Largimi i Maldinit zhgënjen kuqezinjtë, Leao reagon në rrjetet sociale

06/06/2023 15:18

Largimi i dyshes Maldini-Massara nga Milani ishte një rrufe në qiell të hapur për të gjithë, qofshin tifozët, por edhe futbollistët, që kanë mbetur të befasuar nga vendimi i pronarit të klubit Gary Cardinale.

Një nga futbollistët që është zhgënjyer më së shumti, është padyshim Rafael Leao, i cili pas shumë negociatash me Paolo Maldinin dhe garancish se Milani do të jetë konkurrues, firmosi rinovimin e kontratës të premten.

Mjaftoi një emoji në Twitter, që të shprehte të gjithë zhgënjimin e sulmuesit anësor portugez, i cili kishte mundësinë të largohej këtë verë, por u bind të qëndrojë pikërisht nga Maldini, që tashmë është larguar vetë nga kuqezinjtë.

Ndërkohë burime brenda klubit bëjnë me dije se edhe senatorë të tjerë si Theo Hernandez, Mike Maignan, etj., kanë mbetur të zhgënjyer dhe janë rreshtuar në anën e dyshes Maldini-Massara.

Ndryshimet në drejtim vijnë në një moment aspak të përshtatshëm për klubin kuqezi, pasi Maldini dhe Massara kishin nisur punën për të ndërtuar skuadrën për sezonin e ri dhe tashmë të gjithë planet rrëzohen.

Në rastin më të mirë, Milani do të vonohet jo pak në organizimin për sezonin e ri dhe në rastin më të keq, mund të përballet me kërkesën e titullarëve kryesorë për t’u larguar.

Top Channel