“Ktheni faqen”, Xavi: Figura e Guardiolës më peshon shumë, te Barça kam “armiq”

31/05/2023 10:07

Barcelona u rikthye te titulli kampion në LaLiga pas katër vitesh teksa katalanasit nën udhëheqjen e trajnerit Xavi Hernandez siguruan titullin numër 27 në histori.

Megjithatë, tekniku i blaugranave në një intervistë për “TV3”, theksoi se triumfi nuk ishte i lehtë aq më tepër kur sipas tij në ambientin që rrethon klubin, ka edhe nga ata që nuk duan që skuadra të ketë sukses. Ndër të tjera, Xavi e pranon se i “peshon” figura e Pep Guardiolës edhe pse ai shpesh bën thirrje që duhet kthyer faqja dhe historia të lihet pas.

“Këtu te Barça ka njerëz të cilët nuk duan që të fitojmë. I japin priotitet miqësive, po flas për njerëz të cilët kanë lidhje me ish-presidentin apo ish-trajnerë. Por, nuk mund të lejojmë që klubi të udhëhiqet nga miqësitë.

Guardiola? Figura e Pep po më “peshon” shumë në rolin e trajnerit dhe nuk mendoj se është e drejtë. Në fakt, ndodhte kështu edhe kur isha futbollist. Të gjithë e dimë historinë e tij, por duhet të kthejmë faqe”, u shpreh Xavi.

Ndër të tjera, Xavi theksoi se për të ishte shumë e vështirë që nuk mundi të konkurronte në Europë pas eliminimit të hershëm ndërsa shtoi se Barcelona duhet të synojë fitoren në çdo kompeticion ku merr pjesë.

Top Channel