“Do ishim në vendin e parë për paga nëse projekti në Tivat s’do ikte nga ne”/ Rama për protestën: Ne çfarë jemi? Budallenj?

07/06/2026 17:59

Kryeministri Edi Rama mori pjesë në organizimin e 35-vjetorit të PS-së në Elbasan.

Ai u ndal te protestat që po mbahen në Tiranë kundër projektit në Zvërnec, duke u ndalur te projekti që është bërë në Tivat, Mal të Zi, duke thënë se ai projekt do të bëhej në Shqipëri.

“Mali i Zi nuk do të ishte ky që është sot, nëse projekti që hapi rrugën e transformimit të Malit të Zi do të ishte bërë këtu. Nëse ai projekt do të ishte bërë këtu, aty ku trokiti në fillim ai sipërmarrësi kanadez dhe iku në Mal të Zi se këtu i mbyllën derën, atëherë Mali i Zi nuk do të ishte ai që u bë, por do të ishim ne që do të kishim vendin e parë në rajon për paga, pensione, vetëm falë asaj pjese të turizmit.

Ata që thonë që nuk duhet turizmi i luksit se nuk kemi lekë, ata nuk e dinë se në fakt ato resorte dhe ato hotele janë motorë të ekonomisë së tyre, të ekonomisë së vendit dhe të njerëzve që jetojnë në atë vend. Ato resorte dhe hotele nuk janë të shkëputura nga realiteti i vendit. Ata njerëz që vijnë aty kanë nevojë për vendin, kanë nevojë për shërbimet që ka vendi dhe kështu ata janë arsyeja pse fermerët mund të prodhojnë më shumë dhe të shesin më mirë.

Ato resorte dhe hotele janë arsyeja pse shteti merr më shumë taksa, më shumë të ardhura. Ai ‘Porto Montenegro’ që shkoi në Tivat, ndërkohë që sipërmarrësi donte ta ndërtonte në Durrës, u vendos në një zonë që s’kishte turizëm në Mal të Zi. Porti ishte ushtarak, të ardhura të ulëta, rinia që ikte…

Sot, Tivati pret 5 milionë turistë në vit, vetëm për shkak të atij porti dhe atyre që erdhën më pas. Në dyqanet e Tivatit janë ata që janë prej atij vendi, shërbimet i bëjnë ata që vijnë nga ai vend. Për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Malit të Zi, në punët e atij hoteli ku ishim ne, ka një vend pune cilësor, një vend pune që nuk ka asnjë arsye për ta lënë dhe për të kërkuar fatin jashtë vendit.

Ne çfarë jemi? Jemi budallenj që të shohim se si të tjerët i marrin mundësitë që ne i lejojmë të na rrëshqasin?”, tha Rama.

Top Channel