Mandas pret një penallti të Yeboah-s, më pas kapiteni (po ashtu nga 11 metrat) dhe holandezi i dhurojnë suksesin bardhekaltërve.

Pas atij gjysmë hapi fals në “Olimpico” kundër Milanit, Lazio i kthehet fitoreve në Serie A: në javën e pestë, bardhekaltrit sigurojnë suksesin e katërt duke mposhtur Venezian 2-0 në transfertën e “Penzo”-s.

Pas një qasjeje të mirë në fillim nga miqtë, në fakt janë vendasit ata që diktojnë ritmin e lojës në pjesën e parë. Pas çerek ore lojë vjen edhe rasti i artë: një kthim i gabuar i topit prapa nga Floriani, bën që Mandas të pengojë Correia-n në zonë dhe arbitri të tregojë menjëherë pikën e bardhë. Përballë portierit paraqitet Yeboah, por portieri grek shlyen gabimin e pak çasteve më parë duke e hipnotizuar sulmuesin vendas. Pjesa e parë mbyllet me rrjeta të paprekura, me një Lazio që gjithsesi shfaq vështirësi.

Në fillim të pjesës së dytë akordohet një tjetër penallti, por këtë herë në favor të bardhekaltërve: nga pika e bardhë godet Zaccagni, i cili nuk gabon dhe shënon golin e 1-0 në minutën e 51-të. Kalojnë vetëm nëntë minuta dhe skuadra e Gattuso-s e mbyll llogarinë e ndeshjes: asist nga Nuno Tavares për golin e 2-0 nga Noslin, që vulos takimin. Në gjysmëorëshin e fundit, të besuarit e Stroppa-s përpiqen të paktën të ngushtojnë diferencën, por pa sukses. Lazio ngjitet në kuotën e 13 pikëve në klasifikim, duke ndarë kreun me Interin dhe Romën. Venezia mbetet ende në zero pikë, pas humbjes së pestë radhazi.

Top Channel