Ramë Lahaj tregon si zbuloi talentin e tij në muzikë: Në vitet ’90, ne jetonim për të mbijetuar, kishte fukarallëk

02/12/2023 11:25

Tenori Ramë Lahaj ishte i ftuari i radhës në podcastin flasim të kryeministrit Edi Rama.

E quajti një tjetër yll të Shqipërisë, Kosovës, Shqiptarisë dhe si një zë i mahnitshëm, që si disa të tjerë zëra, por më pak i njohur si i tillë këtu në Shqipëri. Ramë Lahaj duke folur për rrugëtimin e vështirë të karrierës së tij kujtoi me respekt ndihmën e disa artistëve shqiptarë.

Ramë Lahaj: Kryeministër, fillimisht faleminderit shumë për ftesën. Faleminderit për kohën tuaj. Urime festat të gjithë shqiptarëve anë e kënd botës. Është vërtetë kënaqësi të vish në shtëpi dhe të festosh së bashku, paçka që shumë i lodhur dhe me pak orë gjumë, por gjithmonë është po them kështu, sakrificë që e kemi për detyrë ta bëjmë. Përsa i përket rrugëtimit për vite të tëra e kam provuar ta diskutoj mes miqsh kur kemi folur për rrugëtimet tona, kur fillimisht iu thosha që nuk kam shkuar as në kopsht sepse nuk kishte kopsht në fshatin ku isha rritur unë. Për shumë ishte periudha e viteve ’90 kur shkollat shqipe dhe po mbylleshin dhe gjithë shkollimi dhe i fillores, por dhe i shkollës së mesme ka qenë i improvizuar sepse mblidheshim nëpër shtëpi private siç e dini rrugëtimin e viteve ’90 të Kosovës. Pastaj në ’99 ngaqë lufta na kishte ardhur në shtëpi edhe sigurisht e ndihmonim luftën gjithsecili në formën e vet, por edhe unë si 15 vjeçar edhe pse isha kaq i gjatë sa jam sot, dashje pa dashje kam qenë pjesë e saj.

Kam kaluar dhe e njoh dhimbjen në palcë të gjithë atij rrugëtimi edhe pse si fëmijë. Pastaj pas asaj kur u kthyem nga Shqipëria për në shtëpi, në Kosovë filloi lufta tjetër pas një kohe në Maqedoni dhe si mllef i kësaj të parës, ishim të vegjël, u bëmë disa shokë për ta ndihmuar atë luftën e dytë që ishte sot kur e mendoj, si duket mllefi, dhimbja ngarkesa ishte shumë e madhe dhe mendonim sikur po kontribuonim e po bënim diçka. Gjithësi kam vazhduar pas luftës një shkollë që kisha nisur para luftës, një shkollë që ishte një drejtim i ri sepse ishte fundi i viteve ’99 edhe filloi atëherë një drejtim i ri që ishte për IT, që nuk kisha lidhje fare.

Edi Rama: Para se të shkosh te shkolla, ndërkohë një gjë tjetër për t’u nënvizuar nga konteksti social dhe familjar është që në familjen tënde nuk ka asnjë që të ketë kënduar apo që të jetë ngjitur në skenë. Dhe ti je nder 8 fëmijë, në mos gabohem.

Ramë Lahaj: Jam i 8-i, jam i fundit. Realisht unë të dy prindërit i kam pasur bujq, të dy kanë qenë me vetëm 4 klasë shkollë, por i gjithë rrugëtimi im ka qenë nga mësimi që kam marrë nga ato katër klasë të shtëpisë, të familjes. Unë kam pasur privilegjin si fëmija më i vogël, i teti në radhë realisht t’i mbaroja studimet në Akademinë e Arteve dhe kjo ka qenë një lloj shtyse sepse vija pa background muzikor, gjithsesi talenti ishte sepse unë jam malësor në një farë forme. Ne jemi nga Rugova e Pejës. Jo, në familje përveç meje s’kemi pasur fare lidhje as me artin as me kulturën.

Në vitet ’90, ne thjeshtë jetonim për të mbijetuar dhe fukarallëku që kishim, por dhe gjithë rrugëtimi tonë prandaj e lidha shumë shpejt me mbas luftën ku unë mbarova shkollën si IT që s’kishte fare lidhje se tipi im është shumë energjik, unë kam nevojë të dal, të jem aktiv, jo të mbyll ditën para një kompjuteri që bën zhurmë gjithë ditën. Pas mbarimit të shkollës së mesme, pas lufte kam pasur një vakum dy vjeçar ku nuk dija çfarë të bëja sepse nuk kisha bagazhin për të studiuar shkencën, por dhe e kisha emrin Ramë për t’ju bashkangjitur estradës, por e them kështu.

Edi Rama: Ke pasur dhe një veçanti apo një devijim tjetër nëse mund ta quaj kështu, që muzikën e ke filluar pak vonë në krahasim me të tjerët, kam parasysh kolegët e tu, koleget e tua që janë pjesë e këtij grupi yjesh po themi të kombit tonë në skenë, që e kanë filluar më herët. Ti madje ke pasur dhe një moment që ke filluar punë në radiotelevizion.

Ramë Lahaj: Jo televizioni ka ardhur mbrapa. Unë kam qenë diku dhe për faktin e luftës, edhe shkolla e mesme ishte zvarritur. Unë kam qenë diku në moshën 21 vjeçare kur kam filluar po them eksperimentimin se çfarë dua të studioj, çfarë dua të bëj. Dhe në atë periudhe pedagogët e parë që kam takuar, madje atëherë bëhej dasma Arbëreshe në Prishtinë. Ka qenë dhe profesor Kastriot Tusha dhe unë po i vrapoja mbrapa për t’i marrë një mendim në qoftë se kam vërtete zë për të studiuar në muzikë sepse më dukej sikur muzika ishte më e kollajtë se shkon e bërtet dhe mbaron. Kështu që, gjithë takimet e para me pedagogë kanë qenë gjithmonë, ky ka qenë komenti që je shumë vonë.

Në qoftë se fillon të mësosh solfezhin në moshën 21 vjeç, domethënë duhet marrë 2-3 vjet leksione private për të filluar Akademinë, e kështu me radhë. Gjithsesi mua aty më janë ndezur motorët sepse si i ardhur nga provinca, të thuash mirë që ke kaluar një herë ato dhe pastaj të thuash nuk mundesh dhe nuk bëhesh në një farë forme intrigohesh dhe prekesh në sedër dhe ti pastaj fillon dhe i ndez gjithë motorët. Ky ka qenë momenti kyç. Për fat të mirë kam gjetur mbështetje shumë të madhe në Akademinë e Arteve në Tiranë.

Edi Rama: Para së të vijmë aty, jam kurioz shumë për momentin kur, mbase s’ka qenë një moment, mbase kanë qenë disa momente kur e ke ndarë këtë dëshirë të bërtisje me familjen. Si të kanë parë? Të kanë parë sikur e humbëm dhe këtë djalë që luftuam kaq shumë për ta bërë 1,2,3,4,5,6,7 dhe i 8-i i vërteti dhe pastaj si reaguan kur e ndave me ta këtë lajm kaq të dhimbshëm?

Ramë Lahaj: Në fakt në shtëpi apo në familje gëzim i madh ishte sepse unë një fëmijë “rebel” shumë energjik kisha vendosur të studioja dhe ky ishte gëzim më i madh për ta. Pastaj kisha vendosur në një kohë kur familjarisht kishim mundësi për ta suportuar sepse i kisha të gjithë motrat e vëllezërit nëpër Europë dhe kishin mundësinë e dëshirën për të suportuar, për të ndihmuar. E rëndësishme ishte që kisha dëshirë të studioja diçka. Ai fëmijë rebel, edhe babai e kishte problem ta besonte, gjithsesi kur kanë ardhur për të bërë shfaqjet e para sepse ndoshta tani po dal prapë nga kronologjia e muhabetit, kur kanë ardhur për të parë shfaqjet e mia të para ka qenë në Mynih. Madje në atë periudhë këndoja në Cuvilliés, një teatër shumë i rëndësishëm aty bashkë me Ermonelën. Bënim një aktivitet për shqiptarët për të mbledhur fondet për një organizatë që ndihmonte fëmijë të dalë nga lufta. Dhe nga rrugëtimi im që kisha filluar nga 2003, ata më kanë parë për herë të parë diku në 2009 dhe ishte një botë e re për ta. Nëna ishte pak konfuze sepse një njeri që bërtiste me korin, nuk merrte vesh asnjë gjë, por gjithsesi i gëzoheshin suksesit.

Edi Rama: Pastaj vendose të fillosh Solfezhin në moshë madhore dhe t’i hysh kësaj rruge. Kur fillove ta ndjesh që kjo ishte gjëja?

Ramë Lahaj: Në fakt mbase kam dështuar në audicionin e parë të Akademisë së Arteve për ato 3, 4, 5 muaj që kisha filluar të punoja me pedagogë, qoftë pak në solfezh, qoftë pak në kanto që unë jam dhe sot e kësaj dite shumë falënderues sepse vërtetë të më vijë mua sot një talent i ri me gjithë këto kualitete do ta kisha të vështirë të gjeja forcën ta suportoja me gjithë ato mungesa në një moshë të tillë, kështu që ka qenë pas dështimit të audicionit të parë të Akademisë së Arteve. Pastaj audicioni i dytë ka qenë pas 6-7 muajsh nëse nuk jam gabim dhe i jam futur studimit dhe në proces e sipër edhe ndihma po dhe vokali po zhvillohej dhe për mua ishte akoma interesante për të kuptuar dhe për të realizuar si një qenie humane mundej të nxirrte një vokal që ishte më shumë sesa normale që unë kisha dëgjuar edhe pse vija nga një zonë që komunikonim me dorë pas veshit.

Edi Rama: Dhe ajo periudha e studimit në Akademinë e Arteve ishte një periudhë pa ndonjë akses në sensin e ndonjë dallimi apo fillove të dallohesh që aty?

Ramë Lahaj: Realisht po. Gjithmonë vokali më kanë dhënë shumë përparësi, edukata ime para vokalit, qasja me njerëzit dhe pedagogët më kanë dashur. Për ne po e përsëris, nëqoftëse në programin e Akademisë kanë qenë dy leksione në javë, unë kam bërë 3-4 sepse pedagogët kanë dashur të më mbështesin, e kanë kuptuar dhe mungesën, por kanë kuptuar dhe kualitetin dhe realisht shumë shpejt më është dhënë mundësia atëherë të bëja koncerte me Radio Televizionin Shqiptar që unë akoma nuk e kuptoja konceptin e orkestrës së madhe, sepse me pianon pak isha adaptuar, por që në gjithë këtë proces unë kam qenë në kontakt me studimin pothuajse 24 orë sepse mungesa ishte shumë e madhe. Pas kësaj unë jam kthyer në Prishtinë për të filluar punën në televizion, ku i jam kthyer prapë PR, marketingut.

Edi Rama: Domethënë pate një moment pauze?

Ramë Lahaj: Po pas Akademisë së Arteve kam patur një moment pauze. Në fakt më kishte dalë një dirigjent gjerman që erdhi në Opera atëherë. Donte të më jepte një bursë për të bërë një master në Gjermani. Shkova, nuk më pëlqente shumë, nuk ishte ajo që kërkoja, ajo teknika italiane dhe e kisha lënë dhe isha kthyer në Prishtinë. Në Prishtinë si opsion i vetëm ishte televizioni, sepse në atë periudhë ndodhej vetëm filarmonia e Kosovës. Ajo kishte një kor, nuk e gjeja veten. Dhe kam filluar të punoja në televizion dy vjet për fatin tim shumë të mirë të, ku kam mësuar dhe shumë PR e televizioneve, nga prodhimi i emisioneve dhe shumë gjëra të tjera.

Edi Rama: Kjo zgjati edhe dy vjet në mos gabohem?

Ramë Lahaj: 1 vit e gjysmë afërsisht derisa prapë nga dora e shqiptarëve të tjerë, miq besoj shumë të përbashkët tanë, si Ermonela Jaho, Fadil Berisha, Sajmir Pirgu po ashtu, në takimet e tyre për punët e tyre ose “shooting” që i kam pasur për projekte të përbashkëta, Ermonela i thotë Fadilit që kam një djalë në Kosovë që ka kualitete shumë të mira, po s’kam asnjë kontakt. Dhe kështu ka filluar nga Ermonela tek Fadili, nga Fadili tek televizioni sepse kishte mik që unë punoja dhe shefen time të asaj kohe. Pastaj tek Inva Mula, pastaj tek Sajmiri që më jep dorën e artë për të vazhduar karrierën.

Edi Rama: Dhe cili ishte pastaj momenti i parë jashtë Kosovës ku u ngjite në skenë?

Ramë Lahaj: Edhe kjo ka qenë një rrugëtim që e ka pasur atë lloj sfide, ku vetëm forca dhe vetëbesimi i brendshëm që unë mund ta bëja, më ka mbajtur gjallë po themi, për ta vazhduar ëndrrën përpara. Në produksionin tim të parë që kisha bërë në një audicion në Gjermani, pas tre javëve, domethënë kisha bërë audicionin, më kishin dhënë rolin dhe kisha filluar provat. Pas 3 javësh unë s’isha akoma gati, pavarësisht kualiteteve, nuk isha gati as për skenën, as për aspektin muzikor dhe vjen drejtori e më thotë, me gjithë dëshirën për të të suportuar, për të ndihmuar nuk po funksionon, domethënë ke akoma shumë kohë. Edhe pse kisha studiuar për rolin 3 muaj, një pedagog që punoja atëherë në Itali, ishte edhe pedagogu i Sajmirit. Jam kthyer prapë, e kam rimarrë dhe njëherë edhe gjithë teknikën, gjithë gjërat në këtë rrugëtimin tim, gjërat që mungonin sepse nuk vija nga një feedback muzikor, edhe kam filluar në Gjermani prapë në një teatër më të vogël që është afër Hamburgut dhe pastaj për 3-4 vite pothuajse, kam bërë xhiro në teatrot më të rëndësishëm të asaj kohe.

Kryeministri Edi RamaPo ça ndodhi konkretisht me këta që thua se të dhanë dorën? Çfarë bëri Ermonela për ty? Çfarë bëri Sajmiri për ty? Çfarë bëri Inva për ty?

Ramë Lahaj: Po fillimisht po të mos ishte Ermonela që kishte parë një koncert tek Radio- Televizioni i Kosovës, nuk do të shkonte muhabeti tek Fadili që është një mik i madh i shqiptarëve dhe unë kam privilegjin ta kem mik, i cili nuk ka lënë shqiptar të ekranit po them, pa ndihmuar kur ka pasur mundësinë dhe Fadili ishte në bashkëpunim shumë të afërt me Invën, i kishte bërë dhe asaj një llaf, pastaj njeriu i vetëm që e njihte shumë mirë dhe kualitetin tim vokal ishte Sajmiri dhe Sajmiri në atë periudhë po këndonte në teatrin më të rëndësishëm të Europës, domethënë ishte dora më e kollajtë sepse e dinte saktë çfarë më mungonte në natyrën e vokalit të një tenori dhe në atë periudhë më çon tek një pedagogu i tij dhe një menaxher që e kishte ndihmuar atë në fillim dhe kaq mjaftonte, sepse pjesën tjetër të punës pastaj e kisha vendosur shumë kohë më përpara që duhej të luftoja për të.

Edi Rama: Më pas u ngjite në të gjitha skenat besoj, nuk të ka ngelur ndonjë skenë pa pushtuar nga këto të mëdhatë?

Ramë Lahaj: Jo, realisht kam jetuar diku tek 98% e asaj që kam ëndërruar, jo vetëm në aspektin profesional, përgjithësisht.

Edi Rama: Po pse 98%? Ça është ky 2%?

Ramë Lahaj: Se ka një 2% që e bën më interesant 98% tjetër.

Edi Rama: Që është?

Ramë Lahaj: Krijimi i familjes, një rrugëtim tjetër i ri.

Ramë Lahaj tregoi edhe një element tjetër që i ka bërë përshtypje në Kosovës.

Ramë Lahaj: Ideja është këtu sepse në Kosovë ka një lloj trendi ku shoh më shumë xhami se sa kopshte, shkolla fëmijësh. Pra ka një lloj tendence që është e panevojshme. Këtu lidhet për ta treguar sa i rëndësishëm ka qenë rrugëtimi në raport me besimin, thjesht për faktin që kam qenë i lirë.

Edi Rama: Unë personalisht nuk shoh problem në ndërtimin e xhamive apo kishave të reja, unë shoh problem në estetikën e tyre. Se për shembull xhamia e Plumbit në Shkodër që është një kryevepër, nga pikëpamja arkitektonike është një kryevepër, pa diskutim është moderne aq sa është klasike. Apo xhamia e Peratit është një tjetër e mahnitshme. Ka plot raste ku t’i thuash që Zoti dhe fati i ka shpëtuar nga ajo dora e llahtarshme e shkatërrimit të fundit të viteve ’60 këtu në Shqipëri. Pastaj ka raste kur sheh investime që bëhen e xhami që mbillen pa një sens estetik dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse e bukura është gjëja më e rëndësishme sipas meje në jetën komunitare dhe prania e të bukurës bën diferencën dhe shija, estetika.

Ti mund të kesh 1001 paragjykime, por kur je përballë një xhamie të bukur këputesh. Që do të thotë problemi nuk është xhamia në vetvete, problemi është si është ndërtuar dhe çfarë të thotë. Për mua, është shumë e rëndësishme që çdo objekt kulti që ndërtohet, se nuk po hyj të tregoj problemet që kam pasur unë dhe polemikat që kam pasur në këtë fushë me aktorë të ndryshëm, është absolutisht e rëndësishme të mos harrohet që një objekt kulti, brenda i shërben besimtarëve, por prania e tij, pamja e tij, i shërben të gjithëve dhe edhe një ateist apo një i një feje tjetër duhet të gjejë një gjë që e lidh, që e tërheq, që e ngit me atë objekt.

Top Channel