“Enea më tha se ka lëvizje te stalla”/ Rrëfimi i oficerit që u gjend në vatrën e zjarrit: Na thanë në orën 4 tek drejtoria

07/06/2026 16:26

Në dosjen e AMP-së janë administruar dëshmitë e punonjësve të policisë që morën pjesë në operacionin ku mbeti i vrarë polici Enea Mekolli dhe u plagos efektivi Edison Adri.

Siç raporton gazetarja Anila Hoxha, një nga dëshmitarët është edhe Ermir Sokoli, me detyrë inspektor pranë Forcës Operacionale “Shqiponja” në DVP Korçë. Në deklarimin e tij ai tregon se mbrëmjen e 3 qershorit 2026 është telefonuar nga kolegu Edison Adri, i cili e ka njoftuar se duhej të paraqiteshin në Drejtori në orën 04:00 të mëngjesit.

Sipas dëshmisë, pasi morën armatimin dhe pajisjet e nevojshme, efektivët u nisën drejt Komisariatit të Maliqit, ku u zhvillua instruktazhi për operacionin. Aty u bë e ditur se objektivi ishte Violant Braçellari, i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë dhe i dyshuar se mbante armë.

Më pas forcat policore u zhvendosën në zonën e Lozhanit dhe u afruan pranë stallave ku dyshohej se ndodhej i kërkuari. Sipas Sokolit, grupi u nda në disa drejtime për të rrethuar zonën.

“Enea tha: ‘Ka lëvizje te stallat’. Menjëherë pas kësaj, Renato dhe Edisoni bënë thirrje: ‘Jemi policia, dorëzohu’, ‘Je i rrethuar’”, deklaron ai.

Efektivi shton se pak çaste më vonë dëgjoi breshëri armësh. Në kushtet e errësirës, ai hapi zjarr në drejtimin nga ku mendoi se po vinin të shtënat.

“Pashë kolegun tim Edison Adri të gjakosur në pjesën e nofullës. Së bashku me shefin Dhimitër Trushi arritëm ta tërhiqnim në një vend më të sigurt. Më pas u afruan edhe kolegët e tjerë dhe u përpoqëm t’i ndalonim gjakderdhjen”, ka dëshmuar Sokoli.

Sipas tij, në ato momente autori ishte neutralizuar dhe forcat policore po përqendroheshin në dhënien e ndihmës së parë për efektivin e plagosur. Ai ka theksuar gjithashtu se gjatë instruktazhit dhe pak para ndërhyrjes, efektivëve u ishte bërë e qartë se personi që po kërkohej konsiderohej shumë i rrezikshëm dhe mund të ishte i armatosur.

Dëshmia e plotë:

Në ora 04:00 u paraqita në Drejtori dhe aty u takova me punonjës të tjerë. Kanë shkuar në armaturë dhe kanë marrë armatimin automatik, ndërsa jelekët antiplumb i kishin në mjetin e shërbimit. Menjëherë pasi kanë marrë armatimin, kanë hipur te mjeti Volksëagen me targa MB060AA.

Në mjet, së bashku me të, ishte shefi i seksionit Dhimitër Trushi, Edison Adri, Enea Mekolli, Erikson Alillari, Renato Seiti. Në momentin që janë nisur, shefi i seksionit tha se do të shkonin në Komisariatin e Policisë Maliq, ku do të bënin edhe instruktazhin.

Mbasi kanë shkuar në Komisariatin e Policisë Maliq, kanë zbritur nga mjeti dhe janë rreshtuar te oborri i Komisariatit. Në oborrin e Komisariatit, në rresht me të, ishin edhe forca të tjera të këtij komisariati. Në instruktazh ishin edhe dy zv.drejtorët e DVP-së, si dhe shefi i Komisariatit të Maliqit.

Në instruktazh u tha emri i personit, i cili quhej Violant Braçellari, u tha që është person në kërkim, i rrezikshëm, mban armë dhe njëkohësisht u dhanë edhe disa karakteristika trupore të tij. Mbasi përfunduan instruktazhin, hipën në mjet dhe u nisën në drejtim të Lozhanit.

Kanë kaluar Lozhanin dhe më pas janë futur në një rrugë dheri, e cila shkon në drejtim të malit të Bodes. Pasi janë ngjitur në mal për një farë kohe, kanë qëndruar rreth 500 metra larg stallave, kanë zbritur nga mjeti, kanë marrë pajisjet që kishin me vete, duke veshur jelekët antiplumb dhe duke marrë automatikët. Mbasi kanë marrë pajimet, përsëri zv.drejtori i Rendit në DVP i ka rreshtuar duke i porositur që të tregonin kujdes, pasi personi është shumë i rrezikshëm dhe mund të ketë me vete dhe të përdorë automatik ose pistoletë.

Janë ndarë si grup, pasi Erikson Alillari dhe Enea Ibi shkuan në krahun e djathtë të stallave me qëllim që të zbrisnin poshtë stallave, ndërsa ai me pjesën tjetër të grupit, shef Dhimitri, Edison Adri, Enea Mekolli, Renato Seiti, morën një drejtim tjetër duke kaluar në një rrugë dheri, e cila kalonte në krah të stallave. Në një moment Enea i tha: “Ka lëvizje te stallat” dhe Renato, së bashku me Edisonin, bënë thirrje: “Jemi policia, dorëzohu”, “Je i rrethuar”.

Mbas kësaj thirrjeje, Enea ishte para tyre dhe në këto momente ai ka dëgjuar breshëri armësh. Në pozicionin që ishte i ulur në gjunjë, ka hapur zjarr në drejtimin që mendonte se erdhën të shtënat nga fundi i stallave. Në një moment ka vënë re shokun e tij të grupit, Edison Adri, i cili ishte i gjakosur në pjesën e nofullës.

Ai dhe shef Dhimitri kanë mundur ta tërheqin deri te një vend, më pas aty u afruan edhe Eriksoni me Renaton, kanë grisur një bluzë duke u munduar t’i ndalonin gjakderdhjen.

Gjatë kësaj kohe të shtënat kishin ndaluar, autori ishte neutralizuar dhe po përpiqeshin t’i jepnin ndihmë Edisonit, duke e çuar në një vend më të sigurt. Më pas ka shkuar te vendi ku po qëndronte kolegu i tij Enea Ibi, duke qëndruar aty derisa erdhi grupi hetimor.

I pyetur në lidhje me instruktazhin, ka deklaruar se në instruktazhin që zhvilluan në Komisariatin e Policisë Maliq, por edhe në momentin përpara se të ndërhynin, iu tha që personi është shumë i rrezikshëm dhe mund të jetë i armatosur.

Top Channel