Atmosferë festive në Shijak, motoristë nga 50 vende të botës marrin pjesë në Motofest

06/06/2026 19:55

Për të pestin vit, Shijaku mirëpret motoristë nga Shqipëria, diaspora dhe mbi 50 vende të botës, duke krijuar një atmosferë të bukur në qytet.

Motofest shoqërohet nga muzika rock, një koncert dhe argëtime të ndryshme që kanë mbledhur qytetarë dhe turistë në Shijak.

Grupe kombëtare dhe ndërkombëtare të shoqatave të motoristëve nga vende si Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Greqia, Italia, Franca, Gjermania, Holanda, Suedia, Danimarka dhe Zvicra mbërritën në Shijak pasditen e sotme për këtë event të kthyer në traditë çdo fillim qershori.

Parada e motoristëve nisi pasditen e së shtunës, me pjesëmarrjen e 50 grupeve ndërkombëtare.

Me qindra motoristë nisën paradën nga sheshi i Shijakut drejt shëtitores bregdetare “Taulantia” në Durrës, për t’u rikthyer më pas në qendër të Shijakut, ku do të zhvillohet një koncert rock n’roll, shoqëruar me lojëra të ndryshme që ofrojnë festë dhe argëtim për qytetarët, vizitorët dhe të ftuarit.

Top Channel