Kujdesi për dhëmbët te fëmijët, depistimet zbulojnë më shumë fëmijë me karies dhe higjienë të dobët Frutat e pyllit po zënë gjithmonë e më tepër vend në dietën ushqimore. Duke parë interesin e lartë të konsumatorëve për këto fruta, tashmë boronica, manaferra dhe aronia nuk gjenden vetëm në formën e produkteve të egra që rriten në bjeshkë, por edhe të kultivuara në parcela nga duart e fermerëve tanë.
“Aktualisht ka një interes shumë të madh nga konsumatorët për frutat manore ose frutat e pyllit, por që janë të kultivuara, mjedra, boronica dhe aronia. Dhe kjo për shkak të vetive të tyre kurative, pasi janë të pasura me praninë e vitaminave, antioksidantëve dhe nivel të ulët të sheqerit”, tha pedagogu Endri Kullaj.
Vendin e manaferrës së egër po e zë mjedra e kuqe. Deri më tani ky produkt po rritet në zonën e Kukësit, Dibrës dhe Korçës. Formën e kultivimit fermerët tanë e mësuan nga kolegët e tyre të Kosovës, ku Shqipëria ka qenë një treg i mirë për këtë të fundit.
“Vetëm në rastin e mjedrës Shqipëria konsumon 300-400 ton në vit, ndërkohë që këtë prodhim ne mund ta sigurojmë lehtë brenda vendit në këto 2-3 vite të ardhshme”, tha pedagogu Endri Kullaj.
Sipas pedagogut Endrit Kullaj, frutat e vogla janë një mundësi e mirë për ekonominë familjare të njerëzve që jetojnë në fshat dhe nuk disponojnë sipërfaqe të mëdha toke.
“Këto janë shumë të përshtatshme për ferma të vogla familjare sepse sigurojnë një të ardhur të lartë. Nëse llogarisim se në 1 dynym mund të merren 400-1000 kg mjedra me një çmim mesatar 5-7 euro, atëherë është kjo një e ardhur që kulturat e tjera nuk e sigurojnë”, tha pedagogu Endri Kullaj.
Kërkesat për këto fruta nuk janë vetëm gjatë sezonit të vjeljes, të cilat shiten të freskëta, por qytetarët i kërkojnë edhe në dimër, kur vijnë në formën e produkteve të thata ose të ngrira. Pavarësisht kultivimit, produkti më i kërkuar nga frutat e egra vazhdon të mbetet boronica e Tropojës.
Top Channel