Lakmia apo dashuria e hershme e italianëve për Vlorën, por jo vetëm, duket se është rizgjuar. Historia po përsëritet.

Tanimë ngjan më ato dashuritë e sinqerta, pa interesa shtetërore në mes, pa politika e taktika për zaptim territoresh më luftë e pushtim, por me iniciativa individuale të shtetasve italianë që duket se  zbulojnë një vend ku u ofrohet  një  mundësi e mirë për të jetuar me ushqim dhe akomodim te mirë dhe të lirë për ta, pranë detit dhe pa stres. Të paktën këto janë argumentet me të cilët ftojnë njëri tjetrin duke e konsideruar Shqipërinë si ishulli i lumturisë.

 “Unë do ta quaja  ishulli i lumturisë .Tani në këtë moment, ndodhem në hapësirën që quhet plazhi i vjetër. Përballë kemi gadishullin e Karaburunit, shiko po ta tregoj . Në këtë moment deti është më se i qetë, është  një lagunë e mrekullueshme, një plazh fin. Por kjo është më shumë në aspektin gjeografik, turistik. Por Shqipëria nuk është vetëm  aspekti gjeografik  e turistik. Shqipëria është Itali për mua. Për të qenë i sinqertë, gjendem shumë më mirë në Shqipëri se sa në Itali. Kështu që mund t’ua tregosh miqve  tanë që duan të vijnë nga Italia këtu”, tha italiani.

Gazetarja Alma Demiraj:Po e ftoni mikun tuaj të vijë në Shqipëri? Përse?

“Sepse Shqipëria është kulturë, Shqipëria është histori, Shqipëria është zhvillim në këto momente , një zhvillim që sipas meje në 30 40 vitet e ardhshme do të shndërrohet  si Zvicra e  Balkanit”, tha ai.

“Dëgjo Karlo, mua më ndodh diçka ..Kur iki nga Italia më vjen të qaj, sepse nostalgjia është melankoli, ,por kur unë lë Vlorën për të ardhur në Itali qaj dy herë sepse më vjen melankolia dhe malli  dhe kjo është një mrekulli. Mund të them se ndihem italian dhe shqiptar në të njëjtën kohë”, shtoi ai.

Historia duket se po rrotullohet në kah të kundërt. Kanë kaluar tashmë gati 32 vite, kur në 8 gusht të vitit 1991, anija “Vlora” do të nisej nga Porti i Durrësit  duke zbarkuar drejt Barit  me 20 mijë shqiptarë në bord, burra gra të rinj e fëmijë që largoheshin nga Shqipëria  duke kërkuar një jetë më të mirë në brigjet italiane.

Kjo ngjarje do të  publikohej  ndër titujt kryesorë  të mediave italiane dhe  jo vetëm duke pasuar më pas me ikje të shqiptarëve me gomone për të arritur në tokën e premtuar.

“Unë madje edhe për të qeshur  kur flas me miqtë e mi  u them përgatisni gomonet  apo ndonjë  mjet tjetër imbarkimi që nga Italia të shkojmë në Shqipëri. U bënë disa vite që në Itali , nuk do të doja të përdorja termin që nuk jetohet më mirë por megjithatë  nuk jetohet si mund të jetohet këtu. Sepse ka disa gjëra që nuk funksionojnë siç duhej të funksiononin. Di vetëm që italianët ankohen  se nuk u dalin llogaritë. Duhet të  paguajmë faturat e ujit”,  tha Dr. Edon Qesari nga  Instituti i historisë, ASA.

Janë të shumtë italianët në pension të cilët kanë zgjedhur   Shqipërinë  për të moshuar. Qytetet  bregdetare, Vlora, Durrësi, por edhe  Tirana duket se janë më të preferuarat.

 “Ne vijmë këtu sepse nuk paguajmë taksa. Do të jetoj këtu sepse   është qetësia vetë, hahet mirë, produktet janë më të mira se tonat, ka një det të bukur. Pasi kam punuar 40 vjet, kam gjetur vendin perfekt për të kaluar pjesën tjetër atë të pensionit. Sepse në Itali nuk mund të jetohet më”, tha pensionisti.

Unë kam marrë një shtëpi me qira  sepse çmimet këtu në Vlorë nëse do ta blesh  për shembull në Lungo Mare nuk janë të lira. Por nëse spostohesh në brendësi është shumë mirë për ne. Unë kam ardhur për herë të parë në Shqipëri në shtator të vitit të kaluar. Kam shkuar në fillim në Tiranë, në Durrës dhe pastaj kam ardhur këtu në Vlorë. Vendosa të qëndroj këtu sepse më pëlqen ambienti, klima , njerëzit  jam si të jem në shtëpinë time. Kam marrë një leje qëndrimi për një vit pastaj do të shikoj. Taksat në Itali janë rritur shumë”, tha pensionisti tjetër.

“Unë jam i vetmi  nga veriu  i Italisë në këtë grup. Unë vij nga Arona nga Piemonte”, tha një tjetër pensionist.

Gazetarja: Edhe ti ke vendosur të jetosh këtu ?

Italiani: Atëherë, unë jam adhurues i detit, i diellit . Duhej të zgjidhja ndërmjet një qyteti në jug që është shumë i bukur, Siçilia e të tjera. Kam zgjedhur Shqipërinë ,Vlorën  për shkak  të taksave të volitshme  kështu që është një dopio avantazh deti, dielli, njerëzit e mirë .

Gazetarja: Po sa kohë keni këtu ?

Italiani: Pothuajse dy vjet.

Gazetarja: Do të qëndroni gjatë?

Italiani: Po derisa të mundem. Kam edhe dy djem  që punojnë në Itali dhe ata vijnë në gusht dhe shtator, janë këtu. Në vend që të shkojnë  në Siçili apo Puglia vijnë këtu sepse edhe bileta e avionit është e lirë jashtë sezoni është 19 -20 euro  si të ishte një autobus. Çmimet e ushqimit janë gati 30% më lirë se në Itali . Pensioni këtu më mjafton. Mund të bëj një jetë më shumë se dinjitoze  që në Itali nuk mund ta bëja. Mund të them që në Itali një pension 1000 – 1200  euro, arrin në 20 euro në muaj  për shkak të qirasë, faturave dhe kështu duhet të mbështetesh tek fëmijët. Por edhe ata kanë probleme. Ndërsa këtu mund t’ia lejoj vetes të shkoj të drekoj dhe darkoj në restorant  duke ngrënë madje edhe peshk dhe kushton diku 13-15 euro  maksimumi  dhe ushqimi është si të isha në Itali nuk mungon asgjë. Kam disa miq të mi që janë në mëdyshje pasi kanë ikur në Portugali. Por Portugalia pasi hyri në Europë është bërë shumë e shtrenjtë kështu që ata duan të lënë Portugalinë e do të vijnë edhe ata të jetojnë në Shqipëri.

Shqipëria  duket se nuk është vend  i preferuar vetëm për të moshuarit që duan të kalojnë pleqërinë në qetësi dhe pas stres .Një trend i ri po shfaqet. Të rinj, por të huaj kanë zgjedhur të studiojnë në Tiranë  por edhe të punojnë duke e parë Shqipërinë  me një optikë ndryshe nga sa e sheh rinia e lindur dhe e rritur këtu. Përveçse atraktive Shqipëria për ta duket  si vendi i mundësive.

Nora Malaj: Kam nja dy ditë që kur eci rrugëve dëgjoj të huaj që flasin dhe pjesa më e madhe e tyre janë italianë dhe më kujtohet kur unë kam shkuar për herë të parë në Itali kur ende nuk ishin hapur kufijtë,  italianët më thanë që ne nuk jemi vetëm fqinj ,ne jemi të afërm. Shqipëria  dhe Italia është shumë afër me njërin- tjetrin. Jemi afër me kultura, duke qenë se Shqipëria është një vend me resurse të jashtëzakonshme, nëse do të bëheshin disa politika shumë të mira, pa frikë unë do të thoja që ne do të ktheheshim si Zvicra me standard jetese, me zhvillim të ekonomisë. Ardhja e popullatës italiane  e të gjitha moshave, mendoj se është një pozitivitet: e para  duke u nisur se kemi kulturë të përbashkët dhe duke pasur kulturë të përbashkët, ndihen mirë pasi populli shqiptar ka një gjë shumë të madhe, mikpritjen i bën pjesë të jetës së vet.

Roberto erdhi si student në Shqipëri por më pas  u vetëpunesua duke hapur një zyrë, ku sot mund të quhet një biznes i suksesshem pasi asiston shtetasit italianë  që  vijnë në Shqipëri si për turizëm apo për të jetuar.

 “Kemi pasur një pauzë gjatë covidit por menjëherë pas covid ka një fluks në rritje të kërkesave të italianëve që  kërkojnë të vijnë këtu .Po ndodh që po  zbulojnë Shqipërinë. Ajo frika si një vend i rrezikshëm nuk ekziston më tani dhe të gjithë shikojnë që ka  plazhe të bukura, shikojnë këtë Tiranën e bukur dhe janë kuriozë. Kur vijnë tek unë i ofroj ndihmë. Dhe për shembull një italian që më kontakton që nga Italia që nuk ka asnjë njohuri për koston e jetesës e këshilloj cila është rruga  më e mirë që duhet të ndjekë për të ardhur, për të gjetur një shtëpi me qira.Unë  ndihmoj studentët. Ata në fillim ishin përqendruar në bllok. Por shiko çfarë ndodh ,Tirana po rritet  me shpejtësinë e dritës dhe të gjitha facilitetet ata i kanë pranë zonës ku studiojnë dhe tani i preferojnë shtëpitë afër universitetit. Ndërsa për sa i përket punëtorëve ata preferojnë zonën e qendrës”, tha Roberto.

Nuk ndodh rrallë që pubet e lokalet e Bllokut  frekuentohen dhe  të prenotohen nga studentët italianë për të organizuar festa të ndryshme  ku sërish janë të rinj italianë ata që kanë gjetur një mundësi vet punësimi në organizmin e këtyre eventeve.

 “Studiojmë, jemi studentë. Studioj stomatologji, ky është vit ii tretë, unë jam nga Roma. Zgjodha të vij këtu se në Itali nuk e kisha të mundur. Pashë që Tirana është një qytet që më pëlqeu dhe vendosa të vij këtu .Dhe kam bërë shumë mirë.Në kohën e lirë këtu ka shumë se çfarë mund të bësh. Ne bashkë me mikun tim organizojmë festa, kemi një shoqëri “Fly events” dhe mbledhim shumë djem e vajza  sigurisht studentë të universitetit për të  kërcyer e argëtuar. Ata paguajnë një kuotë të vogël. Po për ne është me shumë një zbavitje se sa një pune”, tha studenti italian, Valerio.

Unë përkundrazi studioj mjekësi. Jam në vitin e dytë. Kërkoja të studioja mjekësi ,por në Itali nuk ia dola ,ndaj erdha këtu në Tiranë dhe ndihem shumë mirë. Jam nga Kozenca, Kalabri .Tirana është një qytet që ofron shumë, mbi të gjitha për të rinjtë si për sa i përket për të studiuar  edhe për t’u argëtuar .Diploma e universitetit këtu është e njëjtë me një universitet në Romë. Ka studentë që vijnë këtu vetëm për të ndjekur vitin e parë e më pas transferohen në universitetet në  Itali por ka shumë të tjerë që edhe specializimin  e bëjnë këtu”, tha një student tjetër.

 Dhe në fakt i gjen kudo jo vetëm të rinj që studiojnë, por dhe që  punojnë .Ka një tendencë në rritje të numrit të shtetasve të huaj që vijnë në Shqipëri jo vetëm për turizëm por që kërkojnë leje për të qëndruar në vendin tonë.

 “Është  e vërtetë që ka një rritje të shtetasve të huaj të cilët vijnë qoftë për qëllime turistike apo për t’u punësuar në republikën e Shqipërisë vitin e kaluar kemi 1147 shtetas që kanë marrë leje qëndrimi, në republikën e Shqipërisë. Ndërsa për këtë katër mujor kemi 2744 shtetas të huaj të cilët  janë pajisur me leje qëndrimi. Është e vërtetë kryesues për aplikimet për leje qëndrimi dhe vjet kemi pasur 914 shtetas italianë  që kanë aplikuar për leje qëndrimi dhe për këtë periudhë katër mujore janë 188 shtetas italianë”, tha Saimir Boshnjaku, drejtor i Departamentit të Kufirit  dhe Migracionit në Policinë e Shtetit.

Nga njëra anë investimet italiane në Shqipëri janë në rritje  dhe ato mund të shikohen  edhe si mundësi për  punësimin e të rinjve. Por në Shqipëri nuk ka më të rinj që duan të punojnë këtu ose janë pak.

Fatkeqësisht Shqipëria ka hyrë në një fazë shpopullimi  pasi rinia , krahu i punës po largohet. Ende nuk ka shifra të sakta se sa shqiptarë kanë mbetur në territorin e Shqipërisë gjë të cilën pritet ta saktësojë sencusi i popullsisë që do të zhvillohet nga INSTAT brenda vitit 2023.

Ines Nurja: Nëse do t’i referohemi shifrave të Eurostat që janë shifra bazuar për 10 vjet janë larguar me letra , pra që kanë marrë një leje pune, studim, bashkim familjar , 410 mijë persona , ndërsa 500 mijë kanë kërkuar azil bashkë me ata që qëndrojnë në mënyrë ilegale  janë rreth 500 mijë vetë, pra  llogariten 900 mijë të ikur dhe këta janë të rinj dhe fëmijë , familje që kanë ikur në total që nuk kthehen dhe unë them qe nuk kemi të bëjmë me emigrim, por shpopullim.

Por çfarë po ndodh me Shqipërinë dhe shqiptarët? Përse  të rinjtë tanë shkojnë të kërkojnë punë në një vend tjetër  dhe italianët gjejnë punë këtu? Çfarë pune bën një italian në Shqipëri të cilën nuk e bën një i ri shqiptar?

Alesandro: Kam 13 vjet që punoj në Shqipëri  dhe  punoj si shef kuzhine. Kam punuar si në restorante këtu në Tiranë në qendër dhe në jug , vetëm në veri akoma jo. Kam punuar edhe si  menaxher hotelesh. Unë jam nga Roma  dhe jam transferuar këtu.

Gazetarja: Po çfarë ofron Shqipëria për italianët pasi më herët ishin shqiptarët që iknin drejt Italisë për të punuar.

Alesandro: Shqipëria ofron shumë, është një vend modern që po rritet dhe që ka nevojë për profesionistë në sektorin e turizmit, në bare, restorante, në hotele por edhe ne sektorin e estetikës, mjekësisë  dhe dentarisë. Ka shumë për të bërë këtu në Shqipëri, po vijnë shumë sipërmarrës italianë. Pastaj taksat në Itali janë shumë të larta, ndërsa këtu janë të ulëta. Kush hap një biznes e ka shumë të favorshme.

Ana: Jam në Vlorë që nga 5 shtatori  i vitit të kaluar dhe vij nga një province e Torinos. Ëndrra ime  ka qenë gjithmonë të jetoj pranë detit e të hap shkollën time të yogës. Në Itali kjo gjë më dukej shumë e largët, kështu që vendosa të eksploroj pak dhe kuptova që Shqipëria i ngjan shumë tokës sime të orgjinës që është Sardenja, sepse jam e dashuruar me këtë tokë të mrekullueshme dhe vendosa të kaloj jetën time këtu duke realizuar ëndrrën time.

Gazetarja: E frekuentojë yogen gratë, vajzat vlonjate?

Ana: Po ka gra pensioniste italiane që frekuetojnë yogen pasi  njohin shumë mirë benefitet e yogës  por edhe gra shqiptare kanë filluar ta vlerësojnë  dhe i kushtojnë pak kohë vetes  duke frekuentuar ndonjë orë yoga pasi gratë shqiptare punojnë shumë dhe janë gjithmonë shumë të impenjuara.

Monica: Jam nga Roma, në vitin 2021 kam qëndruar 3 muaj  për turizëm dhe pastaj jam kthyer në Itali. Kam përgatitur të gjithë dokumentet  e më pas jam rikthyer në shkurt të vitit 2022 dhe kam kërkuar leje qëndrimi për motive punësimi bashkë me mikun tim. Ai ka hapur një nipt këtu pasi është programues kompjuterash, softwere dhe kështu punojmë të dy bashkë këtu. Unë aktualisht jap mësime të dancit oriental.

Ines Nurja: Lëvizja globale është një fenomen që po ndodh kudo.Por Shqipëria një vend i vogël me numër të vogël popullsie kërkon ndërhyrje emergjente për të mbajtur të rinjtë  e saj këtu  pasi Shqipëria po plaket. Lindshmëria ka rënë. Në tre mujorin e parë të vitit 2023 numri i vdekjeve është 393 raste më shumë se lindjet. Në janar të vitit 2021  popullsia e Shqipërisë ishte afro 36 mijë banorë më pak se viti paraardhës.Projeksionet e Organizatës së Kombeve të Bashkuara janë se në vitin 2100  do të jemi popullsia më e plakur në botë.

Nora Malaj: Të shfrytëzohen investimet, bizneset e huaja të joshim të rinjtë të qëndrojnë këtu.

Afërsia ndërmjet dy kombeve dhe shkëmbimet martesore datojnë  herët  mes popullit Italian  dhe shqiptar. Numri në rritje i pasardhësve të tyre shqiptaro- italiane mbetet një rast për t’u studiuar në të ardhmen.  

Top Channel