Babis Anagostopoluos është dërguar në burgun e grave në Koridhalosë për arsye sigurie.

Vendimi për 33-vjeçarin erdhi pas rënies dakord të hetuesit dhe prokurorit të çështjes, pas deponimit prej gati 5 orësh që ka dhënë autori i vrasjes së gruas së tij ,20-vjeçares Caroline.

Përsëri me masa të rrepta sigurie, nën fokusin e kamerave të mediave vendase dhe të huaja ,ai është shoqëruar mëngjesin e së martës në zyrën e hetuesit, ndërkohë që të pranishëm para gjykatës thërrisnin “monster” dhe “të kalbesh në burg”.

Edhe pse është përpjekur të provojë se çdo gjë  ndodhi në një moment dobësie shpirtërore, se historia e gënjeshtërt që thuri për 37 ditë duke u hedhur fajin “hajdutëve gjeorgjianë apo shqiptarë”, u bë që të përfitonte kohë për të menduar se çfarë do bënte me vajzën e tij, ai ka dëgjuar masën e paraburgimit deri në zhvillimin e gjyqit.

“Shkatërrova jetën time, shkatërrova jetën e familjes sime,” thuhet se ka deklaruar 33 vjeçari  që ka  mbytur në gjumë gruan e tij në prani të foshnjës 11 muajshe.

Ndërkohë në media, qarqet juridike dhe politike ka rifilluar debati për ashpërsimin e ligjeve për krimet e rënda, pasi për rastin në fjalë nëse njihen masa lehtesuese, vrasësi mund të dënohet nga 6-9 vjet ,ndërsa burgimi i perjetshëm do ta mbajë atë pas hekurave deri në 16-18 vjet, sipas legjislacionit grek.

Pjesë e kritikës nga shtypi i majtë është fakti se policia ka marrë për analizë telefonin e tij vetëm 20 ditë pas krimit.

Gjithashtu “Gazeta e Redaktorëve” publikon deklaratat  e një gjeorgjiani në një televizion të huaj , i cili pohon se pas arrestimit të tij në kufi me Turqinë, është rrahur nga policia, i është bërë presion të pranojë vrasjen në fjalë, ndërsa mbahet ende në burg.

Në artikull bëhet fjalë edhe për reagimin e komunitetit shqiptar, ndërsa shumë juristë dhe gazetarë  dënojnë taktikën e policisë greke që ka lëshuar informacione duke fajësuar të huajt për krimin në fjalë në mënyrë që të manipulonte vetë vrasësin, por edhe mediat që përçojnë këto informacione.

Njëkohësisht prokuroria ka filluar një hetim për të gjetur se si ditari i Caroline që ishte në duart e policisë ju dha disa gazetarëve të cilët më pas publikuan pjesë të tij në kundërshtim me parimet e deontologjisë gazetareske.

FOTO GALERI
2/13
Gra ne sheshin Syntagma ne Athine duke bere homazhe per Caroline Crouch

Top Channel