Ministri i Drejtësisë së Maqedonisë së Veriut, Krenar Lloga, ka zbuluar më tepër detaje nga kërkesa për ekstradimin e Lupço Palevskit nga Turqia, të dyshuarit për vrasjen e 14-vjeçares.
Ai tha këtë të enjte se institucionet tashmë kanë dorëzuar kërkesën për ekstradimin e të dyshuarit për vrasjet në Shkup dhe Veles, më 27 nëntor 2023, dhe se për këtë çështje ka biseduar me telefon edhe me homologun e tij turk, me qëllim të përshpejtimit të procedurës për dorëzimin e autorit të dyshuar.
“Besoj se në një kohë relativisht të shkurtër do të marrim një përgjigje pozitive, dhe i dyshuari do të jetë në mesin tonë për t’u përgjigjur për atë që ka ndodhur. Nuk mund të them se sa do të zgjasë procedura e ekstradimit në këtë moment, pa ditur procedurat në Turqi”, ka deklaruar Lloga.
Nëse ekstradohet, Palevskit do të dërgohet në paraburgim prej 30 ditësh, masë që i është caktuar në mungesë nga Gjykata Themelore në Shkup.
I dyshuari për vrasjen e dyfishtë, Lupço Palevski, më 5 dhjetor, ishte arrestuar nga policia turke në qytetin Balikesiri. Lidhur me vrasjet janë të dyshuar edhe tre persona të tjerë, që tashmë ndodhen në paraburgim, ndërsa hetimet janë duke vazhduar edhe për babanë e 14-vjeçares.
Trupi i pajetë i 14-vjeçares është gjetur të dielën në Shkup, ndërsa ai 74-vjeçarit është gjetur në Veles. Vanja Gjorçevska, ishte zhdukur më 27 nëntor, pas daljes nga shtëpia për të shkuar në shkollë.
Organet maqedonase të ndjekjes kanë bërë të ditur se motivi i vrasjes ishte përfitimi material nga e ëma e vajzës së vrarë.
Sipas policisë, viktima tjetër nga Velesi nuk kishte lidhje me vajzën, por kishte hesape të papastruara me një anëtar tjetër të grupit të dyshuar kriminal, dhe pas ekzekutimit të tij, të dyshuarit e kësaj vepre kanë marrë automjetin e tij me të cilin më pas kanë rrëmbyer 14-vjeçaren në Shkup, të cilën e kanë vrarë./ REL
Top Channel