivës.
Marku, që koleksionon edhe një ndeshje me kombëtaren e Shqipërisë në një miqësore të vitit 2022 ndaj Katarit, u shpreh mjaft i lumtur për transferimin te Gyor në Hungari.
“Jam shumë i lumtur që i bashkohem këtij klubi me shumë histori dhe që do të luftojmë së bashku në elitë. Çdokush në skuadër më priti mjaft mirë dhe ndjehem shumë komod. Shpresoj që të jap më të mirën nga vetja në sezonin e ri dhe kështu të ndihmoj skuadrën që të jetë e suksesshme”, u shpreh Marku.
Kujtojmë se sezonin e shkuar pjesë e Gyor ishte edhe Eneo Bitri që ishte huazuar te hungarezët nga klubi i Valerengës./ SuperSport
Njoftimi i klubit hungarez:
Top Channel