Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar vendimin e Komunës së Tetovës të vitit 2007 mbi emërtimin e rrugëve nuk përbën vetëm një çështje administrative, por ka rihapur një debat të gjerë mbi identitetin, historinë dhe karakterin e shtetit.

Gjykata Kushtetuese ka miratuar vendimin me të cilin abrogohen emrat e rrugëve të miratuara në vitin 2007 nga Këshilli i Komunës së Tetovës. Vendimi është marrë me 5 vota “pro”, ndërsa dy gjyqtarët shqiptarë dhe gjyqtari turk kanë votuar kundër.

Iniciativa për këtë çështje ishte dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese nga Lidhja e Luftëtarëve nga Lufta Nacionalçlirimtare dhe Antifashiste e Maqedonisë 1941–1945, me argumentin se Këshilli i Tetovës kishte ndryshuar emrat pa pëlqimin e Qeverisë, në kundërshtim me Ligjin për emërtimin e rrugëve, shesheve dhe objekteve infrastrukturore, të miratuar në vitin 2004.

Në qendër të debatit ndodhen emra si “Iliria”, “Dëshmorët e Kombit”, “Dervish Cara” dhe “Kongresi i Manastirit”, të cilët për një pjesë të shqiptarëve të Tetovës përfaqësojnë jo thjesht emërtime rrugësh, por një proces të rëndësishëm politik pas Marrëveshjes së Ohrit dhe përpjekjeve për përfaqësim më të drejtë të historisë në hapësirën publike.

Nga ana tjetër, mbështetësit e vendimit të Gjykatës Kushtetuese argumentojnë se ndryshimet e vitit 2007 janë bërë në kundërshtim me ligjin dhe se rikthimi i emërtimeve të mëparshme përbën korrigjim të një procedure të paligjshme.

Këtë qëndrim e ka përshëndetur edhe ish-drejtori i Komisionit për Marrëdhënie me Bashkësitë Fetare dhe Grupet Religjioze, Darjan Sotiroski, i cili ka folur për rikthimin e emrave të mëparshëm si “Marshall Tito”, “Radovan Coniq”, “Ivo Ribar Lola” dhe “29 Nëntori”.

Por reagimet nuk kanë munguar.

Për partitë shqiptare dhe përfaqësues të tyre, ky vendim shihet si një goditje ndaj përfaqësimit historik në hapësirën publike. BDI e ka cilësuar zhvillimin si pjesë të një fushate kundër arritjeve politike të shqiptarëve, ndërsa Arbër Ademi ka folur për një “Gjykatë destabilizuese” dhe për kthim prapa në kohë.

Debati, megjithatë, shkon përtej një vendimi gjyqësor.

Tetova, e konsideruar shpesh si simbol i bashkëjetesës, po kthehet sërish në një pikë tensioni simbolik, ku emrat e rrugëve reflektojnë më shumë sesa orientim urban — ato shfaqin përplasjen e identiteteve dhe kujtesës kolektive.

Top Channel