Nga mbrojtja e trashëgimisë, tani tek ekonomia e kulturës, kjo është strategjia për kulturën 2026-30.
Draft/projekti i publikuar për konsultim publik nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit synon ta shndërrojë kulturën në Shqipëri në një infrastrukurë kulturore dhe investim publik.
“Kalojmë nga një moment administrimi apo mbijetese te institucione që janë në menaxhim të një niveli modern strategjie, që përveç financimit publik, ka bashkëfinancim me privatët”, u shpreh ministri Blendi Gonxhe.
Ky draft ka qëllim të kthejë Shqipërinë në qendër kulturore të Ballkanit Perëndimor, me tërheqjen e artistëve të huaj, qarkullimin e krijimtarisë shqiptare jashtë vendit dhe përhapjen e jetës kulturore edhe në zonat rurale.
“Një vend, që ka cilësi të lartë jetese, ku kultura është thelbësore, është një vend që ka më pak rrezik për shpopullim”, tha Gonxhe.
Dokumenti konsideron të domosdoshëm digjitalizimin e muzeve dhe arkivave.
“Jemi mbrapa në këtë pikë dhe duhet të punojmë shumë për digjitalizimin”, shtoi ministri.
Strategjia parashikon statusin e artistit, reformën më të madhe në kulturë, me mbrojtje sociale, njohje profesionale dhe trajtim fiskal më të drejtë. Po ashtu, zhvillimin e industrive krijuese si: filmi, animacioni, artizanati bashkëkohor.
Drafti është hartuar me mbështetjen e Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS) dhe Fondacionin Santagata dhe është publikuar për konsultim për faqen e konsultimeve publike dhe deri në 22 qershor, grupet e interesit, artistët dhe qytetarët mund të japin propozimet e tyre.
Top Channel