Shpresat e Kukësit për të fituar titullin kampion në Kategorinë Superiore morën një goditje të rëndë me humbjen 1-2 ndaj Flamurtarit, një rezultat që jo vetëm kthen në mirazh fronin për verilindorët, por vendos në dyshim edhe kupat europiane.
Në një pjesë të parë me ritëm të lartë në “Elbasan Arena”, Kukësi meritonte avantazhin, por këtë e finalizuan vlonjatët me një veprim të bukur të Sukajt brenda zonës, që çoi ekipet në pushim 0-1.
Në pjesën e dytë, Flamurtari arriti të shënojë sërish, këtë radhë me Emiliano Mustën, duke tronditur ekipin e trajnerit Gjoka. Presioni i Kukësit për të marrë pikë solli ngushtimin e rezultatit me Reginaldon, në një gol pranë vijës fatale, por nuk shkoi më shumë sesa kaq.
Kukësi tani është vetëm një pikë mbi Flamurtarin e vendit të tretë, matematikisht i kalueshëm nga Teuta dhe Laçi. Ky i fundit vuajti një humbje të hidhur 1-0 në fushën e Luftëtarit, që jo vetëm intrigoi luftën për Europa League, por rishkruan skenarë të tjerë për mbijetesën.
Rrjeta e vetme në qytetin e gurtë erdhi nga Dunga. Ndërkohë, këtë të dielë do të luhen edhe sfidat Skënderbeu-Kastrioti dhe Teuta-Tirana.
Top Channel