“Mos rreziko”, Verstappen injoroi sërish urdhrat e skuadrës në Çmimin e Madh të Spanjës

06/06/2023 17:00

Max Verstappen triumfoi për herë të pestë nga shtatë gara të zhvilluara këtë sezon teksa në Çmimin e Madh të Spanjës, piloti holandez u nis nga vendi i parë dhe rezultoi i pakapshëm gjatë gjithë garës për kundërshtarët.

Për ta bërë disi më interesante garën e tij, dy herë Kampioni i Botës kërkoi që përveç fitores dhe 25 pikëve të garantuara, të regjistronte edhe kohën më të mirë e kësisoj të koleksiononte edhe pikë ekstra.

25-vjeçari komunikoi me inxhinierët e skuadrës të cilët i pyeti nëse e mbante ai kohën më të shpejtë. Sapo kuptoi se koha e tij nuk ishte më e shpejta, Verstappen nisi të xhironte më shpejt në pistë. Në fakt, inxhinierët e këshilluan të mos rrezikonte shumë pasi kishte kaluar tre herë limitin e pistës dhe në rast të një tjetër përsëritje atëherë do të merrte një penalizim prej pesë sekonda.

Por, holandezi nuk i dëgjoi mekanikët dhe e shkeli gazin në maksimum për të marrë edhe pikë ekstra. Pas garës, këshilltari i RedBull, Helmut Marko theksoi se është e pamundur ta ndalosh Verstappen në pistë dhe se shpeshherë piloti merr vendime sipas mendjes së tij.

“Nuk ishte nevoja për xhiron e shpejtë, por askush nuk mund ta ndalë Verstappen. Kishte marrë tre paralajmërimi për tejkalimin e limiteve të pistës dhe nuk kishte arsye të rrezikonte. Por, çfarë të bëjmë, ne nuk mërzitemi dot me Verstappen”, u shpreh Helmut Marko.

Nga ana tjetër, Verstappen theksoi se e dinte mirë potencialin e makinës së tij dhe se pas garës, e morën me te qeshura me këshilltarin Helmut Marko./ SuperSport

Top Channel