Një kroat entuziazmon Interin dhe i jep shpresë për finalen, ja arsyeja pse zikaltërit fitojnë me Cityn

18/05/2023 20:35

Manchester City-Inter do të jetë finalja e këtij edicioni të Champions League teksa dy skuadrat do të përballen më datë 10 qershor në Stamboll.

The Citizens, të paktën në letër duken ekipi favorit për të ngritur lart trofeun me “veshë të mëdhenj” teksa po zhvillojnë një sezon fantastik nën “urdhrat” e trajnerit Pep Guardiola. Megjithatë, zikaltërit nuk mund të nisen të dorëzuar, sidomos kur në anën e tyre kanë edhe një statistikë e cila i “ngroh” sadopak.

Një statistikë e cila lidhet me kroatët dhe fatin e tyre në finalen e Champions League. Nga viti 2013, të paktën një lojtar kroat e ka fituar kompeticionin më të rëndësishëm europian. Kujtojmë se në vitin 2013, Mario Mandzukic ishte pjesë e Bayern Munich, një vit më pas Luka Modric fitoi me Real Madrid, më pas në vitin 2015, Rakitic festoi me Barcelonën. Në tre sezonet në vijim, sërish Modric triumfoi me fanellën e Real Madrid, për të kaluar më pas te Liverpool në vitin 2019 ku në organikën e “The Reds” ishte Dejan Lovren.

Një vit më pas, Bayern u rikthye te suksesi në Champions dhe pjesë e bavarezëve ishte edhe Ivan Perisic. Në vitin 2021, Chelsea fitoi dhe pjesë e “Bluve të Londrës” ishte edhe një kroat si Mateo Kovacic. Në vitin 2022, Real Madrid u rikthye sërish në majën e Europës dhe aty nuk mund të mungonte përsëri një kroat si Luka Modric.

Tashmë, në vitin 2023, “kroati” është në anën e Interit dhe bëhet fjalë për Marcelo Brozovic ndërsa me Manchester Cityn që nuk e ka një lojtar ballkanas në organikë, mbetet për t’u parë nëse sërish kroatët do të kenë fatin në anën e tyre në një finale të Champions League.

Top Channel