Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri në një deklaratë për mediat theksoi se zgjedhjet e 6 marsit ishin të qeta dhe pa probleme.

Ai numëroi disa prej arsyeve se përse pjesëmarrja ishte e ulët në këto zgjedhje.

Gjiknuri u bëri thirrje partive të tjera që të pranojnë rezultatin, duke mos krijuar trazira.

“Ne kemi parashikuar se në pranverë dhe vjeshtë pjesëmarrja është më e mundshme, moti nuk ka qenë inkurajues, mbase këto zgjedhje nuk e kishin atë rëndësi sa e kishin ato të vitit 2021, përçarja e opozitës është një element, një ndryshim i dinamikës, mendoj se duke mbledhur disa nga këto faktorë, pjesëmarrja është e kënaqshme. Aq më tepër që pas një viti do të kemi zgjedhje prapë. Nuk ka aspak zhgënjim nga mbështetja e PS. PS do pranojë çdo rezultat, por duhet që të gjitha partitë të pranojnë rezultatin që do të dalë”, tha Gjiknuri.

Zgjedhësit e Vorës, Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Lushnjës e Rrogozhinës votuan sot në zgjedhjet e pjesshme lokale për të caktuar kryetarin e ri të bashkisë.

Mbi 160 mijë qytetarë me të drejtë vote iu përgjigjen thirrjes për të marrë pjesë në votime mes kandidatëve të PS-së, PD-së dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, por në qendrat e votimit pati një numër të ulët pjesëmarrësish.

Top Channel