Pallati i Kongreseve me kullë, Pierre de Meuron zbulon projektin fitues, premton një qendër të gjallë në zemër të Tiranës

08/06/2026 15:18

Pierre de Meuron, arkitekti i njohur, themeluesi i studios së famshme arkitekturore Herzog de Meuron me bazë në Bazel të Zvicrës, është autori i projektit fitues për rijetëzimin e Pallatit të Kongreseve.

“Jemi shumë të lumtur që e kemi fituar këtë projekt dhe shpresojmë që ai të realizohet së shpejti”, tha Pierre de Meuron.

Arkitekti shprehet se ka analizuar strukturën ekzistuese të fundviteve ’80 me qëllim ruajtjen e autenticitetit të godinës dhe më pas zgjerimin e saj me gjashtë salla të reja konferencash me kapacitet të përgjithshëm prej rreth 1.600 personash, me shtimin e një pylli urban dhe, pas godinës, një kullë 260 metra të lartë për hoteleri dhe zyra me gjeometri unike, që krijon perceptime të ndryshme të kullës nga pjesë të ndryshme të qytetit.

“Do ta kthejmë në një vend ku njerëzit do të ndihen të mirëpritur, do të ftohen të hyjnë në pallat, të takohen dhe të shkëmbejnë ide. Do të jetë një vend publik shumë i gjallë. Kështu, kjo ndërtesë mund të marrë pjesë shumë më tepër në jetën publike dhe në hapësirën urbane të Tiranës”, tha Pierre de Meuron.

Duke folur për zhvillimin urban të Tiranës dhe Shqipërisë në tërësi, arkitekti zviceran thekson nevojën për të përshtatur kërkesat për shtimin e hapësirave me ruajtjen e identitetit historik dhe peizazhit natyror.

“Shqipëria po rritet, prandaj ka nevojë për më shumë hapësira për të jetuar, për të punuar, por edhe për t’u çlodhur. Të kuptosh çfarë duan njerëzit dhe t’u përgjigjesh këtyre nevojave si urbanist apo arkitekt, mendoj se do të jetë sfida dhe fokusi kryesor në vitet e ardhshme”, tha Pierre de Meuron.

Studio arkitekturore “Herzog de Meuron” ka realizuar disa prej projekteve më të njohura në botë, përfshirë Muzeun Kombëtar të Greqisë, Muzeun e Kulturës në Bazel apo qendrën kërkimore të AstraZeneca.

Top Channel