“Jemi shumë afër një marrëveshjeje me Iranin”, Trump: Kanë mbetur vetëm disa pika, por nuk janë çështje të mëdha

07/06/2026 17:23

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar se Uashingtoni dhe Iran janë shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje, ndërsa kanë mbetur vetëm disa çështje për t’u finalizuar.

Në një intervistë për NBC News, Trump u shpreh optimist për ecurinë e negociatave, duke theksuar se pengesat e mbetura nuk janë të natyrës së rëndësishme.

“Jemi shumë afër një marrëveshjeje. Ka disa pika që duhen finalizuar, por nuk janë çështje të mëdha”, deklaroi ai.

Presidenti amerikan përsëriti se, sipas tij, Teherani ka rënë dakord të mos zhvillojë apo sigurojë armë bërthamore, një nga pikat kryesore të diskutimeve mes palëve.

Trump zbuloi gjithashtu se ka kërkuar përfshirjen e një klauzole shtesë në marrëveshje, e cila do të ndalonte Iranin jo vetëm nga zhvillimi i armëve bërthamore, por edhe nga blerja apo sigurimi i tyre nga burime të tjera.

“Pyetja ime ishte: çfarë ndodh nëse ata nuk i zhvillojnë vetë, por shkojnë dhe i blejnë? Doja që marrëveshja të përfshinte formulimin ‘nëse i blejnë ose i sigurojnë ato’”, tha Trump.

Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, pala iraniane fillimisht ka shfaqur rezerva ndaj këtij propozimi, por më pas ka pranuar formulimin e kërkuar nga SHBA.

Top Channel