Mourinho “zbulon” të ardhmen e tij para finales me Sevillan, “thumbon” kundërshtarin

30/05/2023 20:48

José Mourinho u pyet në konferencën për shtypin para finales së Europa League-s për të ardhmen e tij te Roma. “Special One” mohoi se ka arritur marrëveshje me një klub tjetër.

“Unë mendoj se një pyetje e tillë i duhet bërë Mendilibarit (trajneri i Sevillas), sepse ai është në fund të kontratës së tij. Të njëjtën pyetje më bënë edhe kapitenët e mi. Ishte një bisedë mes meje dhe atyre. Ata e dinë se çfarë mendoj unë. Situata me Interin ishte ndryshe, nuk kisha nënshkruar me Realin e Madridit, por gjithçka ishte e kryer. Tani nuk kam asnjë kontakt me klubet e tjera. E vetmja gjë që ka rëndësi është skuadra dhe unë dua vetëm ta mendoj për të”, theksoi portugezi.

José Mourinho ka kontratë me Romën deri në verën e vitit 2024.

Sa i përket finales, i ngacmuar për fjalët e trajnerit të Sevillas, Mendilibar, që tha se Sevilla është favorite, Mourinho u kundërpërgjigj:

“Unë them që historia nuk luan, trajneri i Sevillas thotë se është favorite sepse është mësuar, por nuk mendoj kështu. Për tifozët tanë, të qenët këtu është historike.”

Top Channel