Zgjedhësit e Vorës, Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Lushnjës e Rrogozhinës votuan sot në zgjedhjet e pjesshme lokale për të caktuar kryetarin e ri të bashkisë. Mbi 160 mijë qytetarë me të drejtë vote iu përgjigjen thirrjes për të marrë pjesë në votime mes kandidatëve të PS-së, PD-së dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, por në qendrat e votimit pati një numër të ulët pjesëmarrësish.

Në të gjashta bashkitë, shifrat e pjesëmarrësve janë më të ulëta krahasuar me ato të një viti më parë, në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

Votimi u zhvillua normalisht, me përjashtim të disa qendrave, kryesisht në Shkodër, ku nuk u bë i mundur votimi për shkak të motit të keq me dëborë. Procesi i votimit në zgjedhjet e 6 marsit u shoqërua nga një klimë e qetë politike, ndërsa nuk munguan thirrjet ndaj qytetarëve për të marrë pjesë në votime.

Në këto zgjedhje garuan kandidatë të Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe të koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, me përjashtim të Dibrës, ku krahas kandidatëve të tre subjekteve të mësipërme kandidoi edhe një kandidat nga një forcë e katërt politike. Drejtuesit e rinj vendor në këto bashki do të kenë një mandat të shkurtër 1-vjeçar.

00: 49 Gara në bashkinë Shkodër/ Kryeson Bardh Spahia i “Shtëpisë së Lirisë”

Kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Bardh Spahia  kryeson deri më tani gjatë numërimit të votave në Shkodër.

00:45 Gara brenda të djathtëve! “Shtëpia e Lirisë” e Berishës më shumë vota se Partia Demokratike në 3 bashki

Zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit ishin dhe një garë brenda së djathtës, ku garon Partia Demokratike e drejtuar nga Lulzim Basha dhe koalicioni i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Sali Berishës “Shtëpia e Lirisë”.

10:18 Gara për bashkinë e Lushnjës/ Në avantazh Eriselda Sefa, forcë e dytë “Shtëpia e Lirisë”

Kandidatja e PS-së, Eriselda Sefa është në avantazh deri më tani në garën për bashkinë Lushnjë.

23:49 Nis procesi i numërimit të votave në Lushnjë

Edhe në Lushnjë ka nisur procesi i numërimit të votave. Procesi i numërimit të pesë kutive të para ndodhi në KZAZ 55 të bashkisë Lushnjë.

23:21 Nis procesi i numërimit të votave në Rrogozhinë

Procesi i numërimit të votave ka nisur në Rrogozhinë, pas më shumë se pesë orësh. Në Rrogozhinë garojnë Edison Memolla, kandidat i PS-së, Ferdinand Saraçi me PD-në dhe Hekuran Xhani me Shtëpinë e Lirisë.

22:15 Berisha: Doktor Luan Hoti po blen elektoratin me lek në Manzë

Pak orë pas mbylljes së procesit të votimit në gjashtë bashkitë e vendit, ka reaguar ish-kryeministri Sali Berisha. Ai ka hedhur akuza për blerje votash nga ana e Partisë Demokratike.

21:24 Veliaj: Kemi fituar bashkinë e Vorës me 70%, do t’ju shërbejmë të gjithëve njësoj

Kandidati i Partisë Socialiste, Blerim Shera u shpall kryebashkiaku i ri i bashkisë Vorë. Drejtuesi socialist i qarkut Tiranë, Erion Veliaj, fitoren e së majtës në Vorë e cilëson si vlerësim për punën e bërë në këtë bashki.

21:00 Sefa:Kushtet atmosferike nuk ishin në favor të lushnjarëve

Kandidati i PD-së në Lushnje, Indrit Sefa tha këtë të diel, pas mbylljes së procesit të votimit tha se kushtet atmosferike nuk ishin në favor të pjesëmarrjes së lartë në zgjedhje, por shumë lushnjarë e ushtruan të drejtën e tyre kushtetuese.

20:30 Vijon dorëzimi i materialeve zgjedhore në gjashtë bashkitë e vendit

Dorëzimi i materialeve të votimit vijon në të gjashta bashkitë e vendit. Në disa prej qyteteve shiu i dendur e ka vështirësuar punën.

19:45 Gjiknuri: PS do të pranojë çdo rezultat

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri në një deklaratë për mediat theksoi se zgjedhjet e 6 marsit ishin të qeta dhe pa probleme.

19:26 Pjesëmarrje e ulët në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit/ Votuan 30.33% qytetarë

Dibër

Pjesëmarrja në Dibër 43.35% këtë të diel, ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit 2021 53.01%

Durrës

Pjesëmarrja këtë të diel 26.27%, ndërsa një vit më parë 42.48%.

Lushnjë

Pjesëmarrja në zgjedhjet vendore 35.96%, ndërsa në zgjedhjet e përgjithshme 46.95%.

Shkodër

Pjesëmarrja këtë të diel 29,11%, kurse në zgjedhjet e 25 prillit 41.53%.

Rrogozhinë

Pjesëmarrja e qytetarëve 30.92%, kurse në zgjedhjet e 25 prillit një vit më parë 43.77%.

Vorë

Pjesëmarrja 40.33%, kurse në zgjedhjet e përgjithshme të para një viti 54.9%.

18: 43 Çudira në Lushnjë/ Banorët krijojnë kutinë e fshehtë të votimit me dollap e çarçaf

Qendra e votimit në fshatin Zhamë të Lushnjës tregon vullnetin e madh të banorëve për të votuar. Në pamundësi të të pasurit një dhomë normale votimi, ata e kanë krijuar vetë një të tillë. Ata kanë marrë dollap e çarçaf nga shtëpia e tyre.

18:39 “E di që je lodhur, por do lodhesh më shumë po të rrish kot”, Braçe apel lushnjarëve të votojnë

Një orë para se të mbyllet orari zyrtar i votimeve, deputeti Erion Braçe u ka kërkuar zgjedhësve lushnjarë të dalin në votime.

17:51 I mban ‘peng’ një i dënuar! Burgu i Rrogozhinës mund të jetë qendra e vetme e votimit me pjesëmarrje 100%

Qendra e votimit në burgun e Rrogozhinë mund të jetë e vetmja që arrin një pjesëmarrje të plotë të zgjedhësve. Një anëtar i KZAZ-së tregoi për gazetarin Geri Kolgega se nga burgu i Rrogozhinës deri tani kanë votuar 53 të dënuar. “Interesante është se ka mbetur vetëm një i burgosur, që njëherë thotë do të votoj, njëherë thotë jo, nuk e ka ndarë mendjen. Megjithatë, materialet zgjedhore dhe përfaqësuesit do të jenë aty deri në orën 19:00”.

17:33 Nënkryetarja e KQZ: Probleme me pajisjet e votimit në disa bashki

Nënkryetarja e KQZ-së, Lealba Pelinku në një komunikim për mediet tregoi informacionet e fundit për problemet me pajisjet.“Tre qendra në Shkodër në të cilat ka qenë e pamundur të përdoret pajisja e votimit, një qendër në Durrës dhe Dibër, janë bërë me dije në 7 të mëngjesit. Kemi pasur edhe dy qendra votimit që procesi ka nisur me pajisjet Pay dhe për shkak të problematikave ka  përfunduar në atë manual. Vetëm në dy qendra votimit nuk është arritur të bëhet zëvendësimi”, tha Pelinku.

17:30 I lidh gjaku, jo partia/ Vëllezërit në Lushnjë me bindje të ndryshme politike

Vëllezërit Ibraliu në fshatin Zhamë të Lushnjes i lidh gjaku, por jo bindjet politike.Vëllai i madh mbështet Partinë Demokratike, kurse më i vogli është me “Shtëpinë e Lirisë”, koalicionin e krijuar nga Sali Berisha, LSI dhe PDK-ja. Ata gjithashtu janë përfshirë në debate mes tyre, ndërsa janë në të njëjtën qendror votimi. Gazetarja e Top Channel, Kristi Gongo arriti që të realizonte një foto me dy vëllezërit.

17:23 Dibra me numrin më të lartë të pjesëmarrjes, Durrësi renditet i fundit

Qytetarët e gjashtë bashkive u janë drejtuar qendrave të votimi për të zgjedhur kryetarin e tyre të bashkisë, për një mandat 1-vjeçar. Pjesëmarrja më e lartë e votuesve u shënua në Dibër. Ku 37.17% e qytetarëve u janë drejtuar kutive të votimit, për të zgjedhur kryebashkiakun me mandatin pothuajse të papërfillshëm. Pas Dibrës, i renditur me pjesëmarrje më të lartë është ai i Vorës, ku 34.22% e qytetarëve kanë zgjedhur të shprehin të preferuarin e tyre me anë të votës.

17:04 Komisioneri i Durrësit: Nuk ka interes nga qytetarët

Një prej komisionerëve të bashkisë Durrës theksoi se nuk ka pasur aq shumë interes të qytetarëve për të votuar këtë gjashtë mars në zgjedhjet e pjesshme vendore në vend. “Nuk ka interes, gjithashtu ka pasur largime masive, do kishte më tepër interes po të ishin zgjedhje vendore”, tha komisioneri në Durrës. Deri në orën 16:00 ka pasur 21.8% pjesëmarrje në këtë bashki. Në të njëjtën kohë në këtë bashki kishte 15% më shumë pjesëmarrje të qytetarëve.

16:47 Ngelën në mes të borës/ Komisionieri i Shkodrës bën komentin epik

Një prej komisionerëve të ngelur në mes të dëborës në Dukagjin tha për Top Channel se rruga ishte e pakalueshme. Komisioneri i PS-së u shpreh se ishte faji i Ilir Metës dhe bashkisë së Shkodrës për kushtet në të cilat ndodhej rruga.

16:02 KQZ përditëson të dhënat, Shkodra dhe Durrësi me pjesëmarrje të ulët

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përditësuar të dhënat për pjesëmarrjen në zgjedhjet e pjesshme lokale. Deri në orën 15:00, rezulton se në total kanë votuar 24.66% të qytetarëve që kishin të drejtë vote në këto zgjedhje të pjesshme. Në vendin e parë qëndron Dibra me 35.13%, ndërsa e dyta vjen Vora me 31.89%. Më pas vjen Lushnja me 28.67%, ndërsa në Rrogozhinë 27%. Ende Shkodra e Durrësi janë të fundit, me përkatësisht 21.79% dhe 20.36%.

15:21 Pjesëmarrje e ulët në zgjedhjet e pjesshme lokale

Një pjesëmarrje e ulët është vënë re në votimet e sotme në 6 bashkitë e vendit. Sipas KQZ-së në votime deri në orën 14:00 pjesëmarrja ka qenë 21.16%. Janë raportuar në KQZ, 592 nga 942 qendra votimi në total, ndërkohë që kanë votuar mbi 87 mijë nga 416058 zgjedhës në listën e Qendrave të Votimit të raportuara. Në Rrogozhinë, pjesëmarrja deri në mesditë 23.44%. Në Dibër, pjesëmarrja 29.81% deri në mesditë. Në Durrës, pjesëmarrja 17.19% dhe në Lushnjë 27.39 % është pjesëmarrja në votime deri në 14:00.

15:03 Vorë, probleme me komisionerët/ PD akuzon se PS dhe LSI janë bërë bashkë

Palët politike janë përplasur në Vorë pasi Partia Demokratike nuk ka komisionerë zgjedhor në të gjitha qendrat e votimit. Kjo ndodhi sepse komisionerët e PD nuk e kishin vendbanimin në këtë bashki dhe ky është një kusht që parashikohet në kodin zgjedhor. Aktualisht në 22 qendra votimi në bashkinë e Vorës partia demokratike nuk ka paraqitur komisionerë, ndërsa në 22 qendrat e tjera ka vetëm sekretarin. Kjo situatë erdhi pas ndërhyrjes së komisionerit shtëror i cili i kërkoi KZAZ të plotësojë kuorumin. Kuorumi është plotësuar nga komisionerët e PS dhe “Shtëpisë së Lirisë”.

14:45 Anulohen zgjedhjet në Pult e Shosh, Celibashi: Kaloi afati prej 5 orësh

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se anulohen zgjedhjet në Pult e Shosh duke qenë se komisionerët nuk arritën të shkojnë për shkak të kushteve të motit. Celibashi tha se ka kaluar afati prej 5 orësh, ndaj anulohen zgjedhjet në këto 3 qendra votimi.

13:47 Kaso dhe Ristani: Basha nuk gjeti komisionerë në Vorë, por tentoi t’i importonte nga jashtë

Dy përfaqësuesit e Shtëpisë së Lirisë, Ivi Kaso dhe Arben Ristani komentuan për mediat mungesën e komisionerëve të Partisë Demokratike në Vorë. Kaso tha se PD-ja e Lulzim Bashës nuk po mundet të gjejë as komisionerë për të mbuluar procesin në këto zgjedhje të pjesshme vendore, ndërsa vuri në dukje se po përpiqen për të manipuluar procesin. Ai theksoi se deri më tani, procesi ka vijuar sipas Kodit Zgjedhor, ndërsa shtoi se pretendimet e PD-së kanë si qëllim për ta ndotur këtë proces në Vorë.

13:35 Pano Soko: Njerëzit janë të neveritur nga situata në PD, nuk shkojnë në votime

Pano Soko është i ftuar në Top Channel, ku po zhvillohet transmetim maratonë i zgjedhjeve në 6 bashki të vendit dhe ka folur për pjesëmarrjen e ulët të votuesve. Teksa përmend çmimin e lartë të naftës, Pano Soko thotë se qytetarët janë të neveritur nga situata në PD, aq sa edhe në këtë situatë nuk shkojnë në zgjedhje për të bërë ndryshime.

13:34 Kaloi afati kohor, anulohen zgjedhjet në dy qendra votimi në Shkodër

Procesi zgjedhor është anuluar në dy qendra votimi, një në Shosh dhe një në Pult në Bashkinë e Shkodrës, pasi kaloi afati kohor. Këto dy qendra votimi nuk u hapën brenda afatit kohor prej pesë orësh, sipas parashikimeve në Kodin Zgjedhor. Në proces- verbalin e firmosur nga komisionerët e PD-së, kërkohet një vendim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

13:21 Kim: Zyrtarët shqiptarë duhet të sigurojnë se votuesit po shprehin vullnetin e tyre

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim këtë të shtunë u bëri thirrje zyrtarëve shqiptarë që të sigurojnë votuesit se ata mund të shprehin lirisht vullnetin e tyre, pa asnjë trysni, blerje votash ose pengesa të tjera. Një thirrje të tillë, Kim e bëri përmes rrjetit social “Instagram”, e cila theksoi se ndërkombëtarët po vëzhgojnë zgjedhjet.

12:47 Kallëzimi i PD për qendrën e votimit në Vorën, reagon përfaqësuesi i PS-së në KQZ: Problemi, ligjërisht i zgjidhur

Përfaqësuesi i PS në KQZ, Eridian Salianji hodhi poshtë pretendimet e PD se PS dhe LSI po bllokojnë procesin e votimit në Vorë. Sipas Salianjit, problematika e PD-së për të gjetur komisionerë ka krijuar ngërçin, i cili ligjërisht është i zgjidhur pasi qendrat e votimit kanë kuorumin e nevojshëm për të vijuar procesin. “Për sa i përket problemit jo logjik është se PD ngre një problem mbi emërimin e anëtarëve, PD ka detyrimin ligjor t’i çojë pranë KZAZ-së banorë të bashkisë Vorë. Problematika e PD-së për të gjetur komisionerë nuk është shkelje e ligjit. Edhe në momentet që flasim partia Demokratike ka detyrimin të paraqesë komisionerë dhe të ushtrojë detyrimet që i jep ligjit për të organizuar procesin e votimit me anëtarët.

12:24 Bora bllokon votimin, komisionerët prej një ore lëvizin jo më shumë se 500 metër

Kushtet atmosferike kanë penguar votimin në disa qendra në zonën e Dukagjinit. Komisionerët e kanë pasur të pamundur që të shkojnë në qendrat e votimit pasi automjetet e tyre janë bllokuar në dëborë. Në pamjet e siguruara nga Top Channel duket se komisionerët janë bllokuar në zonën e quajtur “Molla e Shoshit”. Prej një ore, ata kanë arritur të lëvizin jo më shumë se 500 metër. Ndërkohë për këtë çështje kryekomisionieri KQz Ilirjan Celibashi në një deklaratë për mediat tha se nëse për 5 orë nuk fillon procesi në këto zona ath nuk do të kemi më proces votimi ne ato qendra votimi.

12:11 Celibashi vëzhgon procesin e votimit në Vorë, zbulon bisedën me Jorida Tabakun

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi shkoi në një qendër votimi në Vorë për të parë nga afër procesin e votimit. PD ka ngritur akuza për probleme me komisionerit duke thënë se PS dhe LSI janë bërë bashkë, por Celibashi tha se foli me Tabakun për shqetësimet e Partisë Demokratike. Ndërsa nëse pas orës 19:00 që është orari zyrtar i mbylljes së procesit të votimeve, ka ende qytetarë që presin për të votuar, do të merret lista me emra dhe do të votojnë.

11:49  Zgjedhjet në Durrës, ambasadori holandez vëzhgon procesin e votimit

Ambasadori i Hollandës në Shqipëri, Reinout Vos ishte i pranishëm në Durrës për të vëzhguar nga afër procesin e votimit. Ambasadori pati kuriozitet nëse është media e lejuar në qendrat e votimit. Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu sqaroi se jemi në transmetim maratonë ndërsa ambasadori vijonte të qëndronte në qendrën e votimit për aspektet teknike për të parë se si po shkon ky proces.

11:37 Paralajmërimi i Celibashit: Partitë politike të kenë kujdes, jemi ende në heshtje zgjedhore

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ka bërë një thirrje të radhës palëve politike, që të mos harrojnë se deri në mbyllje të votimeve, vendi është në heshtje zgjedhore dhe nuk mund të bëhet reklamim i palëve politike apo kandidatëve.

11:23 Në Rrogozhinë do të votojnë rreth 40 të burgosur për kryetarin e Bashkisë

Në Rrogozhinë, me vendim gjykate votohet edhe tek burgu. Janë rreth 40 të burgosur që do të votojnë për kryetarin e bashkisë. Për ta është krijuar një qendër e posaçme votimi brenda ambienteve të burgut.

11:17 Kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” për Bashkinë Rrogozhinë: Ka pak votues sepse janë larguar

Kandidati i “Shtëpisë së Lirisë” për Bashkinë Rrogozhinë, ka folur para gazetarëve pasi ka votuar, duke falenderuar pjesëmarrësit. I pyetur nga gazetarët për pjesëmarrjen e ulët në këtë bashki, kandidati tha se kjo ka ardhur për shkak të kushteve të vështira të motit dhe emigrimit. Ai theksoi se ndan besimin që votuesit e qytetit do të dalin të votojnë kryetarin e tyre më të mirë që do të drejtojë bashkinë pas datës 6 mars.

11:11 Tabaku nga Vora: PS dhe LSI janë bashkuar kundër PD-së

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku të shtunën deklaroi se Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë bashkuar votat për të larguar nga një KZAZ komisionerët e Partisë Demokratike. Në fjalën e saj për mediat, Tabaku theksoi se me një vendim të paprecedentë, tre anëtarë të PS-së, bashkuan votën me anëtarët e LSI-së, duke refuzuar të zbatojnë vendimin e komisionerit të zgjedhjeve të marrë gjatë ditës së djeshme, për emërimin e komisionerëve të PD-së dhe vendimin e Kolegjit të Apelimit, të marrë në orën 02:00 të mëngjesit.

11:07 PD po përgatit kallëzim penal për anëtarët e KZAZ në Vorë

Partia Demokratike po përgatit kallëzimin penal për 4 anëtarët e PS dhe anëtarin e LSI në KZAZ e Vorës për shpërdorim detyre. PD pretendon se komisionerët e PS dhe LSI kanë penguar procesin e zgjedhjeve. “Pas shkeljeve flagrante të Kodit Zgjedhor, vendimeve të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe Komisionit të Ankimeve dhe sanksioneve, Partia Demokratike po përgatit kallëzimin penal për 4 anëtarët e PS dhe anëtarin e LSI në KZAZ e Vorës për shpërdorim detyre, duke minuar procesin zgjedhor në këtë bashki”, thuhet në njoftimin e PD.

10:51 Sako: Ftoj qytetarët të marrin pjesë në zgjedhje

Kandidatja e PS për Bashkinë e Durrësit, Emiriana Sako ka votuar në një nga qendrat e votimit në Durrës. Pas votimit, dha një prononcim të shkurtër para mediave duke thënë: “Shpresoj të jetë një proces që do të shkojë mirë deri në fund të ditës. Përfitoj nga rasti që të ftoj qytetarët e Durrësit që të marrin pjesë në zgjedhje”. Qytetarët shqiptarë votojnë sot për të zgjedhur kryetarët e rinj në gjashtë bashkitë e vendit.

10:42 – Anëtari i PD nuk pranon të marrë detyrën tek qendra e votimit në Pult

Tek Qendra e votimit 0092 Pult, anëtari i emëruar i Partisë Demokratike nuk pranon të marrë detyrën. KZAZ nr 2 nuk del me vendim për zëvendësimin e tij ose kalimin e vulës tek partia tjetër opozitare për fillimin e procesit zgjedhor. Për këtë problematikë është informuar edhe KQZ-ja.

Po tentohet të shkohet drejt mos hapjes së qëndrës së votimit dhe pavlefshmërisë së saj. “Shtëpia e Lirisë” kërkon zhbllokimin e situatës për fillimin e procesit.

10:40 Celibashi: Komisionerët e PD në Vorë nuk ishin banues, vendimi i KZAZ ishte i drejtë

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha për Top Channel se KZAZ nuk i ka pranuar komisionerët e PD-së në Vorë, pasi nuk ishin banues aty. Celibashi: Komisionerët e PD në Vorë nuk ishin banues. Me të drejtë KZAZ ka vendosur të mos i pranojë. PD nuk ka sjellë asnjë emër në dijeninë time, me pretendimin që ata kanë, që nuk e di nëse qëndron apo jo.

10:35 Celibashi flet për TCH: Nuk kanë asnjë imponim nga KQZ, të mos vënë jetën në rrezik

Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka folur për Top Channel në lidhje me situatën e vështirë e shkaktuar nga kushtet e motit në Shosh dhe Pult, ku komisionerët janë bllokuar nga dëbora dhe ende nuk ka nisur procesi i votimit në disa qendra votimi. Celibashi tha se janë duke e monitoruar situatën ndërsa komisionerët nuk duhet të rrezikojnë jetën.

10:32 Xhemal Bushati: Komisionerët e PD janë në detyre, ka probleme me infrastrukturën

Kandidati i Partisë Demokratike, Xhemal Bushati, i është drejtuar qendrës së votimit në Shkodër. Në prononcimin për mediat, ai theksoi se sot është dita që të gjithë shkodranët të përdorin fuqinë e votës së tyre për Shkodrën.

10:30 Luan Haka: Koha ka ardhur që Dibra të mos ketë një kryetar bashkie që drejtohet nga Tirana

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Dibrës, Luan Haka të shtunën në një deklaratë për gazetarët pas votimit, deklaroi se ka ardhur koha që Dibra të ketë një kryetar bashkie që nuk drejtohet nga Tirana, ministrat apo ish-ministrat e qeverisë. Në fjalën e tij, Haka theksoi se në disa qendra votimi nuk ka drita, ndërsa banorët e disa fshatrave janë të detyruar për të ecur me kilometra të tëra për të votuar. Ai theksoi se janë konstatuar disa shkelje para zgjedhjeve dhe në lidhje me to është bërë edhe denoncimi në SPAK.

10:00 Celibashi bën bilancin: Në disa qendra nuk ka nisur votimi, patëm dy incidente

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirian Celibashi këtë të shtunë deklaroi se në Shkodër nuk ka filluar procesi në tre qendra votimi. Në Dibër ka filluar procesi i votimit në të gjitha qendrat e votimit, në 18 qendra kemi probleme për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.

09:59 Komisionerët bllokohen nga dëbora, flasin për TCH

Kushtet e vështira të motit në Shkodër kanë bërë që komisionerët të bllokohen nga dëbora dhe të mos mbërrijnë në qendrat e votimit në Shosh dhe Pult, ndonëse prej 3 orësh ka nisur orari zyrtar i procesit të votimit në 6 bashkitë e vendit. Në një lidhje telefonike për Top Channe, komisioneri i PS, Mir Cezmja tha se dëbora është shumë e madhe dhe makinat nuk arrijnë të ecin.

09:53 Voton Eriselda Sefa: Do të sjell ndryshe modelin e qeverisjes

Kandidatja e PS për bashkinë e Lushnjes, Eriselda Sefa ka folur para mediave pasi ka votuar. Në fjalën e saj para gazetarëve, Sefa deklaroi se shpreson që pjesëmarrja të jetë e madhe dhe qytetarët të shkojnë në qendrën e votimit me qetësi dhe thjeshtësi. Sipas saj, procesi i fushatës ka qenë i qetë, duke theksuar bindjen se do vazhdojë të jetë i tillë deri në fund.

09:46 20 ekipe të BE-së, në terren për të monitoruar procesin zgjedhor

Skuadra e Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri këtë të dielë është ndarë në gjashtë bashkitë e vendit, për të monitoruar procesin zgjedhor me 20 ekipe. Këtë e ka bërë të ditur zyra e BE-së në Shqipëri, përmes një postimi në median sociale Twitter. Bëhet fjalë për Bashkinë e Durrësit, Vorës, Lushnjës, Rrogozhinës, Dibrës dhe Shkodrës.

09:30 Zgjedhjet në Shkodër, nuk ka nisur ende votimi në disa qendra në Pult dhe Shosh. Bllokohen në dëborë komisionerët

Në disa qendra në Dukagjin nuk ka nisur ende votimi për shkak të kushteve të motit. Komisionerët pretendojnë se janë  se janë të bllokuar në rrugë nga dëbora dhe nuk kanë mbërritur ende. Ata nuk përgjigjen as në telefon pasi janë në një zonë ku nuk ka valë.

09:25 Simpatizanti i “Shtëpisë së Lirisë” ofendon komisionerin e PD në Durrës

Një incident ka ndodhur në qendrën e votimit 1499 në Durrës. Një mbështetës i shtëpisë së Lirisë, Fatjon Shtufi ka ofenduar komisionerin e PD, Fatmir Mezini. Policia e Durrësit ka mbërritur për të marrë kallëzimin nga komisioneri i PD për inicdentin që ndodhi pak minuta më parë. Pasi është këshilluar dhe ka marrë njoftimin nga KZAZ, ka ardhur për të kryer procedurat. Oficeri i policisë gjyqësore po merr detajet e këtij incidenti nga komisioneri i PD.

09:22 4 njësi administrative pa drita në Dibër, 11 qendra po zhvillojnë votimin manualisht

Katër prej njësive administrative në Dibër kanë mbetur pa energji elektrike për shkak të kohës së keqe. Mësohet se pa energji elektrike ka mbetur Selishta, Arrasi dhe Sllova, ndërsa 11 qendra votimi po zhvillojnë procesin manualisht.

08:38 Në QV nr.1436 afër spitalit të Durrësit, për shkak të ngatërrimit të pajisjes së identifikimit elektronik PEI, procesi i votimit sapo ka nisur, me 1 orë e gjysëm vonesë.

08:30 KQZ: Votuar 4.268 nga 407.162 zgjedhës  në listën e qendrave të votimit të raportuara.

08:16 Voton kandidati i PD në Durrës, Luan Hoti: Dilni dhe votoni! Votoni për veten tuaj

Kandidati i PD-së për bashkinë e Durrësit Luan Hoti, njëkohësisht dhe kryetar i degës lokale të PD, ka votuar në një nga QV që ndodhet në godinën e universitetit ”A.Moisiu” në Currila. Pas votimit, ai ftoi qytetarët durrsakë që t’i drejtohen qendrave të votimit dhe t’i kthejnë Durrësin qytetarëve.

”Kam vetëm një mesazh për qytetarët e Durrësit. I ftoj që të dalin të votojnë si njerëz të lirë, të votojnë për familjet e tyre, për fëmijët e tyre dhe të ardhmen e qytetit. Të votojnë që t’i japin fund marrjes peng të qytetit dhe bashkinë t’ia rikthejmë Durrësit, qytetarëve të Durrësit.”

Aktualisht pjesëmarrja në votim është e ulët.

07:44 Ngërç në Vorë, përfaqësuesi i PD: KAS refuzon të emërojë komisionerët sipas listës që i ka dërguar Celibashi

Ka pasur ngërç në KZAZ 26 në Vorë. PD kishte dërguar 104 kandidatë për kryetarët, anëtarët dhe sekretarët e qendrave të votimit. KZAZ 25 nuk ka pranuar t’i regjistrojë për shkak se nuk ishin banorë të zonës.

Celibashi ka hapur thirrjen për aplikim dhe në faqen e KQZ kanë shfaqur interes 110 persona. Nga verifikimi i KZAZ 26 ka rezultuar se ato janë të njëjtit kandidat që kishte propozuar PD dhe janë referuar.

Përfaqësuesi i PD në KQZ tha për Top Channel se: “Mbrëmë në orën 02:00, KAS mori vendim që KZAZ të emërojë komisionerët sipas listës që i ka dërguar Celibashi, ata refuzojnë ta bëjnë”.

07:39 Nis votimi në një prej qendrave te votimit në Vorë.

07:34 Hapet procesi i votimit në Dukagjin. Nisi me vonesë për shkak se komisionerët mbërritën në fshat në orët e para të mëngjesit.

07:33 Reagimi i kryeministrit Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Facebook për zgjedhjet e pjesshme vendore. Rama uron të diel të qetë teksa fton qytetarët e 6 bashkive në Shqipëri që të ushtrojnë të drejtën themelore demokratike për të zgjedhur.

Nuk mungon komenti i Ramës edhe për situatën e luftës në Ukrainë teska thotë se “Në lindje të Europës, po makasrohen për të mos e humbur atë të drejtë bashkë me demokracinë”.

07:31 Nis votimi edhe në qendrat e votimit 2227 dhe 2228 në Rrogozhinë.

07:29 Dy qendra janë vendosur pranë shkollës së mesme Jani Nushi në Lushnje. Deri në këto momente nuk ka asnjë problem sa i përket komisionerëve apo vëzhguesve.

07:24 Nis procesi i votimit edhe në 2 prej 5 qendrave në Breg të lumit në Dukagjin

07:19 Nis procesi i votimit në një nga qendrat e votimit në shkollën Xhorxh Soros në Rrogozhinë. Në disa qendra të tjera ka probleme me funksionimin e kamerave, ende nuk ka nisur procesi. Në disa prej tyre mungojnë edhe disa nga komisionerët e PD.

07:13 Në një nga qendrat e votimit te shkolla Xhorxh Soros nuk kanë mbërritur ende të gjithë komisionerët pasi nuk ka nisur procesi i votimit.

7:08 Në 4 qendrat e votimit tek gjimanzi “Isa Boletini” në Vorë nuk kanë mbërritur komisionerët e PD

6:58 Mungon anëtari i PD në një qendër votimi në Lushnje

Në bashkinë e Lushnjes, mungon anëtari i Partisë Demokratike në qendrën e votimit 2865, KZAZ 65 ndërsa pritet zëvendësimi i tij.

Të zgjedhurit në këto votime do të kenë një mandat 1-vjeçar. 10,134 zgjedhës votojnë për herë të parë. Në 6 bashkitë, qendrat e votimit do të jenë të hapura nga ora 07:00-19:00.

Në të gjitha qendrat e votimit do të jetë identifikimi elektronik, ndërsa në Vorë votimi dhe numërimi do të jetë elektronik ku rezultati do të bëhet me dije menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve. Për pesë bashkitë e tjera, rezultati pritet të dalë brenda 48 orëve ose më parë, ka njoftuar para disa ditësh kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi. Zgjedhjet e pjesshme vendore u dekretuan nga Presidenti Meta më 20 janar të këtij viti.

FOTO GALERI
2/10

Top Channel