Egnatia shkruan historinë në futbollin shqiptar, fiton për herë të parë Kupën e Shqipërisë

01/06/2023 21:35

Egnatia shkruan historinë në futbollin shqiptar.

Skuadra rrogozhinase fiton për herë të parë Kupën e Shqipërisë pasi mundi në finale Tiranën me rezultatin 1-0, falë një goli të shënuar në minutën e 114-të nga Jackson me 11-metërsh.

Një mbyllje e keqe e sezonit nga Tirana, që pasi e humbi titullin kampion në javën e fundit, humbi edhe në finalen e Kupës e përgjysmuar nga dënimet e dëmtime në këtë mbyllje kampionati.

Tirana ishte më kërkuese që në fillim të lojës, por nuk e shfrytëzoi si duhet rastin më të mirë që iu paraqit në minutën e 13-të, me Hilën.

Bardheblutë mbetën me një lojtar më pak pa u mbushur 25 minuta lojë. Berisha ndërhyn rëndë ndaj Jacksonit dhe për Enea Jorgjin nuk ka dyshime, karton i kuq për lojtarin e Tiranës.

Pretendojnë për penallti lojtarët e Tiranës rreth 15 minuta pas nisjes së pjesës së dytë, pas prekjes së topit me dorë nga Zejnullai. Jorgji pret konfirmimin nga sistemi VAR dhe vijon lojën.

Shtylla shpëton bardheblutë ne minutën e 61-të. Jackson depërton nga e majta, kalon dhe Likën, por top rrok shtyllën.

Në të 77-ën Duamena arrin ta dërgojë topin në rrjetë, por goli anulohet nga sistemi VAR, që dallon një pozicion jashtë loje të Kasës.

Koha e rregullt përfundoi pa gola, por kur me mendohej se gjithçka do të zgjidhej nga “ruleta” e penalltive, skuadra rrogozhinase fitoi një 11-metërsh që shndërrohet në gol nga Jackson duke i dhënë trofeun e parë në histori klubit nga Rrogozhina.

FOTO GALERI
1/58

Top Channel