Tri javë luftë! Bideni e quan Putinin kriminel lufte/ Asnjë informacion nga të strehuarit në teatrin që u bombardua në Mariupol

16/03/2022 22:27

Ukraina futet në javën e tretë të luftës, ndërsa ende nuk ka shpresa për paqe nga ana e Rusisë. Që herët në mëngjes, bombardimet ruse shënjestruan dy pallate në Kiev, duke lënë disa persona të plagosur. Edhe në qytetet jugore të Odesas dhe Zaporizhzhias pati shpërthime të shumta. 10 persona u vranë nga forcat ruse në Chernihiv këtë të mërkurë, ndërsa po qëndronin në radhë për bukë pranë një dyqani ushqimesh. Gjithashtu rusët sulmuan teatrin e Mariupolit ku strehoheshin qindra ukrainas .

22:45 Rusia pezullohet nga roli i FMN-së

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka pezulluar rolin e nderit që i është dhënë anëtarit më jetëgjatë të trupit huadhënës, pasi ai është rus. Aleksei Mozhin, drejtori ekzekutiv për Rusinë në organin global të huadhënies, mbante rolin e nderit të dekanit që prej vitit 2015.

22:33 Videoja e rreme e Zelenskyt, ku i kërkon popullit të dorëzohet, po bën xhiron e rrjetit

Një video presidentit Volodymyr Zelensky ku i bën thirrje ushtrisë ukrainase të dorëzojë armët ka bërë xhiron e rrjetit në mediet sociale. Videoja rezulton të jetë e rremë, konfirmon BBC. Edhe pse buzët e tij lëvizin në sinkron me audion, koka e Zelenskyt nuk përputhet me sfondin pas, ndërsa zëri nuk tingëllon si i tij.

22:25 “Shkatërrimi i shpresës!”, OBSH: Sulmet ndaj spitaleve pjesë e taktikave të luftës

Objektet e kujdesit shëndetësor po bëhen shënjestër e luftës, ka thënë Organizata Botërore e Shëndetësisë. OBSH ka verifikuar 43 sulme në spitale dhe objekte të kujdesit shëndetësor në Ukrainë. Dr Mike Ryan, drejtor ekzekutiv i programit të urgjencave shëndetësore të OBSH-së, thotë se sulmet janë të papranueshme ndaj kujdesit shëndetësor dhe po bëhen pjesë e strategjisë dhe taktikave të luftës.

22:21 “Rossgram” është gati! Në 28 mars, rusët mund të përdorin aplikacionin që zëvendëson “Instagram-in”

Pasi Instagram u bllokua nga Kremlini, rusët vendosën të lancojnë aplikacionin e ri për ndarjen e fotografive, ‘Rossgram’. Aplikacioni do të nisë të jetë funksional më 28 mars.

22:10 Ukraina: Lirohet kryetari i rrëmbyer i Melitopolit

Kryebashkiaku i Melitopolit, i cili thuhet se u rrëmbye nga forcat ruse pesë ditë më pare është liruar, sipas këshilltarëve të presidentit ukrainas. Presidenti Volodymyr Zelensky akuzoi më parë Rusinë se po kalonte në një “fazë të re terrori” pasi Ukraina shfaqi pamjet e atij, ku sipas tyre kryetari i bashkisë, Ivan Fedorov, po rrëmbehej me sy të lidhur. Melitopol ishte një nga qytetet e para që ra në duart e forcave ruse dhe u vendos një kryetar i ri bashkie. Qeveria e Ukrainës akuzoi gjithashtu Rusinë për rrëmbimin e kryetarit të qytetit të Dniprorudne.

21:40 “Fëmijë” në rusisht, pamjet satelitore tregojnë shkrimin misterioz në oborrin e teatrit të bombarduar të Mariupolit

Një imazh satelitor, i marrë nga Maxar dy ditë më parë, tregon fjalën “fëmijë” të shkruar me germa të mëdha të bardha në rusisht në pjesën e përparme dhe të pasme të teatrit të Mariupolit, i cili u bombardua këtë të mërkurë nga rusët. Zyrtarët lokalë thanë se teatri ishte kthyer në qendër strehimi nga qindra civilë ukrainas. Ata thanë se ishte shënjestruar qëllimisht dhe në mënyrë cinike nga një avion luftarak rus, ndërsa nuik dihet ende nëse ka viktima apo të plagosur. Sipas BBC, ministria ruse e Mbrojtjes mohoi të ketë sulmuar teatrin.

21:15 Biden: Putin është kriminel lufte!

Presidenti i SHBA Joe Biden e quajti Vladimir Putin “kriminel lufte”. Zyrtarët ishin të qartë se mizoritë po zhvillohen dhe se shënjestrimi i qëllimshëm i civilëve përbën krime lufte. Sekretarja Jen Psaki tha se Biden po fliste me zemër. Ajo tha se hetimi në vazhdim në Departamentin e Shtetit për krimet e luftës ishte duke u zhvilluar. Biden fillimisht tha “jo” kur u pyet nëse Putin ishte një kriminel lufte, por u kthye menjëherë te një grup gazetarësh për të sqaruar atë që ishte pyetur. Kur u pyet përsëri nëse Putin ishte një kriminel lufte, ai u përgjigj pozitivisht.

20:00 Putin njofton masat për kapërcimin e sanksioneve ekonomike perëndimore

Presidenti rus Vladimir Putin premtoi sot ndihmë financiare për qytetarët rusë dhe bizneset e vendit, duke bërë thirrje për unitet për tejkalimin e sanksioneve. Duke folur në takimin e qeverisë në Kremlin, ai i bëri thirrje rusëve “të mobilizohen” për të përballuar vështirësitë e shkaktuara nga sanksionet. Ai mbrojti me vendosmëri veprimin ushtrak në Ukrainë duke thënë se taktikat janë “tërësisht të justifikuara” duke shtuar se nuk kishte zgjidhje tjetër përveç dërgimit të ushtrisë.

20:00 Nga Kharkivi në Vlorë/ Udhëtimi i rrezikshëm në katër shtete i familjes ukrainase

Nga Kharkivi në Vlorë, këto dy familje ukrainase udhëtuan në shumë vende përpara se ta gjenin paqen dhe qetësinë në qytetin bregdetar shqiptar, për të cilin u kishin treguar të afërmit që kaluan pushimet verën e kaluar.

19:06 Gazetarja flet pas protestës kundër luftës në televizionin rus: Nuk mund të heshtim më, publikut po i bëhet lavazh truri

Gazetarja ruse Marina Ovsyannikova që pak ditë më parë protestoi kundër luftës në Ukrainë duke hyrë në studion e lajmeve të Channel 1 në Rusi gjatë kohës së transmetimit të drejtpërdrejtë thotë se nuk mund të heshtë më. Marina Ovsyannikova ngriti pas shpinës së prezantues një pankartë ku shkruhej: “Jo luftës. Mos i besoni propagandës. Ata po ju gënjejnë”. Në një intervistë për CNN, ajo thotë se kërkon që bota të dijë se shumë rusë janë kundër pushtimit. Marina thotë se si gazetarë, ajo dhe shumë kolegë të tjerë shohin një mospërputhje mes realitetit dhe asaj që transmetohet në kanalet televizive të vendit.

18:50 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë urdhëron Rusinë të ndalojë menjëherë pushtimin e Ukrainës

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ka urdhëruar Moskën të ndalojë menjëherë pushtimin e Ukrainës. Gjatë një seance dëgjimore të mërkurën, gjykata vendosi se nuk kishte prova për të mbështetur pretendimet ruse se Ukraina po kryente genocid në rajonet e Luhansk dhe Donetsk, ku Moska ka justifikuar pushtimin e saj në Ukrainë.

18:41 SHBA-ja ofron 800 milionë dollarë ndihmë shtesë për Ukrainën

Presidenti i SHBA-së Joe Biden nga Shtëpia e Bardhë ,njoftoi një ndihmë shtesë prej 800 milionë dollarësh për sigurinë e Ukrainës. Paketa e ndihmës ushtarake që Biden njoftoi përfshin raketa antitank dhe më shumë nga armët mbrojtëse që SHBA ka ofruar tashmë. Vendimi i së mërkurës i Biden erdhi menjëherë pasi Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i bëri thirrje Kongresit amerikan për ndihmë direkte, duke u thënë se “ne kemi nevojë për ju tani” ndërsa iu kujtoi tragjedi në Pearl Harbor dhe sulmin terrorist të 11 shtatorit. Zelensky iu drejtua Bidenit drejtpërdrejt në fjalimin historik, duke i thënë “Ti je lideri i kombit tënd të madh. Uroj që të jesh lideri i botës. Të jesh lider i botës do të thotë të jesh lider i paqes.

18:36 NATO-ja shton mbrojtjen/ Stoltenberg: Nuk ka zonë ndalim fluturimi mbi Ukrainë

Sekretari i përgjithshëm i NATO Jens Stoltenberg pas takimit me ministrat e mbrojtjes të aleancës i tha medieve se vendet e NATO-s janë të bashkuara në qëndrimin e tyre për të mos vendosur një zonë ndalimi fluturimi mbi Ukrainë, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të presidenti Volodymyr Zelensky.

Teatri i bombarduar i Mariupolit

18:17 Bombardohet teatri ku strehoheshin qindra ukrainas në Maripol

Teatri i Mariupolit ku strehoheshin qindra ukrainas është sulmuar këtë të mërkurë, sipas një njoftimi nga këshilli bashkiak i qytetit. Në njoftim thuhet se forcat ruse kanë “shkatërruar qëllimisht Teatrin e Dramës në zemër të Mariupolit. Aeroplani hodhi një bombë në një ndërtesë ku ishin fshehur qindra banorë paqësorë të Mariupolit”. Godina është shkatërruar, ndërkohë që ende nuk ka të dhëna për viktima.

18:14 “Më mirë të luftosh në Ukrainë se sa të jetosh këtu”, rrëfimi i nigerianit

Kur Rusia nisi pushtimin e saj në Ukrainë muajin e kaluar, 27-vjeçari nigerian Ottah Abraham u zemërua. I diplomuari për filozofi është një nga disa qindra afrikanë, nga vende si Nigeria, Kenia, Senegali, Afrika e Jugut dhe Algjeria, të cilët thonë se janë të gatshëm të marrin armët në betejën kundër Rusisë, pjesërisht për t’i shpëtuar perspektivave të zymta me të cilat përballen shumë të rinj në shtëpi.

18:05 Rusia po shqyrton modelin e një Ukraine neutrale me ushtri

Të enjten bëhen tre javë që kur kreu i shtetit rus, Vladimir Putin urdhëroi sulmin ndaj Ukrainës. Qëllimi i tij i deklaruar, “çmilitarizimi” i Ukrainës, nuk është arritur gjatë kësaj kohe dhe ai mund të mos e dëshirojë më. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov tha në mesditë se modeli i neutralitetit të Ukrainës me ushtrinë e saj po konsiderohet si një zgjidhje e mundshme e negociuar.

17:50 Plani i paqes ka 15 pika! Financial Times: Ja si mund të arrihet marrëveshja Rusi-Ukrainë

Një plan me 15 pika i shtruar në tryezën e negociatave të palës ruse dhe ukrainase mund të sjellë një marrëveshje për paqe pas 3 javësh pushtim. Financial Times raporton se palët kanë bërë progres në bisedime bazuar mbi këtë plan,  ku përfshihet një armëpushim dhe tërheqje e trupave ruse nëse Kievi deklaron neutralitet dhe pranon kufizime për forcat e tij të armatosura.

17:40 Ukraina lidhet me rrjetin kryesor evropian të energjisë elektrike

Energjia elektrike në Ukrainë është e lidhur me rrjetin kryesor evropian, për të shmangur ndërprerjet prej sulmeve ruse. Fuqia po rrjedh nga Ukraina në BE dhe anasjelltas, përmes Rrjetit Evropian Kontinental, sipas presidentit ukrainas Volodyymyr Zelensky. Zelensky tha se ishte mirënjohës për zyrtarët e lartë të BE-së që bënë ndryshimin. Moldavia, e cila kufizohet me Ukrainën, ka pasur gjithashtu sinkronizimin e energjisë elektrike me rrjetin evropian.

17:27 Stoltenberg: Nuk do vendosim forca tokësore dhe ajrore në Ukrainë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur para gazetarëve në Bruksel pas një takimi të ministrave të mbrojtjes të aleancës.Stoltenberg përgjigjet se aleatët janë të bashkuar në vendimin për të mos vendosur forca në tokë ose në hapësirën ajrore, sepse sipas tij kanë përgjegjësinë për të siguruar që lufta të mos përshkallëzohet përtej Ukrainës. BBC pyeti gjithashtu nëse ai mendon se Ukraina është ‘ftohur’ me pjesën e anëtarësimit në NATO si një mjet negociues me Rusinë. Ai tha se Ukraina është një komb sovran, i pavarur dhe “ka të drejtën e vet të zgjedhë rrugën e saj. U takon atyre të vendosin nëse ata aspirojnë anëtarësimin në NATO apo jo”, thotë ai.

17:10 Putin: Perëndimi nuk do arrijë ta copëtojë Rusinë

Presidenti rus Vladimir Putin në mënyrë të ashpër theksoi se Perëndimi nuk dp të arrijë dominimin global dhe të copëtojë Rusinë. Putin gjatë një takimi këtë mëngjes tha se nëse Perëndimi mendon se Rusia do të tërhiqet, atëherë nuk e kupton Rusinë. Ai foli gjithashtu për sanksionet e krijuara për të goditur ekonominë e Rusisë, duke shtuar se banka qendrore nuk ka nevojë të printojë para dhe vendi ka burime të mjaftueshme financiare.

17:00 Rusët sulmuan ukrainasit që qëndronin në radhë për bukë, 10 të vdekur (Pamjet)

Zyrtarët ukrainas kanë konfirmuar se 10 persona janë vrarë nga forcat ruse në qytetin verior të Chernihiv këtë të mërkurë. Në një deklaratë nga zyra e prokurorit të përgjithshëm të Ukrainës thuhet se sulmi ndodhi rreth orës 10:00 me orën lokale (08:00 GMT) kur ushtarakët e Forcave të Armatosura Ruse qëlluan mbi njerëzit që qëndronin në radhë për bukë pranë një dyqani ushqimesh.

16:15 “Mund të na vrasin!”, rrëfimi prekës i ukrainases

Olga, ukrainasja që jeton në qytetin port në jug të Ukrainas, Kherson tha se kanë frikë të largohen pasi ekziston mundësia e vrasjes nga rusët. Olga pretendon se njerëzit që kanë protestuar janë grumbulluar dhe vrarë. Ajo thotë gjithashtu se ka mungesë ushqimi dhe ilaçesh, si dhe probleme me gazin, rrymën, ngrohjen dhe komunikacionin.

15:00 Zelensky i kujton SHBA-së 11 shtatorin: Mos e harroni tmerrin, tani e kalojmë ne!

Në një fjalim historik përpara Kongresit amerikan, të zhvilluar me lidhje video, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i kujtoi SHBA-së tmerrin e sulmeve të 11 shtatorit e Pearl Harborin, teksa i drejtoi një apel të ndjerë ligjvënësve që të bëjnë më shumë për të ndihmuar vendin e tij.

Zelensky: Miq, amerikanë, në historinë tuaj mashështore, ju keni faqe që do t`ju lejojnë t`i kuptoni ukrainasit, të kuptoni se çfarë po kalojmë në këto momente. Mos e harroni 11 shtatorin, një ditë e tmerrshme e vitit 2001 kur e keqja u përpoq t`i kthente qytetet amerikane në fushëbeteja, ku njerëz të pafajshëm u sulmuan nga ajri dhe ju nuk e ndalonit dot. Vendi ynë po përjeton të njëjtën gjë, çdo ditë. Ne kemi nevojë për ju tani. Ju bëj thirrje që të bëni më shumë.

14:38 Zelensky në Kongresin Amerikan: Rusia nuk na ka sulmuar vetëm ne

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim virtual për anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit të SHBA. Para se të fliste, Zelensky u duartrokit nga ligjvënësit e SHBA dhe më pas lavdëroi trimërinë e popullit të tij ukrainas duke thënë se “fati i vendit të tij” po vendoset pikërisht tani.

Zelensky përmendi sulmet në Pearl Harbor dhe sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në fjalimin e tij para ligjvënësve amerikanë.

“Rusia nuk na ka sulmuar vetëm ne, jo vetëm tokën tonë, jo vetëm qytetet tona. Rusia hodhi tanke dhe avionë kundër lirisë sonë, kundër të drejtës sonë për të jetuar të lirë në vendin tonë, duke zgjedhur të ardhmen tonë. Kundër dëshirës sonë për lumturi, kundër ëndrrës sonë kombëtare, ashtu si të njëjtat ëndrra që keni ju, amerikanët, si kushdo tjetër në Shtetet e Bashkuara”, tha presidenti ukrainas.

14:21 Ishin në radhë për bukë, trupat ruse vrasin 10 persona në  Chernihiv

Një tjetër akt barbar është marrë nga forcat ruse në Ukrainë, të cilët kanë vrarë 10 persona, të cilët ishin në radhë për të marrë bukë. Lajmin e ka dhënë Ambasada amerikane në Ukrainë, e cila shkruan në Twitter se sot forcat ruse qëlluan dhe vranë 10 persona në qytetin verior të Chernihiv.

14:01 Boris Johnson: Ukraina nuk mund të futet në NATO

Boris Johnson thotë se nuk ka asnjë shans që Ukraina të bashkohet me NATO-n së në një të ardhme të afërt, por thekson se vendimi duhet të merret nga presidenti i vendit. Duke folur gjatë vizitës së tij në Abu Dhabi, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar thotë se ka biseduar sërish me Zelenskyn.

13:51 Ukraina refuzon ofertën ruse: Duhet vetëm me garanci ligjore

Një këshilltar i presidentit të Ukrainës,  ka thënë se propozimi rus që Ukraina të miratojë një neutralitet të stilit austriak është i papranueshëm për vendin. Mykhailo Podoliak, një anëtar i ekipit negociator ukrainas, u tha mediave lokale se çdo marrëveshje paqeje duhet të jetë në kushte ukrainase që mbrojnë sovranitetin e saj.

13:00 Vritet dhe gjenerali i katërt rus, Moska mbetet “pa kokë” në luftimet e Ukrainës!

Një gjeneral i katërt rus është vrarë në Ukrainë, shenjë e qartë kjo se krerët ushtarakë të Moskës po detyrohen të drejtojnë vetë në front, thotë BBC. Anton Gerashchenko, këshilltar në ministrinë e brendshme ukrainase, pretendon se gjatë luftimeve të ashpra në periferi të qytetit jug-lindor të Mariupolit,  forcat e vendit të tij kanë vrarë gjeneral majorin rus Oleg Mityaev.

12:30 Biden përgatit përgjigjen:Zëdhënësja tallet me Rusinë!

Teksa Europa përgatitet për një vizitë të presidentit Joe Biden, kanë dalë detajet e para të ndalesës së kreut të administratës amerikane në Bruksel. Biden do të ketë takime intensive me liderët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të diskutuar rreth agresionit rus në Ukrainë. “në 24 mars presidenti amerikan do t’i bashkohet një samiti të posaçëm të NATO-s, ku do të riafirmojë angazhimin ‘e hekurt’ të SHBA-së në mbrojtje të aleatëve”, tha sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki.

12:00 I shpëtoi luftës në Afganistan e Siri, vdiq në Ukrainë: Si u vra kameramani “legjendar”

Kameramani i Fox News, Pierre Zakrzewski, u vra së bashku me një kolege ukrainase, Oleksandra Kuvshynova, teksa raportonin në periferi të Kievit mbi situatën në kryeqytetin ukrainas. Ata po udhëtonin në një makinë me gazetarin e stacionit të njohur televiziv, Benjamin Hall, kur drejt mjetit të tyre u hap zjarr. Hall, një korrespondent i Departamentit të Shtetit, është shtruar në spital, por ende nuk ka informacione mbi gjendjen e tij. Zakrzewski, 55 vjeç, shtetas irlandez por që jetonte në Londër, kishte punuar në Ukrainë që prej muajit shkurt.

11:30Nuk do t`ju lemë vetëm”, kryeministrat europianë në Kiev: Urgjent statusi i kandidatit

Me udhëtimin e tyre drejt Kievit në kohën kur Ukraina është e sulmuar prej Rusisë, një veprim sa i guximshëm, aq edhe i rrezikshëm, kryeministrat e Polonisë, Slloveniase dhe republikës Ceke, u përpoqën të tregonin se vendi do të ketë të gjithë mbështetjen e BE-së. Pas takimit me presidentin Volodymir Zelensky, shefi i ekzekutivit polak, Mateusz Morawiecki i bëri thirrje Bashkimit Europian që Ukrainës t`i jepët sa më parë statusi i vendit kandidat.

11:00 OKB: Zgjatja e luftës do sjellë skamje, në Kharkiv shpërthen Covid 19!

Nëse pushtimi i Ukrainës nga Rusia do të vazhdojë gjatë, 30 për qind e popullsisë prej 44 milionë banorësh të këtij vendi rrezikon të përballet me varfërinë e skajshme, ndërsa mbi 60 për qind do të varfërohet brenda një viti: këtë tregojnë përllogaritjet e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP). Projeksioni i këtij organizmi, i publikuar së fundi, bazohet në vlerësimet e qeverisë ukrainase se lufta deri më tani ka shkaktuar një humbje prej të paktën 100 miliardë dollarësh të infrastrukturës kryesore si rrugët, urat dhe spitalet, dhe ka shkaktuar mbylljen e të paktën gjysmës së bizneseve të Ukrainës, ndërsa gjysma tjetër nuk funksionon me kapacitet të plotë.

10:39 103 fëmijë të vrarë që nga fillimi i pushtimit rus

Prokurorja i Ukrainës ka bërë të ditur se në tre javë luftë, forcat ruse kanë vrarë 103 fëmijë ukrainas. Forcat ruse kanë shënjestruar më shumë se 400 shkolla dhe 59 prej tyre janë shkatërruar, tha prokurorja e përgjithshme, Iryna Venediktova.

10:25 Tjetër goditje për Putinin, vritet gjenerali i katërt rus

Zyrtarët ukrainas thonë se kanë vrarë një gjeneral të katërt rus. Anton Gerashchenko, një këshilltar në ministrinë e brendshme të Kievit, pohoi se forcat ukrainase vranë gjeneralmajorin rus Oleg Mityaev gjatë luftimeve intensive në periferi të qytetit juglindor të Mariupol. Gerashchenko shkroi se Mityaev ishte komandanti i divizionit të pushkëve të motorizuara. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky raportoi gjithashtu vdekjen e një gjenerali tjetër rus gjatë fjalimit të tij të natës nga Kievi, por nuk e përmendi emrin e tij. Rusia besohet të ketë rreth 20 gjeneralmajorë në Ukrainë që udhëheqin pushtimin.

10:05 Prekëse! Qeni i tmerruar nga bombardimet refuzon të largohet

Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës ka shpërndarë një fotografi prekëse, ku duket një burrë teksa përpiqet të ndihmojë qenin e tij, i cili është shtrirë në tokë nga frika. Mesa duket, pas bombardimeve të shumta në Irpin, qeni refuzon të ikë më tej.

09:54 Truss: Putin ka shkatërruar sigurinë globale, ta ndalojmë me çdo kusht!

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar Liz Truss, është shprehur se presidenti rus Vladimir Putin, ka shkatërruar sigurinë europiane. Në një intervistë për BBC, Truss tha se Putini po përdor armë të tmerrshme dhe forcë të tmerrshme në pushtimin e tij në Ukrainë.

09:33 Zelensky thirrje zyrtarëve rusë: Jepni dorëheqjen, kundërshtoni luftën!

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskly u ka bërë thirrje të drejtpërdrejt zyrtarëve të lartë rusë dhe figurave të medias që të japin dorëheqjen nga postet e tyre dhe të mbajnë qëndrim kundër pushtimit të Ukrainës. Në një video mesazh të ndarë mbrëmë nga kryeqyteti ukrainas i Kievit, Zelensky iu drejtua të gjithë zyrtarëve të Federatës Ruse.

09:22 OKB paralajmëron varfëri nëse zgjatet lufta në Ukrainë

Nëse pushtimi i paprovokuar i Ukrainës nga Rusia do të vazhdojë edhe më gjatë, pothuajse 30 për qind e popullsisë prej 44 milionë banorësh, mund të bie në varfëri të skajshme, kurse mbi 60 për qind rrezikon të varfërohet brenda një viti, vlerëson Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), në një projeksion të hershëm të publikuar më 16 mars.

08:53 Zelensky optimist: Negociatat në bisedimet e paqes duken më realiste

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky,  është shprehur se ka progres në bisedimet e paqes, pas raundit të negociatave të së martës. Në një fjalim me video mbrëmë vonë, Zelensky zbuloi se negociatat me Rusinë tashmë duken më realiste. Kryeministri Zelensky shtoi se “duhet ende kohë që vendimet të jenë në interes të Ukrainës”.

08:45 Shpërthime në Odesa dhe Zaporizhzhia, sistemet ajrore lëshojnë predha

Në qytetet jugore të Odesa dhe Zaporizhzhia ka pasur shpërthime nga forcat ruse që herët  në mëngjes. BBC shkruan se në Odessa u dëgjuan zhurma të forta, të cilat mund të ishin sistemet e mbrojtjes ajrore që rrëzonin predha. Dhe në Zaporizhzhia, sekretari i këshillit të qytetit Anatoliy Kurtev shkroi në Telegram se një shpërthim goditi një stacion hekurudhor. Nuk ka ende detaje nëse ka viktima në këto zona.

08:29 Bombardimet ruse godasin pallatin 12-katësh në Kiev

Shërbimet e urgjencës së qytetit thanë se një ndërtesë banimi 12-katëshe në lagjen Shevchenko u godit nga bombardimet ruse rreth orës 6 të mëngjesit. Një ndërtesë afër saj, nëntëkatëshe u dëmtua gjithashtu, thonë autoritetet. BBC shkruan se dy persona janë lënduar dhe 35 janë evakuuar nga ndërtesa. Zjarri u shua në orën 07:45 dhe ekipet e shpëtimit janë duke kërkuar për të mbijetuar. Banorët në të gjithë qytetin mbeten të strehuar në bunkerë, strehimore nëntokësore dhe shtëpitë e tyre mes një shtetrrethimi dyditor.

Çfarë po ndodh në Ukrainë?

Forcat ruse vazhdojnë të sulmojnë qytete në të gjithë Ukrainën me bombardime që godasin ndërtesat në kryeqytetin Kiev këtë mëngjes

Dy persona janë plagosur pasi një ndërtesë banimi 12-katëshe është goditur në lagjen Shevchenko

Një shtetrrethimi po mbahet në Kiev pasi kryebashkiaku Vitali Klitschko paralajmëroi për “një moment të vështirë dhe të rrezikshëm”.

Por duket se ka pasur njëfarë progresi në bisedimet e paqes midis dy palëve me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky duke thënë se ato kanë filluar të “duken më realiste”.

Negociatori Mykhailo Podolyak thotë se ka “kontradikta themelore” gjatë bisedimeve, por “sigurisht hapësirë ​​për kompromis”

Diku tjetër, në qytetin jugor të rrethuar të Mariupolit, nënkryetari i bashkisë thotë se trupat ruse po mbajnë 400 njerëz, përfshirë mjekë dhe pacientë, “si pengje”.

Forcat ruse vazhdojnë të luftojnë për të avancuar ndërsa luftojnë me terrenin e Ukrainës si dhe forcat e saj, thotë Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel