Mbrojtja e trashëgimisë kulturore duhet të shihet si një prioritet i përbashkët institucional dhe secili prej nesh ka përgjegjësinë për ta mbrojtur atë.
Me këtë qëllim u mbajt në Tiranë një tryezë kombëtare me përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të fushës për të diskutuar mbi mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe luftën kundër trafikimit të paligjshëm.
“Një nga mesazhet më të forta që ka dalë nga ky proces është se trafikimi i paligjshëm i trashëgimisë kulturore nuk është vetëm çështje e institucioneve të kulturës, është një problem që kërkon bashkëpunimin e policisë, doganave, prokurorisë, institucioneve arsimore, komuniteteve lokale dhe partnerëve ndërkombëtarë”, tha Elena Mamani.
Projekti i zbatuar nga Trashëgimia Kulturore pa Kufij – Shqipëri, me mbështetjen e Programit të Granteve për Zbatimin e Marrëveshjes për Pronën Kulturore të Departamentit Amerikan të Shtetit, përfshiu vlerësime të sigurisë në sitet arkeologjike të Apolonisë, Bylisit dhe Antigonesë.
“E vizitova për herë të parë Apoloninë pak pasi mbërrita në Shqipëri dhe, si dikush që ka studiuar histori, u preka nga pesha e historisë që na rrethon këtu në Shqipëri. Trashëgimia juaj tregon historinë e qytetërimeve që formësuan Evropën dhe Mesdheun. Duke punuar së bashku për të luftuar trafikimin, ne po sigurojmë që kjo histori të vazhdojë, e mbrojtur, e ruajtur dhe e vlerësuar”, tha Zëvendësambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Kathryn Hammond.
Përfaqësues të Ministrisë së Kulturës pohuan problemin me gërmimet e paligjshme në vend, ndërsa luftën kundër trafikimit të paligjshëm të pasurisë kulturore e vlerësojnë si mbrojtje të potencialit tonë për zhvillim.
“Një nga sfidat më të mëdha me të cilat vazhdimisht përballemi vazhdon të jetë fenomeni i gërmimeve të paligjshme. Çdo ndërhyrje e pakontrolluar në një sit arkeologjik shkatërron informacione të pazëvendësueshme historike”, tha Zëvendësministrja në MTKS, Marinela Prifti.
Të pranishmit theksuan se mbrojtja e trashëgimisë kulturore është thelbësore për të kuptuar historinë dhe se artefaktet dhe sitet arkeologjike janë pjesë e një trashëgimie të përbashkët.
Top Channel