Kosova, në Ligën e Kombeve. UEFA, “dritë jeshile” stadiumit “Fadil Vokrri”

27/08/2018 13:28

Frika e tifozëve të Kosovës, se nuk do të mund të ndiqnin ndeshjet në stadiumin e shtëpisë duke nisur nga muaji shtator, duket se ka marrë fund me lejen e UEFA-s për stadiumin e ri.

Rinovimi i impiantit “Fadil Vokrri” në Prishtinë kishte ngritur pikëpyetje mbi ndeshjet e Ligës së Kombeve, por duket se qeveria e futbollit europian, edhe pse nuk ka një reagim zyrtar, do të mbyllë njërin sy për të lejuar sfidat zyrtare.

Ditë më parë u vu në pikëpyetje një gjë e tillë, pasi Ministria e Sportit, në bashkëpunim me Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) ndaluan zhvillimin e ndeshjes së Superligës ndërmjet Prishtinës dhe Gjilanit, me arsyetimin se nuk ishte bërë pranimi teknik i stadiumit. Kjo ishte në kontrast me lejen e ndeshjes tjetër, Drita-Prishtina, e vlefshme për Superkupën e Kosovës.

Tani, kur kanë mbetur diçka më pak se dy javë para fillimit të Ligës së Kombeve, ishte vënë në dyshim edhe zhvillimi i ndeshjes ndërkombëtare të përfaqësueses së Kosovës ndaj Ishujve Faroe, më 10 shtator. Mirëpo institucioni më i lartë i futbollit europian ka zbuluar se stadiumi “Fadil Vokrri” do ta marrë licencën për zhvillimin e ndeshjeve të rëndësisë së tillë.

Kështu, që nga shtatori, Kosova do të mund t’i luajë takimet në kryeqytet dhe jo në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Edhe skuadra e Prishtinës do të luajë këtë sezon ndeshjet në shtëpi, pas një mungese dyvjeçare. Skuadra e trajnerit Challandes do ta nisë eksperiencën në Ligën e Kombeve më 7 shtator, ndaj Azerbajxhanit në Baku, e pas 3 ditësh përfaqësuesja do të zbarkojë në Prishtinë, me Ishujt Faroe.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA