“Romeo dhe Zhulieta” mbush 30 vjet, filmi që bëri adoleshentët të dashuroheshin pas Shekspirit

01/11/2026 16:46

Filmi “Romeo dhe Zhulieta”, me regji të Baz Luhrmann dhe protagonistë Leonardo DiCaprio dhe Claire Danes, shënon 30-vjetorin e publikimit.

Përshtatja moderne e tragjedisë së William Shakespeare arriti të afronte brezat e rinj me dramaturgun anglez, duke e sjellë historinë klasike të dashurisë në një mjedis urban të viteve ’90.

Filmi u kthye në një mjet të rëndësishëm për mësuesit e anglishtes, të cilët e përdorën për t’i bërë nxënësit të interesoheshin për veprën e Shekspirit, shpesh të konsideruar të vështirë për t’u kuptuar. Në të njëjtën kohë, rolet e Romeo-s dhe Zhuljetës kontribuan në popullaritetin e dy aktorëve të rinj, Leonardo DiCaprio dhe Claire Danes.

Regjisori australian zgjodhi një qasje të guximshme, duke e zhvendosur historinë mesjetare në një mjedis bashkëkohor. Konflikti mes dy familjeve rivale të Veronës u shndërrua në një luftë mes bandave kriminale, me territore dhe aktivitete ekonomike të kontrolluara prej tyre.

Filmi ruajti vargjet origjinale të Shekspirit, por i ndërthuri ato me pamje moderne, skena dhune, ndjekje me makina dhe përplasje në rrugë. Që në fillim, historia prezantohet përmes një edicioni lajmesh televizive, i cili njofton fatin tragjik të dy të dashuruarve.

Kjo zgjedhje pasqyronte interesin e viteve ’90 për botën e krimit, si në kinematografi, ashtu edhe në muzikën hip-hop. Pamjet e trazirave dhe ndjekjeve me makina kujtonin gjithashtu spektaklin mediatik që shoqëroi ndjekjen e O.J. Simpson në vitin 1994.

“Romeo dhe Zhuljeta”, tragjedia e shkruar në shekullin XVI, rrëfen historinë e dy të rinjve që dashurohen pavarësisht urrejtjes së thellë mes familjeve të tyre. Versioni i Baz Luhrmann mbetet një nga përshtatjet që e solli këtë vepër klasike më pranë publikut të ri.

 

Top Channel