Finalja e Europa League, Mourinho dhe Roma sfidojnë Sevillan

31/05/2023 08:35

Trofeu i parë Europian i këtij sezoni vendoset këtë të mërkurë.

Në Pushkash Arena të Budapestit, luhet finalja e Europa League, Sevilla – Roma, takim që do të mund ta ndiqni live në Supersport 2, jo vetëm ndeshjen që starton në 21.00 por edhe vigjiljen e ndezur e padyshim dhe momentet e triumfit dhe intervistat e protagonistve në emisionin e dedikuar Europa League.

Skuadra më e suksesshme në historinë e këtij kompeticioni, Sevilla ka shansin për të ngritur trofeun për herë të 7-të, por misioni është i vështirësisë maksimale, përballë është Jose Mourinho me armatën verdhekuqe, që pas suksesit një vit më parë në Tiranë në finalen e Konferencë League kërkon t’i dhurojë skuadrës së “qytetit të përjetshëm” një tjetër trofe europian. Nëse triumfon Murinjo do të bëhej i pari trajner që e fiton këtë kompeticion me 3 skuadra të ndryshme, pasi ja ka dalë me Porton në 2003 dhe me Manchester United në 2017-ën.

Janë të gjithë përbërësit për një sfide perfekte mes dy skuadrave që këtë vit kanë dhuruar performanca të shkëlqyera në Europa League duke fokusuar aty energjitë e tyre. 6 herë fituesit e Europa League, Sevilla kanë eleminuar kundërshtarë si Manchester United apo Juventus, ndërsa Murinjo edhe pse me kundërshtarë jo kaq të famshëm ka bërë maksimumin me një organikë të reduktuar, duke i treguar sërish vendin Feyenoord apo duke eleminuar Leverkusenin e futbollit të bukur.

Andaluzianët e kanë fituar kompeticionin çdo herë që kanë arritur në finale, me suksesin e parë që erdhi në 2006 kur kapiteni aktual Jesus Navas luajti pjesën e tij në triumf si një djalosh 20-vjeçar, dhe tani skuadra më e sukseshmë në historinë e këtij kompeticioni kërkon rekordin në udhëtimin drejt Hungarisë që pret të parën finale europiane që nga 1985.

Duke eleminuar Manchester United dhe Juventusin gjatë rrugëtimit Sevilla në gjysëmfinale siguroi suksesin e 25 në 28 ndeshje në Ramon Sanchez Pizjuan, por tani duhet të tregojnë forcën në terren neutral.

Spanjollët kanë patur një kampionat të vështirë në La Liga, ku nën drejtimin e teknikut bask, Jose Luis Mendilibar larguan kërcënimin e një rrëzimi nga Kategoria , duke ndryshuar fatin e tyre.

Sevilla ka humbur vetëm 2 ndeshje në kampionat që kur mori në drejtim Mendilibar, dhe në të vetmin rast që janë përballur me Romën në Europa League, ishin spanjollët ata që avancuan në 1/8 e kompeticionit në 2020 para se të ngrinin trofeun për herë të 6-të.

Por kujdes, Roma ka një armë të fortë te Murinjo, një trajner i një niveli shumë më të lartë se Mendilibar që i ka fituar 5 trofe madhorë të Uefas deri më tani.

Nëse Roma fiton këtë të mërkurë Murinjo do të bëhej trajneri më i suksesëshëm në historinë e gjatë të kompeticionit europian, duke kaluar maestron italian Giovanni Trapatoni, dhe pasi i udhëhoqi verdhëkuqtë drejt fitores së Conferencë League në Tiranë vitin e kaluar Murinjo do të jetë i vetmi që e fiton Europa League me 3 skuadra të ndryshme, jo vetëm kaq, Roma e tij që arriti deri këtu tani mund të bëhet një skuadër që fiton 2 vite radhazi një trofe kontinental.

Ndaj Leverkusen Murinjo kaloi me një gol të vetëm, të shënuar nga i riu Edoardo Bove në Olimpico, duke e mbrojtur atë me stoicizëm dhe stilin e tij të zakonshëm në Gjermani në ndeshjen e kthimit.

Në vendin e 6-të në Serie A ku mbetet edhe një ndeshje, Roma më së shumti mund të përfundojë e pesta në kampionat, por si fitues eventual të Europa League verdhekuqtë do të fitonin hyrjen direkte në grupet e Champions për sezonin e ardhshëm, dhe me skuadrën që ka ceduar në kampionat, Murinjo duket se ka vënë bast gjithçka për finalen e Pushkas Arena.

Për sa i përket formacioneve, pasi ka qenë portieri i Sevillas në Kupë që kur arriti Jose Luis Mendilibar, Yassine Bounou do të zëvendësojë Dmitrovic mes shtyullave, teksa skuadra do të ketë shumë ndryshime në krahasim me formacionin që u mund nga Reali në kampionat të shtunën. Ndërkohë që Joan Jordan dhe Suso i kanë kaluar dëmtimet, mbeten në dyshim Tanguy Nianzou dhe Marcao, teksa Acuna është i pezulluar por gjithsesi Mendilibar nuk i mungojnë opsionet për të zgjedhur.

Si kapiten i fomacionit të mundshëm 4-2-3-1 Jesus Navas do të jetë 37 vjec e 191 ditë këtë të mërkurë duke u bërë lojtari më i vjetër që niset si titullar në një finale të Kupës Uefa apo Europa League që nga 2008 kur dicka të tillë e bënte David Ëeir për Rangers. Në sulm pritet të jetë Youssef En-Nesyri, lojtari nga Marko shënoi dy herë në fitoren në cerekfinale ndaj Manchester United dhe një herë ndaj Juventusit në gjysëmfinakle.

Te Roma, që i ka vuajtur shumë dëmtimet, vëmendja më e madhe është për Paolo Dybala që sipas lajmeve të fundit ja ka dalë të jetë në dispozicion, pasi ka marrë miratimin nga stadi mjekësor. I Rikuperuar nga një dëmtim që pësoi ndaj Atalantës muajin e kaluar, argjendinasi mund të jetë gati të japë kontributin e tij nga stoli./SuperSport

Top Channel