Rregulla të reja për ndotësit/ Bizneset do paguajnë për ndotjen, lejet mjedisore bëhen publike

06/06/2026 21:37

Fabrikat dhe aktivitetet industriale që ndotin mjedisin do të përballen me rregulla më të forta kontrolli, ndërsa qytetarët do të kenë më shumë informacion mbi ndikimin e tyre në mjedis.

Qeveria ka propozuar ndryshime në ligjin për lejet mjedisore duke vendosur detyrime të reja për industrinë, monitorim më të rreptë të emetimeve dhe transparencë më të madhe për publikun.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme është krijimi i një databaze publike ku do të publikohen lejet mjedisore, rezultatet e monitorimeve dhe të dhënat mbi performancën e instalimeve industriale. Synimi është që qytetarët të kenë më shumë mundësi të informohen për bizneset që ndikojnë në ajër, ujë dhe tokë.

“Kjo bazë të dhënash do të shërbejë si instrument publik për garantimin e transparencës administrative, aksesit në informacionin mjedisor dhe rritjen e llogaridhënies në procesin e vendimmarrjes për lejet e mjedisit. Nëpërmjet këtij mekanizmi synohet që publiku dhe institucionet të kenë akses më të lehtë në informacionin mbi kushtet e lejeve, rezultatet e monitorimit, raportet përkatëse”, shkruan Ministria e Mjedisit.

Një regjim më i fortë lejesh do të jetë për akitivitetet e reja industrial sit ë bakrit, litiumit, hidrogjenit etj.

Projektligji vendos gjithashtu përgjegjësi më të qarta për kompanitë që përdorin substanca të rrezikshme. Për herë të parë kërkohet dokumentimi i gjendjes së tokës dhe ujërave nëntokësore përpara zhvillimit të aktivitetit. Sipas relacionit, kjo krijon bazën që operatori të mbajë përgjegjësi për rehabilitimin e zonës pas mbylljes së aktivitetit.

“Ky instrument krijon për herë të parë bazën për vlerësimin objektiv të gjendjes fillestare të vendndodhjes dhe mundëson që, në rast të ndërprerjes së aktivitetit, operatori të mbajë përgjegjësi për rehabilitimin dhe rikthimin e saj në përputhje me gjendjen e dokumentuar fillestare”, vijon Ministria.

Ndryshimet synojnë gjithashtu t’i detyrojnë fabrikat të përdorin teknologjitë më të avancuara për uljen e ndotjes, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Sipas relacionit, ndryshimet pritet të sjellin ulje të ndotjes industriale, përmirësim të cilësisë së ajrit, ujit dhe tokës, si dhe rritje të transparencës dhe kontrollit mbi aktivitetet që ndikojnë në mjedis.

Top Channel