Kokë më kokë me krerët e NATO-s, Biden përgatit përgjigjen: Zëdhënësja tallet me Rusinë!

16/03/2022 12:32

Teksa Europa përgatitet për një vizitë të presidentit Joe Biden, kanë dalë detajet e para të ndalesës së kreut të administratës amerikane në në Bruksel.

Biden do të ketë takime intensive me liderët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian për të diskutuar rreth agresionit rus në Ukrainë.

“Më 24 mars presidenti amerikan do t’i bashkohet një samiti të posaçëm të NATO-s, ku do të riafirmojë angazhimin ‘e hekurt’ të SHBA-së në mbrojtje të aleatëve”, tha sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki. Po në të njëjtën ditë, ai do të jetë pjesë e samitit të planifikuar të Këshillit Evropian për të koordinuar përgjigjen transatlantike ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Duke reaguar ndaj lajmit se Kremlini e kishte shtuar Bidenin në listën e individëve të ndaluar të hynin në Rusi, Jen Psaki tha se kjo nuk do të kishte ndikim në orarin e presidentit.

Ajo madje e vuri në lojë këtë lëvizjes të Moskës. “Asnjëri prej nesh nuk po planifikon udhëtime turistike në Rusi, asnjëri prej nesh nuk ka llogari bankare atje, qasjen e të cilave Moska të na e ndalojë, kështu që do të vazhdojmë përpara”, u shpreh ajo me ironi duke treguar se sanksionet ruse nuk e cënojnë aspak kreun e shtetit amerikan, apo njerëzit pranë tij.

Rusia vendosi një ditë më parë sanksione edhe ndaj ish të nominuarës demokrate për presidencën amerikane, Hillary Clinton, sekretarit aktual të mbrojtjes Lloyd Austin, ndihmës sekretarit të Thesarit  Wally Adeyemo dhe këshilltarit të sigurisë kombëtare, Jake Sullivan.

Top Channel