Një pjesë e Shqipërisë udhëtoi drejt Skocisë përmes muzikës, këngëve dhe valleve tradicionale.
Për herë të parë, Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore u ngjit në një skenën Skoceze, përmes koncertit artistik “Shqipëria në sytë e Bajronit”, i mundësuar nga Empowered Women of Diaspora.
Në sallën historike Assembly Rooms në Edinburg, artistët sollën për publikun shqiptar, skocez dhe atë ndërkombëtar një pjesë të pasurisë sonë kulturore. Përmes këngëve, valleve, kostumeve popullore dhe interpretimit skenik, u përcollën traditat dhe identiteti shqiptar, në një mbrëmje që ndërthurte artin me historinë dhe figurën e Lord Bajronit
Spektaklit iu dha edhe një dimension historik dhe artistik përmes figurës së poetit anglez Lord Bajron dhe lidhjes së tij me Shqipërinë. Historia e tij u soll në skenë përmes interpretimit të aktorit Robert Wilton, i cili mishëroi figurën e poetit, duke ndërthurur artin skenik me trashëgiminë historike shqiptare.
Realizimi i këtij projekti u mbështet edhe në bashkëpunimin institucional, me synimin për të promovuar kulturën shqiptare dhe për të forcuar lidhjet me diasporën.
Pas këtij projekti qëndronte një punë e gjatë artistike dhe organizative.
Vallet tradicionale, lëvizjet karakteristike dhe interpretimi skenik ishin pjesë e rëndësishme e këtij rrugëtimi artistik, duke sjellë në skenë ritmet dhe veçantitë e trevave të ndryshme shqiptare.
Për valltarët, kjo paraqitje në Edinburg ishte një tjetër mundësi e jashtëzakonshme.
Në përfundim, duartrokitjet e publikut shoqëruan një mbrëmje që bashkoi shqiptarët dhe të huajt përmes artit. Një prezantim që e çoi Shqipërinë përtej kufijve të saj, duke dëshmuar se kënga, vallja dhe trashëgimia kulturore mbetën një gjuhë që kuptohej kudo.
Ngjarja që më herët u organizua edhe në Londër u mundësua nga Empowered Women Of Dispora, në bashkëpunim me Agjensinë Kombëtare të Diasporës dhe mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit si dhe Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Top Channel