Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se anulohen zgjedhjet në Pult e Shosh duke qenë se komisionerët nuk arritën të shkojnë për shkak të kushteve të motit.

Celibashi tha se ka kaluar afati prej 5 orësh, ndaj anulohen zgjedhjet në këto 3 qendra votimi.

Celibashi: Në lidhje me raportimet e fundit që kemi marrë nga terreni, në 3 qendra votimi nga 942 nuk ka filluar votimi. Pasi ka kaluar afati prej 5 orësh, janë 2 qendra në Shosh dhe një në Pult. Votimi nuk ka vijuar për shkak të kushteve atmosferike, ndaj konsideruar i pafilluar dhe i përfunduar. Në mënyrë të vazhdueshme kemi marrë nëpërmjet sistemit të ndihmës online raportimet mbi problematikat.

Janë 13% problematika për kamerat e vëzhgimit, 73% për pajisjet elektronike dhe 15% me çështjet e administrimit të zgjedhjeve dhe sjelljen e komisionit të qendrave të votimit. Sipas raportimeve në 07:30, të gjithë qendrat e votimit kanë qenë të hapura.

Ne kemi një komunikim të vazhdueshëm me të gjitha KZAZ-të, kemi bërë edhe verifikime në terren të situatës. Në përgjithësi nuk raportohen problematika, ka disa probleme që lidhen me mënyrën e procesit të votimit. Për grumbullimet e personave të paautorizuar, kemi komunikuar me KZAZ-të, është raportuar se situata është kthyer në normalitet.

I bëj thirrje votuesve të marrin pjesë në votime.

Top Channel