Rrëshqitja e dherave në kodrën e Currilave, nis ndërhyrja/ Forcat e Armatosura largojnë pishat, zona mbetet e izoluar

08/06/2026 12:41

Pas emergjences së krijuar nga rrëshqitja e dherave në kodrën e Currilave në Durrës, këtë të hënë kanë nisur ndërhyrjet në terren për menaxhimin e pasojave dhe garantimin e sigurisë në zonë.

Forcat e Armatosura, të mbështetura nga shërbimi zjarrfikës dhe ndërmarrjet e Bashkisë së Durrësit, kanë nisur largimin e pishave të dëmtuara, të cilat kanë rënë mbi pallat dhe biznese.

Ndërhyrja është vendosur nga ekspertë të Institutit të Ndërtimit dhe Shërbimit Gjeologjik Shqiptar. Pas përfundimit të kësaj faze, ekspertët do të vlerësojnë situatën në terren për të përcaktuar mënyrën e ndërhyrjes për largimin e masave të dheut të rrëshqitura nga kodra.

Më pas do të realizohet një vlerësim i plotë teknik, i cili do të shërbejë për përcaktimin e masave konkrete për trajtimin dhe stabilizimin afatgjatë të zonës.

Sipas Emergjencave Civile pranë Prefekturës së Qarkut Durrës, zona do të vijojë të mbetet e rrethuar dhe nën monitorim të vazhdueshëm. Perimetri i sigurisë do të ruhet për të shmangur çdo incident të mundshëm, pasi terreni kodrinor nuk paraqet ende qëndrueshmëri të plotë.

Ekspertët do të jenë ata që do të vendosin se kur banorët do të mund të rikthehen në apartamentet e tyre. Ndërkohë, për zgjidhjen afatgjatë të problemit pritet të kryhet një studim i thelluar gjeologjik dhe gjeo-teknik, i cili do të përcaktojë ndërhyrjet dhe investimet e nevojshme për stabilizimin e zonës.

 

Top Channel