Edhe për heqjen e barrikadave në veri të Kosovës, ligjvënës opozitarë shohin skenare të nëndheshme dhe drejtojnë gishtin e fajit nga kryeministri Albin Kurti.
Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, i ka kërkuar llogari me pretendimin se shefi i ekzekuvitit ka arritur një marrëveshje të fshehtë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.
“Deklarata e përbashkët e Amerikës dhe BE-së e shpërfaq më së miri mashtrimin e Kurtit dhe përpjekjen për ta fshehur dakordësinë me Vuçiçin për lirimin e kriminelëve, si kusht për heqjen e barrikadave. Kryeministër, a kemi ne të drejtë të dijmë se çfarë përmban marrëveshja e fshehtë me Vuçiçin?? Tregoju qytetarëve përse i amnistove kriminelët e veriut”, ka shkruar Kadrijaj në Facebook.
Barrikada që ngrihej dy kilometra larg pikës kufitare të Merdares në territorin e Serbisë, është hequr mëngjesin e sotëm, ndërsa qarkullimi atje i është kthyer normalitetit të plotë.
Lajmi për heqjen e barrikadave u mësua mbrëmjen e së mërkurës, pasi Vuçiç pati një takim me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Largimi i barrikadave ishte kushtëzuar me lirimin nga paraburgimi të ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiç, i cili u arrestua për dyshimet se kishte organizuar sulmin e kryer ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Kosovës në pjesën veriore në fillim të muajit dhjetor.
Pantiç u lirua dje nga paraburgimi dhe masa ndaj tij, u zëvendësua me arrest shtëpie. Në një protestë që u zhvillua në fshatin Rudarë të Zveçanit, përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës vendosën edhe kushte të tjera për heqjen e barrikadave përfshirë formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Top Channel