I mbytur nga fërshëllimat, fillimi i sezonit për Tottenhamin e Roberto De Zerbit është një makth i vërtetë; vetëm 2 pikë të grumbulluara në 5 ndeshjet e para të kampionatit dhe tani janë 3 javë pushime nga pauza e ndeshjeve të kombëtareve ku do të ketë procese.

Edhe këtë fundjavë skuadra e Hotspurs u mund, këtë radhë nga Aston Villa. Një humbje që tërboi tifozët, por akoma më shumë vetë trajnerin. ‘Nuk mund të humbasim ndeshje në këtë mënyrë’-u shpreh trajneri italian.

Më pas De Zerbi bëri analizën e sfidës. ‘Jam shumë i zhgënjyer, i trishtuar dhe i frustruar për paraqitjen e skuadrës-tha tekniku italian-nuk mund të humbasim sfidën në këtë mënyrë, nuk mund të pësojmë golin e dytë kështu, nuk mund të humbasim ekuilibrin vetëm sepse jemi në disavantazh. Fola me të 4 sulmuesit tanë në minutën e 51, iu kërkova të vënë trurin në punë; gjatë gjithë pjesës së dytë iu thashë të ruanin qetësinë, por goli i dytë ishte i pabesueshëm’.

Episodi që solli shpërthimin e ish trajnerit të Marseille ishte goli i Nicolas Jackson. Sulmuesi senegalez shënoi pas një asisti direkt të portierit Zion Suzuki, një situatë për të cilën De Zerbi i kishte paralajmëruar të tijët.

‘E dinim që në këtë sezon, Aston Villa po luan më shumë me pasime të gjata në krahasim me sezonin e kaluar dhe kemi folur për këtë edhe në shumë mbledhje të skuadrës-tha De Zerbi-tani duhet të japim shpjegime për një tjetër humbje si ajo me Newcastle ku luajtëm mirë pjesën e parë, shkuam deri në minutën e 60 pa probleme dhe më pas humbëm’.

Top Channel