Komisioni i Disiplinës dhe Etikës në FSHF ka publikuar vendimin nr. 5 për datën 10 shtator 2026, ku bien në sy konvertimi i dënimit për Ilir Dajën dhe një seri masash ndaj lojtarëve e zyrtarëve të Kategorisë së Parë.

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, ka përfituar nga konvertimi i pjesës së mbetur të dënimit. Komisioni ka pranuar kërkesën e tij, bazuar në nenin 75 të Kodit të Disiplinës dhe Etikës.

Por ndërsa masa ndaj Dajës konvertohet, vendimi i fundit i Disiplinës sjell pezullime të tjera për lojtarë dhe zyrtarë të ekipeve të Kategorisë së Parë.

Lojtari i Burreli-t, Igli Rrapi, është dënuar me 3 ndeshje pezullim për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar.

Më të rënda janë masat ndaj pjesëtarëve të Kastriotit. Trajneri Ramadan Ndreu është pezulluar për 4 ndeshje për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, ndërsa Gazmend Vogli është dënuar gjithashtu me 4 ndeshje pezullim për hyrje të paautorizuar në fushën e lojës.

Me 4 ndeshje pezullim është dënuar edhe lojtari i Kastriotit, Fabio Hasa, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe provokim të spektatoreve.

Vendimi nr. 5 i Komisionit të Disiplinës dhe Etikës së FSHF datë 10.09.2026
Share:
KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke vendosur banderolë pa lejen e zyrtarëve të ndeshjes si dhe për përdorimin e koreve fyese, në bazë të neneve 17/2/e dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
FC Dinamo City, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së vonesave për zbatimin në kohë të detyrave sipas Rregullores së Aktivitetit, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe Rregulloret e FSHF.
KF Iliria, në bazë të nenit 6/1/a të KDE, paralajmërohet se në rast të përsëritjes së mos marrjes së masave për zbatimin e rregullave të lojës duke shkaktuar vonesa në fillimin e ndeshjes, do të jetë subjekt i masave disiplinore që parashikon Kodi i Disiplinës dhe Etikës dhe Rregulloret e FSHF.
Zyrtari i KF Pogradeci, Bekim Kuli, për provokim të spektatoreve, në bazë të nenit 14/1/f, dënohet me 2 (dy) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
KS Besa, për mosmarrjen e masave të nevojshme të sigurisë dhe sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës, në bazë të neneve 17/1 dhe 17/2/b të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Në bazë të nenit 76/1/a të KDE, gjoba aplikohet në masën 50%.
Flamurtari FC, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke hedhur sende në fushën e lojës dhe duke rrezikuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes dhe të lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Në bazë të nenit 76/1/a të KDE, gjoba aplikohet në masën 50%.
KF Burreli, për mosmarrjen e masave të nevojshme për garantimin e rendit dhe sigurisë, si dhe për sjellje të gabuar të spektatorëve, të cilët kanë hedhur sende në fushën e lojës, duke rrezikuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes dhe të lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të neneve 17/1, 17/2/b dhe 17/2/h të KDE, dënohet me gjobë në masën 300.000 (treqind mijë) lekë. Në bazë të nenit 76/1/a të KDE, gjoba aplikohet në masën 50%.
Lojtari i KF Burreli, Igli Rrapi, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/h të KDE dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Zyrtari i KS Kastrioti, Ramadan Ndreu, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga aktiviteti.
Zyrtari i KS Kastrioti, Gazmend Vogli, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë, duke hyrë në fushën e lojës në mënyrë të paautorizuar dhe të parregullt, në bazë të nenit 13/2/a të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Lojtari i KS Kastrioti, Fabio Hasa, për shkelje të rregullave themelore të sjelljes së mirë dhe provokim të spektatoreve, në bazë të neneve 13/2/a dhe 14/1/f të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
Pranimin e kërkesës së AF Elbasani për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit të zhvillimit të ndeshjeve pa praninë e spektatorëve, në përputhje me nenin 75 të Kodit të Disiplinës dhe Etikës.
Pranimin e kërkesës së zyrtarit të FC Dinamo City, Ilir Daja, për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit, bazuar në nenin 75 të Kodit të Disiplinës dhe Etikës.
Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të FK Partizani U-17, Artur Aliaj, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.
Rrëzimin e kërkesës së lojtarit të KF Delvina, Keli Musta, si të pabazuar në Kodin e Disiplinës dhe Etikës.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.

Top Channel