Nga talenti më premtues në i pastrehë/ Historia e trishtë e yllit të bluve: David Luiz e kuptonte që pija alkool

06/06/2023 11:59

Në moshën 19-vjeçare, Jacob Mellis ishte pjesë e Chelseat dhe konsiderohej si një nga talentët më premtues të Bluve të Londrës.

Por, sot kur është në moshën 32-vjeçare dhe i tërhequr nga futbolli, historia e Mellis është krejtësisht ndryshe nga sa mendohej. Mellis është aktualisht i pastrehë, pa asnjë të ardhur financiare ndërsa në një rrëfim të fundit për Mail Sport, 32-vjeçari zbulon se alkooli i shkatërroi karrierën. Mellis zbuloi se shumë persona tentuan ta rikthenin në rrugë të drejtë, por në atë kohë ai nuk dëgjonte dhe nuk pranonte këshilla nga askush.

“E kaloj çdo ditë duke menduar se ku do të shkoj, kam familje por nuk dua të bëhem një barrë për ata. Dua t’ia dal vetë edhe pse është e vështirë. Nuk dua të mendoj shumë dhe mundohem të ringrihem. E di se familja dhe miqtë duan më të mirën për mua, por në fund të fundit edhe ata kanë jetën e tyre. megjithatë, sërish më ndihmojnë kur më paguajnë hotelin apo më ofrojnë një vend për të fjetur. Ndonjëherë qëndroj edhe në shtëpitë e tyre.

Por, nuk kam asgjë të garantuar. Është shumë e vështirë sepse nuk e mendoja asnjëherë se kjo do të ishte jeta ime. Alkooli më ka shkaktuar shumë probleme gjatë karrierës, sepse kur je i pirë nuk je më në kontroll të asgjëje. Ndikon në stërvitje, trajnerët nuk janë të lumtur. E mbaj mend kur shkova njëherë i dehur në stërvitjen e Chelseat, isha vetëm 19-vjeç.

David Luiz nuk fliste mirë anglishten, por e kuptoj menjëherë dhe nisi të më fliste me shenja. Më tha se duhej të mos vazhdoja me alkoolin. Edhe Ashley Cole u mundua të më rikthente në rrugën e duhur, por në atë periudhë nuk dëgjoja askënd. Isha mendjemadh dhe arrogant.

I bëra të keqes vetes dhe jo Chelseat, pasi ata janë një klub i madh dhe vazhdojnë rrugëtimin e tyre pavarësisht lojtarëve që largohen. Tani që jam tërhequr, jam penduar shumë. Nuk isha i vetëdijshëm për talentin tim, nuk besoja te vetja”, përfundoi Mellis.

Top Channel